Protesta e disa qytetarëve kundër projektit të rikualifikimit të Sheshit të Flamurit, nuk ishte organizuar nga vlonjatët. Në tubimin me pak persona, organizatorë ishin disa banorë të Laprakës në Tiranë, që edhe më herët janë hetuar për manifestime për kauza të ndryshme.

Policia e Vlorës thotë se ka referuar në prokurori materialet procedurale për katër protestues, për organizimin e manifestimit të paligjshëm në Sheshin e Flamurit.

Orland Bazaj është një prej tyre. Veprimin e policisë e sheh si një tentativë për të shuar protestën, ndërsa paralajmëroi se do të marrë sërish pjesë në protestë në 7 prill.

Të tjerët janë Arben Abazaj, Anton Kola dhe Arben Kola, ky i fundit, aktivist që proteston me plis në tubime të ndryshme.

Në sheshin e Flamurit në Vlorë kanë nisur punimet për të vënë në jetë projektin që pritet ta rikualifikojë zonën ndërsa një godinë 15 katëshe qe shteti ia ka marrë privatit, pritet të kthehet në qendër social-kulturore dhe jo në hotel, siç pretendojnë përfaqësues të “Foltores” së Sali Berishës. Ndërtesa i është marrë biznesmenit Sulo Shehi, të cilin shteti e ka dëmshpërblyes me 8 milionë dollarë.

Zhvillues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërsa financuese e projektit nga Xavier de Geyter, i njëjti arkitekt belg që ideoi Lungomaren, është qeveria. Vlera e kontratës për zbatimin e këtij projekti është 818 milionë lekë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:19
Nën hetim penal pasi protestoi kundër projektit në Sheshin e Flamurit, flet Ornold Bazaj: Të bëjnë transparencë se çfarë po ndodh

Ornold Bazaj, një nga 4 protestuesit e vënë në hetim penal, pasi protestoi një ditë më parë kundër projektit për Sheshin e Flamurit në Vlorë, tha se do të vijojë që të protestojë, ndërsa procedimin e sheh si shenjë frikësimi për të shuar protestën. Ai ka theksuar se i është bashkuar pas thirrjes në rrjete sociale, thirrje që e ka bërë edhe vetë. Në datë 7 prill tha se do të jetë sërish në protestë.

‘Unë jam njoftuar nga postimet. Nuk kam asnjë njoftim nga institucionet për procedimin tim. Kam bërë detyrën time qytetarë dhe kam marrë pjesë në protestë. Kam bërë postime në rrjetet sociale, duke thënë se do marrë pjesë në protestë. Ne do të mblidhemi me 7 prill, dhe u bëj thirrje atyre që i thonë vetes shqiptarë duhet të vijnë këtu në Sheshin e Flamurit. Është një projekt që është paragjykuar nga të gjithë. Duhet të bëjnë transparencë çfarë po ndodh në Sheshin e Flamurit. Është urdhër për të trembur ato që duan të dalin në protestë.’- tha ai.