Nga Lazarati, te kriminaliteti
i jakave të bardha

Nga Lazarati, te kriminaliteti<br />i jakave të bardha
Pas një jave rresht të ndërhyrjes policore në Lazarat, tashmë po bëhet bilanci i këtij operacioni të suskseshëm, gjatë të cilit forca e dorës së shtetit u ndje si kurrë ndonjëherë kundër kriminalitetit të kultivimit, përpunimit dhe shpërndarjes së drogës, kundër këtij lloj kriminaliteti që shumëfishohej nga mbrojtja e tij me armë dhe strehimi brenda territorit të një fshati kaq problematik i personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo e shteteve të tjera.

Në këtë bilanc mund të përmendet asgjësimi i dhjetra tonelatave marijuanë e mbetur dhe e gatshme për t’u trafikuar, e mijëra fidanëve të bimës kanabis sativa të sapo mbjellë dhe zbulimi e shkatërrimi i disa laboratorëve të përpunimit të drogave të ndryshme. Këtij bilanci i përket edhe kapja e sekuestrimi i një inventari tronditës të armatimeve të lehta dhe të artilerisë së rëndë, të municioneve luftarake dhe pajisjeve logjistike, pa lënë të shënohet këtu arrestimi i plot personave që dyshohen të jenë përballur me policisë gjatë javës së shkuar, nëpërmjet një rezistence të armatosur. Dhe, pa dyshim, “kurora” e këtij operacioni konsekuent: kontrolli i çdo pëllëmbe të këtij territorit, përshkrimi i të cilit nga uniformat blu deri tani konsiderohej një tabu apo një blasfemi.

     Por, ajo që shtrohet nga shumëkush pas këtij suksesi emocionues të vendosmërisë dhe kapaciteteve qeveritare është pyetja: Mos vallë me një aksione, qoftë edhe të këtyre përmasave ka përfunduar lufta kundër krimit të organizuar? Kjo pyetje nuk shtrohet thjesht për asgjësimin e drogave nëpër territore të tjera të izoluara të vendit, sikurse as për hetimin dhe ndëshkimin e personave të dyshuar për këtë veprimtari të gjetur, të kapur, të verifikuar dhe të arrestuar në flagrancë.

Pra, nuk është fjala për ‘ta, sepse në pak ditë është krijuar besimi që në këto drejtime tashmë rrugët janë të hapura. Ajo çka kërkon të dijë opinioni publik, shprehur nëpërmjet pyetjes së mësipërme, më së shumti ka të bëjë me zbulimin dhe ndëshkimin e atyre individëve apo grupeve të pushtetarëve të kostumosur me jaka të bardha, të cilët për vite të tëra kanë lejuar që brenda një shteti unitar në mes të Evropës të kultivohen dhe përpunohen këtu droga të lehta dhe të forta, të mbrohet kjo veprimtari kriminale me armë, deri sa të mbërrijë në destinacionet e përcaktuara prej organizatave mafioze në rrafsh rajonal dhe global.

Në këtë plan, dyzimi në pritjen e një përgjigjeje të saktë, jo vetëm me deklarata retorike, por sidomos me veprime energjike nga të gjitha hallkat përgjegjëse, lehtësisht mund të kuptohet e lidhur me gjendjen ekonomike të shtetit dhe shoqërisë, e cila, sidoqoftë, nuk mund të justifikojë mosndëshkimin edhe të atyre zyrtarëve të lartë të shtetit që i hapën rrugë aktiviteteve kriminale të shumëfishta, si kjo e lidhur me banorë të Lazaratit.

Sigurisht, e pamundur është të izolohet raporti ndërmjet ekonomisë dhe kriminalitetit, nëse varfëria është gjithmonë variabël i këtij të fundit. Por, deri në çfarë pike kritike mund të jesh kriminel nga varfëria? Mund të jesh i varfër se je kriminel i paaftë, apo je bërë kriminel nga varfëria? Rezultatet e kërkimeve kriminologjike të deritanishme janë ndoshta zhgënjyese për ata që mund të prisnin, se kriminaliteti është pasojë e kushteve ekonomike jo të mira. Mirëpo, shumica e atudimeve për raportin ndërmjet ekonomisë dhe kriminalitetit kanë konfirmuar në përgjithësi mungesën e mbresëlënies së këtij raporti. Sikurse, edhe atë ndërmjet ciklit ekonomik dhe sjelljes kriminale, ku kërkimet e kriminogëve në zë (për shembull: Cook dhe Zarkin, 1985) kanë demonstruar se si në një afat kohor të gjatë nuk ka lidhje shkalla e kriminalitetit me ecurinë e ciklit ekonomik. Në këtë drejtim, autorë të ndryshëm janë përqendruar kryesisht në drejtime kryesore, pa shqyrtuar ato variabla më pak të rëndësishme.

Për shembull, nuk është konsideruar mjaftueshëm momenti i ciklit të punësimit, pra, kur ka ndërhyrë papunësia dhe kohëzgjatja e saj – aspekte këto të rëndësishme për të kuptuar më mirë raportet ndërmjet kushteve ekonomike dhe kriminalitetit, të cilat shumë agregate statistikore të mëdha nuk i kanë prezantuar.

     Mirëpo si në shumë vende të zhvilluara, edhe në Shqipërinë e varfër jemi ndeshur gjatë afro dy dekadave të fundit me kryerje të veprave penale, të cilat për subjektet që i kryejnë, për nga përmbajrtja e tyre dhe teknikat e përdorura u atribuohen në mënyrë direkte aktiviteteve ekonomike. Vepra penale të këtij karakteri dhe burimi kanë kryer nëpunës bankash në mashtrim të këtyre institucioneve financiare, për t’u pasuruar apo për të luajtur kumar; drejtues bankash që kanë pranuar të pastrohen para, nëpërmjet institucioneve që u janë besuar të administrojnë, konçensionarë dhe tregtarë që kanë ndotur edhe ujërat e lumenjve për të shmangur kostot e asgjësimit të mbetjeve industriale, funksionarë publik që pranojnë të korruptohen etj.

Për këtë vepër penale të fundit, tashmë dihet nga të gjithë që ajo është përcaktuar si dhënia apo marrja e parave ose e përfitimeve të tjera, që e shtyjnë një subjekt të kryejë veprime të kundraligjshme, të cilat vijnë në kundërshtim me detyrat e tij, zhdukin ose vonojnë një akt të zyrës së tij, nuk ushtrojnë pushtetin e duhur në zbatim të ligjit etj, etj. Ka autorë që arrijnë në konkluzionin, se shumë prej këtyre krimeve verifikohen gjatë periudhave të krizave ekonomike, për shkak të pamundësisë së individëve të caktuar për të ruajtur standardin e jetesës së mëparshme. Por, politikanët dhe ish pushtetarët shqiptarë asnjëherë nuk janë shfaqur me rënie apo me oshilacione në jetësën e tyre. Përkundrazi!

     “Wite collar crime” (Krimi i jakave të bardha) – kështu e ka quajtur qysh 74 vjet më parë kriminologu i famshëm amerikan, Edwin H. Sutherland, për të shpjeguar kriminalitetin ekonomik, duke e fokusuar vemendjen veçanërisht te pozicioni i autorëve të veprave penale në astrukturat e shoqërisë pëkatëse. Përsa u përket tipologjive të këtyre veprave, ai ka theksuar në një vepër të tij, se: “falsifikimi i bilanceve vjetore të shoqërive ekonomike – tregtare, mashtrimi në bursë, korrupsioni direkt ose indirekt i zyrtarëve publikë për të siguruar kontrata dhe vendime të privilegjuara, reklama mashtruese, mashtrime të natyrës tregtare, përvetësim i fondeve publike, mashtrim fiskal, parregullsi në falimentim etj.”.

Në vazhdim të kërkimeve të tij për kriminalitetin e strukturave të larta, ai e ka zhvendosur vëmendjen nga individi që kryen vepra penale me motiv ekonomik, në një kontekst më të gjerë, duke përfshirë dhe nënkuptuar në  përgjithësi biznese të ndryshme dhe struktura shtetërore të lidhura me ‘to. Përfaqësuesit tipikë të tyre, ai ka arritur t’i quajë edhe njëlloj si hajdutët profesionistë. Konkluzioni i Sutherland është se, autorët e këtyre veprave penale i kryejnë ato jo se vuajnë nga patologji të ndryshme, apo se janë të varfër, por se janë të vetëdijshëm për atë që bëjnë.

     Prirja që ka ekzistuar në vazhdimësi te ne, duke u zbuluar, veç të tjerash, mjaft skandale ekonomike dhe financiare apo dhënie konçensionesh, që e kanë dëmtuar rëndë ekonominë shqiptare, trafiqe të paligjshme të pashqetuara dhe të pandëshkuara, si edhe kontrata shtetërore me pasoja të rrezikshme, nuk mund të mos na lejojë të shprehemi se, nga njëra anë kriminaliteti i organizuar kryen përherë e më tepër vepra penale me natyrë ekonomikë, dhe nga ana tjetër, autorët e veprave penale të wite collar ofrojnë bashkëpunimin e tyre me krimin e organizuar tradicional.

Në dritën e zhvillimeve të fundit, duke përfshirë këtu edhe gjithçka ka ndodhur dhe ndodh përpara apo edhe gjatë operacionit të fundit të Policisë së Shtetit në Lazarat, nuk është çudi t’i referohesh edhe këtij lloj kriminaliteti dhe kësaj lloj lidhjeje, duke e përcaktuar atë jo vetëm të lejuar nga ish zyrtarët e lartë shqiptarë, por edhe të mbështetur prej tyre. Në këtë kuptim, pyetja që cituam në fillim të këtij komenti është natyrisht e ligjshme dhe përbën një sfidë, për të ulur sjelljet e paligjshme dhe për të zhvilluar vendosmërisht politikat penale dekurajuese dhe reputacionale të kryerjes së krimit. Në një kohë që duhen rritur iniciativat ekonomike jo vetëm për ata persona dhe ato familje që këtej e tutje detyrohen të mësohen për të jetuar veprimtari legale, por edhe për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila pret nga shteti gjithnjë e më shumë masa efikase në të gjitha drejtimet.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD-së/ Pjesëmarrje e ulët te Zogu i Zi, policia orienton drejtuesit e automjeteve të kalojnë në rrugë dytësore

Protesta e PD-së/ Pjesëmarrje e ulët te Zogu i Zi, policia orienton drejtuesit e automjeteve të kalojnë në rrugë dytësore