Shqipëria dhe Kosova po forcojnë bashkëpunimin në fushën e doganave, me synimin që mallrat të kalojnë më shpejt dhe bizneset të përballen me më pak kosto e më pak pritje në kufi.

Për këtë arsye Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja, priti të mërkurën homologun e tij nga Kosova, Agron Llugaliu. Ky ishte takimi i parë zyrtar i Bejës pas marrjes së detyrës.

Gjatë bisedës, të dy drejtuesit vlerësuan marrëdhëniet mes dy administratave si të qëndrueshme dhe me rezultate konkrete për tregtinë dhe ekonominë e dy vendeve.

Beja theksoi se digjitalizimi i shërbimeve doganore mbetet prioritet për administratën shqiptare. Sipas tij, zgjerimi i shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe avancimi i sistemeve të përbashkëta digjitale do të ndikojnë në përshpejtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe forcimin e kontrollit kundër paligjshmërisë.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte prania e Doganës së Kosovës në Porti i Durrësit, e cilësuar nga të dy palët si një vlerë e shtuar strategjike që ka lehtësuar procedurat dhe ka rritur efikasitetin për bizneset.

Llugaliu u shpreh se hapja e Zyrës Doganore të Kosovës në Durrës ka sjellë përpunim më të shpejtë të mallrave, kursim kohe dhe ulje të kostove për operatorët ekonomikë kosovarë.

Në fokus ishte edhe funksionimi i pikës së përbashkët “One Stop Shop” në Morinë, që sipas palëve ka ndikuar në rritjen e volumit tregtar dhe të fluksit të pasagjerëve, duke shkurtuar kohën e pritjes dhe kostot për bizneset.

Takimi u mbyll me angazhimin për të vijuar iniciativa të përbashkëta që synojnë lehtësimin e tregtisë dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të dy vendeve.