Para, të padeklaruara, u gjetën nga Policia Kufitare në një autobus që vinte nga Italia këtë të hënë. Edhe këtë herë, vendi që zgjodhën për t’i fshehur ishte pjesa e sipërme e tavanit të autobusit, te kondicioneri.

E njëjta skemë u përdor edhe më 13 qershor të këtij viti. Autobusi u mbush plotë me 'topa' parash, të cilët më pas u zbuluan nga policia.

Të dy autobusët vinin nga linja e tragetit të Barit, ndërsa lekët ishin të padeklaruar dhe pa asnjë dokumentacion për të vërtetuar që rrjedhin nga aktivitete të ligjshme në perëndim, kryesisht nga trafiku i drogës. Për çudi, shoferët e këtyre mjeteve gjithmonë deklarojnë se nuk kanë dijeni për paratë. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet raste të goditura në Portin e Durrësit nga 1 janari 2023 deri më tani. Burime të Report Tv bëjnë me dije se në 8 raste të ndryshme janë arritur të kapen rreth 850 mijë euro të padeklaruara, pa përfshirë rastet me shuma më të vogla. Paratë kryesisht vijnë të fshehura në autobus, por nuk mungojnë edhe rastet e fshehjes në kamion apo edhe në vetura personale.

Por, çfarë skeme përdorin shqiptarët për të sjell para nga jashtë?

Autoritetet shqiptare kanë dyshime se paraja që hynë përmes pikave kufitare e fshehur nëpër automjete, rrjedh nga aktivitete kriminale në perëndim, kryesisht në ato të drogës. Grupe të ndryshme, zgjedhin këtë rrugë për sjelljen e tyre, edhe me shpresën e kalimit përmes ryshfetit. Në rastin e Portit të Durrësit, janë autobus që transportojnë pasagjerë, por edhe kamion të vegjël që sjellin porosi të emigrantëve shqiptarë nga e gjithë Evropa në drejtim të vendit tonë, të cilën përdoren për të sjell edhe paranë e paligjshme. Një tjetër kategori parash që hyjnë ilegalisht në vendin tonë janë edhe ato të fituara në punë të ndershme, por në të zezë, çfarë i detyron shqiptarët që të përdorin rrugë të tilla për futjen në tregun vendas. Në disa raste të zbuluara në aeroportin e Rinasit, shqiptarët kanë përdorur edhe të huaj për sjelljen e valutave të euros dhe kryesisht edhe paundit britanik. Për këto raste, paratë janë gjetur në trup dhe janë pikasur lehtë nga autoritetet.