Të bësh një protestë paqësore është një nga aktet më të civilizuara në shoqëritë demokratike. Pikërisht këtë u kërkoi protestuesve në Minneapolis edhe Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump. Deklarata e saj erdhi në një moment krize të thellë, kur zemërimi publik kishte shpërthyer pas vrasjes së Renne Good dhe, së fundmi, Alex Pretti-t nga efektivë të Agjencisë së Mbrojtjes së Kufirit (ICE), vrasje të kryera, sipas pamjeve filmike,  në gjakftohtësinë më të plotë.

Dy ngjarje të rënda, të dokumentuara nga video tashmë virale, kanë tronditur jo vetëm opinionin amerikan, por edhe atë ndërkombëtar. Që prej atij momenti, indinjata e protestuesve është rritur dhe përplasja me trupat e ICE është bërë gjithnjë e më e ashpër. Përballë protestave masive, autoritetet federale kanë shtuar praninë e forcave të tyre në Minneapolis. Madje, në territorin e tensionuar ka zbritur vetë drejtuesi i kësaj agjencie, Gregory Bovino.

Sjellja e Bovinos ka qenë aq agresive, sa protestuesit e kanë akuzuar hapur për qëndrime autoritare dhe retorikë që ngjan më shumë me metodat e regjimeve totalitare sesa me një shtet demokratik. Ironikisht, Bovino vjen nga një familje emigrantësh italianë, me gjyshër të ardhur nga Kalabria. Por kjo trashëgimi nuk duket se ka ndikuar aspak në qëndrimin e tij. Përkundrazi, sipas protestuesve dhe kritikëve, ai shfaq një agresivitet të ftohtë dhe përçmues ndaj emigrantëve, një sjellje që shumëkush e ka krahasuar me oficerët e Gestapos, madje me një lloj nostalgjie të rrezikshme për autoritarizmin.

Kritikët e kanë quajtur Bovinon një “Napoleon të mundshëm”, duke ironizuar edhe estetikën e tij të ashtuquajtur “naziste”. Me valën anti-emigrante të nxitur nga Donald Trump, Minneapolis dukej se ishte momenti politik që Bovino kishte pritur prej kohësh. 55-vjeçari, zyrtar i lartë i patrullës kufitare amerikane, ishte bërë më herët figurë kyçe në operacionet agresive kundër emigracionit në Los Angeles, Chicago dhe qytete të tjera. Por deklaratat e tij pas të shtënave ndaj Alex Pretti-t, një shtetas amerikan 37-vjeçar, e çuan famëkeqësinë e tij në një nivel të ri, aq sa përfundimisht tejkaloi edhe kufijtë e tolerancës së administratës Trump.

Në reagimin fillestar, Bovino pretendoi se Pretti kishte për qëllim të “masakronte agjentët e zbatimit të ligjit”. Ndërkohë që pamjet video rrëzonin këto pretendime, ai jo vetëm që nuk u tërhoq, por i dyfishoi deklaratat provokuese në emisionet kryesore televizive të së dielës.

Edhe pse pranoi se ishte hapur një hetim, Bovino dukej sikur e paragjykonte rezultatin e tij, duke vazhduar ta quante Pretti-n “të dyshuar” dhe jo viktimë.

“I dyshuari e vendosi veten në atë situatë”, i tha ai Dana Bash në emisionin State of the Union në CNN, duke injoruar pamjet që sugjeronin se Pretti po përpiqej të ndihmonte një grua të shtyrë me dhunë përtokë nga agjentët. “Viktimat janë agjentët e patrullës kufitare”, shtoi ai.

Këtu lind një pyetje thelbësore morale:-  nëse një njeri me origjinë emigrante e quan viktimën “të dyshuar”, atëherë si u quajtën protestuesit e dhunshëm të 6 Janarit që sulmuan Kapitolin, tempullin e demokracisë amerikane? Nëse Garda Kombëtare do të kishte vepruar atë ditë me të njëjtën brutalitet, 6 Janari do të ishte shndërruar në një masakër me mijëra viktima. Por ata u përmbajtën, duke zgjedhur të mbrojnë jetën njerëzore edhe mbi simbolikën e ndërtesës. Ndërsa në rastin e Renne Good dhe Alex Pretti-t, njerëz të paarmatosur, pjesëmarrës në protesta paqësore, u qëlluan pa mëshirë nga oficerë që më shumë ngjallin fantazmat e nazizmit sesa figurën e një polici që ka si parim themelor vlerën e jetës njerëzore.

Prandaj deklarata e Melania Trump duhet parë më shumë si një dush i ftohtë për trupat e ICE sesa si kritikë ndaj protestuesve të Minneapolis. Sepse protestuesit, pa armë, janë etiketuar si të dhunshëm, madje edhe si “terroristë”, vetëm për të justifikuar krime që pamjet filmike i nxjerrin lakuriq.

Videot janë të qarta se Renne Good dhe Alex Pretti nuk ishin të rrezikshëm. Nuk ishin të armatosur. Nuk ishin terroristë. Ajo ishte një nënë e brishtë me dy fëmijë. Ai ishte një infermier që shpëtonte jetë njerëzish. Ata nuk kërcënonin jetën e askujt. Ata po kundërshtonin.