Në Pazarin e Vjetër të Korçës është inauguruar galeria “Etno Art”, një hapësirë e re kulturore që sjell pranë publikut vlerat e etnografisë, historisë dhe traditës korçare.

E konceptuar nga kostumografja dhe artizania Lirika Pojani, galeria përfaqëson një vazhdimësi të punës dhe përkushtimit të saj shumëvjeçar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. E vendosur në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, ajo synon të tërheqë jo vetëm turistët, por edhe të gjithë ata që duan të njohin më nga afër historinë dhe identitetin e Korçës.

“Kjo është një vazhdimësi e asaj që kam nisur. Është misioni im që vazhdon. Kjo galeri është aty ku duhet në zonën më të bukur dhe historike të pazarit të Korçës. Përcjell të gjitha ato xhevahirë që ka Korça në etnografi dhe histori.  Këtu do të gjejnë shtëpinë siç  i priste gjyshja.

Galeria është organizuar në tre ambiente të veçanta, ku vizitorët mund të eksplorojnë jetën rurale, komunitetet dhe traditat qytetare korçare. Kostumet popullore, objektet familjare dhe elementët autentikë të së kaluarës krijojnë një atmosferë nostalgjike, duke rikthyer kujtime dhe emocione të brezave të mëparshëm.

“Dua të tregoj si kanë punuar dhe përcjell traditën gratë korçare” tha ajo.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës i kushtohet grave korçare dhe rolit të tyre në ruajtjen e traditës, përmes punimeve artizanale, qëndisjeve dhe mjeshtërive të trashëguara ndër vite.

Në këtë hapësirë, tradita është ndërthurur me elementë modernë, duke sjellë folklorin korçar në një formë bashkëkohore dhe tërheqëse për publikun. Sipas krijueses së saj, ky kombinim synon ta bëjë më të afërt dhe më të kuptueshme pasurinë kulturore për brezat e rinj.

“Folku rri bukur me modernen. E bën më të këndshme për vizitorët” tha ajo.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Lirika Pojani u nderua me titullin “Mjeshtre”, një vlerësim për kontributin e saj në ruajtjen dhe promovimin e kostumografisë dhe traditës shqiptare. Në aktivitet morën pjesë artizanë nga qytete të ndryshme të vendit, të cilët vlerësuan punën dhe përkushtimin e saj ndër vite.