SPECIALE/ Nga kartëmonedha e parë shqiptare deri te Leku sot, historiku si ndikuan pushtimet dhe politika! Pse ngatërrohemi me lekë të ri dhe lekë të vjetër?

Thonë që njerëzit ishin të lumtur duke shkëmbyer mallra me njëri tjetrin si pagesë, kryesisht lëkurët dhe dhëmbët e kafshëve. Malli më i vlefshëm konsiderohej blegtoria. Por në kultura të ndryshme pagesa bëhej edhe me vegla, rruaza, armë e duhan.

Në Shekullin VII p.e.s.: Monedhat e para të standardizuara u krijuan në atë që sot është Turqia perëndimore. Ato ishin bërë nga elektrumi, një amalgamë prej ari dhe argjendi. Në Romë, monedhat janë prerë pranë tempullit të perëndeshës Juno Moneta. Offa, një mbret anglo-sakson, prezantoi monedhën e parë angleze të njohur si qindarka rreth vitit 790 pas Krishtit. Një mungesë bakri e detyroi Kinën të fuste paratë e para të letrës në botë në qarkullim në shekullin e 9-të - 700 vjet përpara se Evropa ta bënte këtë. Në vitet 1500, miniera e Shën Joachimsthal në atë që tani është Republika Çeke prezantoi monedha të mëdha argjendi të quajtura thaler. Versioni spanjoll i talerit u bë monedha e parë në mbarë botën. Anglezët e quajtën atë dollar, dhe dollari amerikan bazohej në të.
Edhe në Shqipëri paraja ka historinë e saj.

Pjesa historike e monedhave dhe kartëmonedhave në vendin tonë është tepër interesante dhe nuk është shumë e njohur për publikun. Përgjegjësja e Muzeut dhe e botimeve në Bankën e Shqipërisë Besa Prela shpjegon për Report TV, etapat e rëndësishme të kartëmonedhave. 

Kush është data e parë që ka shënjuar historinë e kartëmonedhave në vendin tonë?

Besa Prela: Kartëmonedha e parë e emetuar në territorin Shqiptar, është një kartëmonedhë lokale që nuk ka qarkulluar në të gjithë vendin tonë. 

Republika Autonome Shqiptare e Korçës u themelua në 10 Dhjetor 1916 nga forca lokale franceze, pas rënies së qytetit të Korçës nën kontrollin e tyre, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe zgjati deri në vitin 1920. Më vonë u bashkuan dhe qyteti i Pogradecit, Ersekës dhe krahina e Devollit. Gjuha kombëtare zyrtare ishte Shqipja, por raportet në autoritetet Franceze bëheshin në gjuhën Frënge.

Në 25 janar 1917 administrata shqiptare e Krahinës Autonome të Korçës, për të përmbushur nevojat që kishte tregu emetoi  (në bazë të vendimit të Këshilli i Republikës Autonome të Korçës, janar 1917) kartëmonedhat e saj shqiptare. 

Ato do të zëvendësonin monedhat e huaja, në mënyrë të veçantë dhrahmitë greke, të cilat i kishte prurë me vete administrata e mëparshme helene. 
Në mungesë të bankës, monedhat u shtypën nga Drejtoria e Financave në Korçë, një nga departamentet kryesore të administratës së "krahinës autonome". Kartëmonedha u quajt frang, emër ky që përputhej edhe me atë të frangut francez, monedha bazë e Republikës së Francës.

Besa Prela: Kartëmonedha qarkulloj në qytetin e Korçës dhe në zonat e tjera si Opali apo Bilishti, për gati 2 vite. Është një kartëmonedhë shumë e rrallë. Është një nga emetimet e para në vitin 1917, dhe aty shkruhet Republikë Vetë-qeveritare dhe më pas shkruhet Republika Shqiptare dhe më pas është thjeshtë Korça. Ajo kartëmonedhë është mbi 100 vjeçare, ajo është e rrallë jo vetëm si objekt numizmatik por edhe për historinë që ajo mbart për Republikën e Korçës. Edhe dizajni i saj është mjaft interesant sepse po të shohim gjysmë frangun e vitit 1918, është dizenjuar me një kishë dhe xhami për të pasqyruar unitetin fetar. Monedhat që shoqëruan këto kartëmonedha nuk janë shqiptare, janë të perandorisë otomane, franceze, italiane. Kjo për shkak se gjatë atyre viteve luftës së parë botërore, Shqipëria nuk kishte një bankë dhe përdorte monedha të huaja. 

Po faza e dytë më e rëndësishme në historinë e kartëmonedhave?

Besa Prela: Janë vitet 1920-1923-1924, ku kartëmonedhat nuk duken si të tilla, ngjajnë si letra apo bileta dhe pa elemente sigurie. Janë kartëmonedha që nuk u emetuan nga një bankë por nga bashkitë e vendit tonë. Për shkak se vendi ynë përdorte më shumë frangat e unionit monetar latin, nuk kishte monedhë divizionale, apo kusur, që sot është 5 lekë apo 10 lekë. Për këtë arsye shteti shqiptar ju dha leje bashkive të emetonin këto kartëmonedha, që ekzistonin në territoret e bashkive, të tilla ka emetuar Korça, Shkodra, Berati, Vlora, Elbasani dhe Fieri, ishin kartëmonedha që mbetën në qarkullim deri në themelimin e Bankës Kombëtare të Shqipnisë, e cila ishte e para bankë qendrore që funksionoi dhe emetoi monedhën dhe kartëmonedhën e parë shqiptare.

Praktikisht ky është emetimi i parë i bërë nga banka?

Besa Prela: Po, është prodhim i bankës dhe ka kurs ligjor në të gjithë shtetin dhe jo më vetëm nëpër qytete. Kartëmonedha u quajt Franga Ar dhe nënfishi i saj u quajt ‘Lekë’.  Kartëmonedhat e para ishin 5 Franga Ar, 20 Franga Ar dhe 100 Franga Ar. Këto kartëmonedha nga ana e dizajnit dhe prodhimit, evoluojnë dhe janë më bashkëkohore sesa ato të bashkive. Ato u prodhuan nga kompani që kryenin këtë biznes edhe për shtete si Franca apo Britania, që ishte kompania ‘Wilkinson Bradbury’, e vendosur në Londër dhe monedhat e kohës u prodhuan nga ‘Zecca di Roma’ në Itali.

Shumë të realizuara për kohën duken…

Besa Prela: Këto emetime janë mjaft të realizuara estetikisht sepse kartëmonedha prodhoheshin nga ‘Wilkinson Bradbury’, që ishte një kompani londineze që vepronte dhe prodhonte për shtete të zhvilluara, ndërsa monedhat janë vepra të artistëve të mëdhenj italian siç është ‘Giuseppe Romagnoli’ dhe prodhohen në Zecca di Roma’ që vijon edhe sot.

Pas pushtimit Italian, çfarë ndodhi?

Besa Prela: Pas pushtimit italian monedha jonë, Franga dhe Leku, nuk u bazuan më në ar por në liretën italiane. Portretizimi dhe dizajni i tyre ndryshoi. Ai afrohet më shumë me monedhën dhe kartëmonedhën italiane dhe prodhohet ekskluzivisht në Itali. Monedha nuk u quajt më Franga Ar por Franga dhe nuk ka portretin e Ahmet Zogut por mban portretin e Viktor Emanueltit të Tretë. Monedha nuk është në metale të çmuar ar apo argjend por është në metal të thjeshtë. Kartëmonedha gjithashtu nuk ka më djem me veshje popullore të Shqipërisë së mesme dhe nuk përmban më pamje nga Shqipëria si përshembull Shkodra por përmban simbole të përdorura në kartëmonedhat italiane të Kohës. 

Kjo fazë përfundon me mbarimin e Luftës së dytë botërore. Si kudo nëpër Shqipëri, edhe Banka ndryshon rrënjësisht. Koncesioni i bankës së Shqypnis anulohet dhe Banka shtetëzohet. Ajo merr edhe një emër të ri, Banka e Shtetit Shqiptar e cila ka prodhimet e saj të monedhës dhe kartëmonedhës kombëtare.

Besa Prela: Në 1947 monedha jonë kombëtare nuk quhet më Franga por vetëm lekë. Seria kishte 5 prerje  1 mijë, 500 lekë, 100 lekë, 50 lekë dhe 10 lekë, dhe monedhat ½ lekë, 1 lekë dhe 5 lekë. Ky është prodhim i ish-Jugosllavisë dhe leku barazohet me ‘Denarin Jugosllav’. Përsëri imazhet ndryshojnë tërësisht. Tashmë kemi portretin e një ‘Partizani’ dhe vijon përsëri evoluimi i lekut me një prodhim të ri. Ky ndryshim ndodhi për  shkak të rënies së perdes së hekurt mes Shqipërisë dhe ish- Jugosllavisë. Pas kësaj miku i ri i Shqipërisë është Bashkimi Sovjetik, përsëri portretizohet lufta me Partizan, por portretizohen edhe veprimtari të ekonomisë shqiptare që në ato vite ishte agraro-industriale. Pra ju mund të shihni punët në bujqësi por ka pak edhe industri në kartëmonedhë.

Më 16 gusht 1965, filloi këmbimi i monedhës së vjetër në LEKË me monedhën e re në LEKË. Këmbimi u bë në raportin 10 lekë të vjetra me 1 lek të ri, pa asnjë kufizim, nga data 16 gusht deri më 15 tetor të 1965-ës.

Besa Prela: Një lekë i ri u barazua me 10 lekë të vjetër. Pra, ky 1 lekë kartëmonedhë u shkëmbye me 10 lekëshin e 1947. 

Nga këtu ka nisur përdorimi i termave ‘Lekë i ri apo i Vjetër’?

Besa Prela: Këtu ka nisur keqkuptimi, i cili ka 55 vite që  përdoret gabim. Mendojmë për arsye psikologjike, pasi llogaria kryhet shumë thjeshtë dhe njerëzit vijuan të flisnin me lekë të vjetra ndërsa llogarinë e bënin me lekë të reja.

Ishte koha e marrëdhënieve të acaruara me Bashkimin Sovjetik dhe e përqafimeve me kinezët. Kështu në vitin 1964 erdhi partia e parë e parave të prodhuara në Kinë. Në to portretizohej lufta e dytë botërore, punët industriale, njeriun e ri socialist.

Besa Prela: Mund të themi që është seria e Lekut e qarkulluar më gjatë në Shqipëri, nga vitet 1965 deri në fundin e viteve ’90.
Më pas është faza tjetër. Në fund të viteve ’80 bëhen disa tentativa për të prodhuar kartëmonedhën në vend. Ja arrijnë, por nuk vlerësohet si diçka e qëndrueshme dhe vetëm me këto prerje mbyllet prodhimi në vend.

Me fillimin e viteve ‘90, ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të këtij ndryshimi ishin: ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankat tregtare), rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare, si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun bankar. Në cilësinë e autoritetit monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë, e cila u krijua me miratimin e ligjit nr. 7559 "Për Bankën e Shqipërisë", datë 22 prill 1992, gëzon funksione të mirëfillta të një banke qendrore klasike, me objektivin kryesor që të garantojë arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe eficiencën e sistemit financiar. Këto janë prerjet e asaj periudhe, kartëmonedha 100 lekëshe sot ekziston vetëm në monedhë.

Besa Prela: Karakteristikë e kësaj periudhe e fillimit deri në vitin 1996 wshtw se ka prerje të njëjta me dizajn të ndryshme, 100 lekëshin mund ta shin me Fan Noli dhe me luftëtarin e panjohur te Odise Paskalit që është në Korçë.

Po pse bëhej një gjë e tillë?

Besa Prela: Kishte nevoje për para të re në qarkullim, pasi pati ndryshime ekonomike dhe nuk mendonin në një mënyrë kaq të rregullt sa bëhet sot. Kjo seri zgjat deri në 1996, në vitin 2008-2009 është shtuar prerja 2000 lekë dhe tashmë edhe prerja 10000 lekë. Kjo seri është që kemi aktualisht në qarkullim, numri më i madh i prerjeve të saj janë prodhuar në 1996.

Si është bërë e mundur ruajtja e monedhave dhe kartëmonedhave që kanë shënjuar historinë e kartëmonedhave në vend?

Besa Prela: Bankat kanë thesaret e tyre, çdo prerje që qarkullon ne vend, bankat e ruajnë dhe kështu janë trashëguar nga institucionet shqiptare apo dhe bankat qendrore brez pas brezi në thesare dhe kanë mbërritur deri në ditët tona.

Çfarë vlere kishin prerjet e 1926, çfarë mund të blije me to?

Besa Prela: Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, banka pasqyronte si kanë lëvizur çmimet gjatë viteve 39-43. Djathi në mars të vitit 1939 kushtonte 5 lekë në nëntori të 1943 ai kushtonte 117 lekë dhe kështu edhe për produkte të tjera jetike si vaji i u ullirit, nëse në mars të 1939 kushtonte 5 lekë në nëntor të 1943 kushton te 158 lekë. Pra vërejmë një rritje të çmimeve shumë të lartë që pasqyron zhvillimet e kohës që ishte Lufta e Dytë Botërore që sillte mungesë të produkteve në treg. 

Cila periudhë ka mungesa? 

Besa Prela: Ne kemi mungesa me fillimet e shekullit të 20, vitet e Luftës së Parë Botërore, vitet 1920, mungesat nuk janë shumë të mëdha por tek tuk ndonjë prerje mungon.

Çfarë procedure duhet të ndjek një qytetar për të sjellë një kartëmonedhë?

Besa Prela: Të paraqitet na bankë dhe do të informohet mbi rregullat specifike që banka ndjek, kjo do të bëhet në këmbim të pagesës dhe pastaj dhurimi është diçka tjetër.

Cila është kartëmonedha më e veçantë për ju?

Besa Prela: Unë jam shumë e dhënë pas kartëmonedhat, por do veçoja këtë 1 Frang pasi doli shumë shpejt nga qarkullimi, nuk u pranua nga shteti shqiptar sepse në simbolin e saj ka shqiponjën njëkrenare, nuk është simboli shqiptare me shqiponjën dykrenare. E vlerësoj nga ana historike dhe se pasqyron shumë mirë Fragu-ar ishte monedha kryesore kombëtare e barabartë me 5 lekë. Edhe 20 fragëshi më pëlqen dizajni që është xhamia e plumbit në Shkodër. Për mua është e përkryer dhe pasqyron Shqipërisë e mesit të viteve 20.

Prej datës 17 janar në qarkullim do të jenë dy kartëmonedha të reja të serisë së kartëmonedhave të emetuara nga Banka e Shqipërisë, prerja 500 lekë dhe prerja 2000 lekë. të dyja këto kartëmonedha do të jenë në duart e qytetarëve për të kryer shërbime paralelisht me kartëmonedhat që janë aktualisht në qarkullim. Për të shpjeguar të gjitha etapat e këtij procesi, të serisë së re do të flasim me Julind Gjipalin nga Departamenti i Emisionit në Bankën e Shqipërisë. 

Kur kemi prezantuar dy kartëmonedhat e para për publikim, Guvernatori tha se me këtë seri do ia bëjmë më të vështirë falsifikatorëve. Ja keni dalë me sukses?

Julind Gjipali: Elementët e sigurisë janë më të përparuarit në fushën e industrisë së kartëmonedhave aktualisht.

A ka pasur raste që kanë guxuar?

Julind Gjipali: Cilësia e falsifikimit të këtyre kartëmonedhave është shumë e dobët dhe janë disa raste që ne kemi vërejtur ne serinë e re në qarkullim.

Na thoni një element që kartëmonedhat e reja 500 lekë dhe 2000 lekë dallohen që janë të falsifikuara?

Julind Gjipali: Publiku e verifikon me prekje ku dallohet konsistenca e letrës së kartëmonedhës që ka përbërje të veçantë të pambukut, me prekje mund të dallojmë shtypin e ngritur që aplikohet te numrat, teksti dhe portreti. Vijat anësore janë të realizuar me printim të ngritur që u shërbejnë qytetarëve me aftësi të kufizuar shikimi për të kuptuar se çfarë prerje ka kartëmonedha. Qytetarët e tjerë mund të shohin në dritë në zonën e pa printuar dallohet figura e portretit kryesor të ndonëse së bashku me një stilizim të shqiponjës dhe vlerën nominale të kartëmonedhës. Stilizimi i elementit të shqiponjës quhet elementi i regjistrit të kartëmonedhës, ky kontur përputhet ekzaktësisht me shqiponjën nga ana e pasme dhe në rast falsifikimi është e vështirë të përputhet. metoda e tretë është lëvizja e ndryshimit të ngjyrës së fillit të sigurisë dhe figurës.

 

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 20/01/2022 11:18

    Mos u beni merak sepse ata qe falsifikojn kan lidhje me ju

    Përgjigju
  • Kambisti: 20/01/2022 10:02

    Falsifikimi i parave kryhet ne tere boten ďhe nuk po u kryeka ne Shqiperi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Qytetarët në Shkup protestojnë sërish kundër ndotjes së ajrit

Qytetarët në Shkup protestojnë sërish kundër ndotjes së ajrit