Për më shumë se 33 vjet, Jensen Huang qëndroi në krye të Nvidia, kompanisë që bashkëthemeloi në vitin 1993 dhe që në korrik 2025 arriti një vlerë tregu prej 4 trilionë dollarësh, duke u bërë e para kompani e listuar në bursë që kapte këtë shifër. Por më 12 nëntor 2026, ai dha dorëheqjen pas zbulimit të një lidhjeje jashtëmartesore me një grua që dyshohet se i përcillte informacione inteligjencës kineze.

Kush është Alice Huang, çfarë lidhjeje kishin bizneset e saj miliardëshe me Nvidia dhe pse edhe presidenti amerikan Donald Trump ishte informuar për marrëdhënien e tyre, kjo është kronologjia e ngjarjeve që çuan në dorëheqjen e 'yllit të inteligjencës artificiale'.

Nëntor 2015 – Alice Huang hyn në botën e investimeve

Alice Huang, më parë gazetare televizive në Kinë, nis punë si zëvendësdrejtore e përgjithshme në kompaninë e investimeve “Shanghai Hexi Investment Management”.

Sipas të dhënave të publikuara në rrjetet sociale dhe në bazën kineze të të dhënave financiare Simuwang, kompania ishte themeluar nga Kang Wei, i cili më vonë u bë bashkëshorti i saj, siç ka raportuar Wall Street Journal.

Mars 2023 – Alice Huang merr drejtimin e Megaspeed

Kompania “7Road International”, e regjistruar fillimisht në Singapor në vitin 2015, ndryshon emrin në “Megaspeed”.

Pronësia e kompanisë, e cila merret me shërbime kompjuterike në distancë dhe qendra të të dhënave, i kalon “Huang Le Ltd.”, një biznes i kontrolluar nga Alice Huang. Ajo merr postin e drejtoreshës menaxhuese.

Qershor 2023 – Themelohet një tjetër kompani në Kinë

Në Kinë krijohet kompania e shërbimeve kompjuterike “Shanghai Century Litong”.

Një kompani e lidhur me motrën e Alice Huang, Huang Yu, zotëronte një pjesë të aksioneve të saj.

Tetor 2023 – Nvidia i jep përparësi kompanisë kineze

Nvidia e përzgjedh “Shanghai Century Litong” si partnere të preferuar për shërbimet kompjuterike në distancë.

Sipas medias The Information, ky status i jepte kompanisë kineze përparësi në sigurimin e çipave të Nvidia.

Rreth nëntorit 2023 – Ndryshon pronësia e Megaspeed

Aksionet e Megaspeed transferohen te një tjetër kompani me bazë në Singapor, e quajtur “Swiftdata”.

Sipas medias Caixin Global, Alice Huang nuk figuron më si drejtuese e kompanisë.

7 qershor 2024 – Jensen Huang dhe Alice Huang fotografohen së bashku

Kompania e teknologjisë “NetThunder” publikon në rrjetet sociale një fotografi ku Jensen Huang dhe Alice Huang shfaqen së bashku me drejtues të tjerë të sektorit të teknologjisë.

Fotografia është realizuar në një lokal në Taipei, në Tajvan.

Fundi i vitit 2024 – Biznesi i Megaspeed rritet në miliarda dollarë

Asetet e Megaspeed rriten nga 33 milionë dollarë në vitin 2023 në 3 miliardë dollarë në vitin 2024, sipas dokumenteve financiare të shqyrtuara nga Reuters.

Ndërkohë, të dhënat e transportit për periudhën dhjetor 2024 deri në fillim të vitit 2026, të analizuara nga kompania Culper Research, sugjerojnë se dega malajziane e Megaspeed, “Speedmatrix”, importoi produkte me vlerë rreth 4 miliardë dollarë nga një kompani që prodhon pajisje me çipa Nvidia.

Fillimi i vitit 2025 – Alice Huang dhe bashkëshorti kërkojnë investitorë

Alice Huang dhe bashkëshorti i saj, Kang Wei, u prezantojnë investitorëve kinezë një projekt për ndërtimin e një qendre të dhënash në Azinë Juglindore.

Sipas Financial Times, ata u kishin thënë investitorëve se nuk kishin “asnjë problem për të siguruar GPU”, pra procesorët grafikë që prodhon Nvidia.

Ata kishin përmendur gjithashtu Alibaba si klient.

31 janar 2025 – Jensen Huang takohet me Donald Trump

Jensen Huang zhvillon një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ky është takimi i parë nga disa takime që drejtuesi i Nvidia do të zhvillonte me Trump gjatë mandatit të tij të dytë presidencial.

Shkurt 2025 – Singapori nis hetimet ndaj Megaspeed

Autoritetet e Singaporit nisin hetime ndaj Megaspeed dhe disa kompanive të tjera. Sipas Bloomberg, dyshimet lidhen me deklarime të rreme gjatë blerjes së serverëve dhe shkelje të tjera të mundshme.

22 maj 2025 – Një tjetër video e Huang me Alice Huang

Jensen Huang dhe Alice Huang filmohen së bashku gjatë një darke në restorantin “San Liu Shi Fu”, në Taipei.

Takimi zhvillohet në periudhën kur në Tajvan mbahej konferenca e teknologjisë Computex.

Korrik 2025 – Nvidia merr miratimin për të shitur çipa në Kinë

Jensen Huang njofton se administrata Trump ka miratuar shitjen në Kinë të çipave të avancuar H20, të përdorur për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Vendimi shënon një ndryshim nga politika e mëparshme e administratës amerikane.

“Ka kaq shumë inovacion dhe dinamizëm këtu në Kinë, sa është shumë e rëndësishme që kompanitë amerikane të mund të konkurrojnë dhe t'i shërbejnë këtij tregu”, deklaronte Huang. Po atë muaj, Nvidia bëhet kompania e parë e listuar në bursë që arrin një vlerë tregu prej 4 trilionë dollarësh.

Shkurt 2026 – Arrestohet bashkëshorti i Alice Huang

Policia kineze ndalon Kang Wei, bashkëshortin dhe partnerin e biznesit të Alice Huang. Sipas burimeve të cituara nga Caixin, ndalimi lidhet me dyshime për manipulim të aksioneve në bursë.

Po atë muaj, Singapori i ndalon Alice Huang hyrjen në vend. Sipas Bloomberg, masa merret pasi ajo kishte minimizuar rolin e saj në Megaspeed, ndërkohë që autoritetet po hetonin veprimtarinë e kompanisë.

12 maj 2026 – Jensen Huang udhëton me Trump drejt Pekinit

Jensen Huang hipën në avionin presidencial amerikan, Air Force One, në Alaskë, për të shoqëruar Donald Trump në një vizitë dyditore në Pekin.

Sipas New York Times, përpara udhëtimit, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte informuar Trumpin për rrezikun e kundërzbulimit që paraqiste marrëdhënia e Huang me Alice Huang.

Gazeta raportoi se kjo ishte hera e dytë që presidenti amerikan informohej nga shërbimet e inteligjencës për marrëdhënien e drejtuesit të Nvidia.

24 shtator 2026 – Huang merr pjesë në darkën e Trump me presidentin kinez

Jensen Huang merr pjesë në darkën shtetërore që Donald Trump organizon në Shtëpinë e Bardhë për presidentin kinez Xi Jinping.

29 shtator 2026 – Huang rikthehet në Shtëpinë e Bardhë

Drejtuesi i Nvidia merr pjesë në një aktivitet për inteligjencën artificiale në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë aktivitetit, ai nënshkruan një grup standardesh vullnetare për sigurinë e inteligjencës artificiale, në një kohë kur po shtoheshin kërkesat për rregulla më të forta në këtë sektor.

8 nëntor 2026 – Shpërthen publikisht skandali

Jensen Huang u dërgon një mesazh punonjësve të Nvidia, ku pranon se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore. Po atë ditë, bordi drejtues i kompanisë njofton nisjen e një hetimi të pavarur, pas raportimeve se drejtuesi ekzekutiv mund të kishte qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj.

New York Times publikon një investigim sipas të cilit të dhënat e mbikëqyrjes së qeverisë amerikane sugjeronin se Alice Huang i përcillte informacione drejtpërdrejt Pekinit.

9 nëntor 2026 – Trump mbron publikisht Jensen Huang

Gjatë një konference të papritur për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump deklaron se kishte folur me Jensen Huang. Sipas presidentit, Huang i kishte thënë se nuk kishte qenë në dijeni të lidhjeve të Alice Huang me shërbimet kineze të inteligjencës.

Trump e cilëson drejtuesin e Nvidia si një “njeri të ndershëm” që “vërtet po vuan ”. I pyetur se kur kishte mësuar për herë të parë për dyshimet e spiunazhit, Trump nuk jep një datë të saktë. Ai përgjigjet se kishte marrë dijeni “jo shumë kohë më parë” dhe se çështja “nuk kishte pasur ndonjë ndikim të madh” tek ai.

11 nëntor 2026 – Zbulohet një tjetër lidhje jashtëmartesore

New York Times raporton se Jensen Huang kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore edhe me Kimberly Powell, një drejtuese të Nvidia.

Ky është skandali i dytë personal që bëhet publik brenda pak ditësh.

12 nëntor 2026 – Jensen Huang jep dorëheqjen

Bordi drejtues i Nvidia njofton se Jensen Huang ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtorit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm.

Largimi vjen katër ditë pasi ai kishte pranuar publikisht lidhjen jashtëmartesore dhe pas nisjes së hetimit të pavarur nga kompania.

15 nëntor 2026 – Megaspeed mohon shkeljet

Kompania Megaspeed publikon një deklaratë ku sqaron se Alice Huang ishte larguar nga kompania në gusht 2025.

Ajo mohon çdo shkelje dhe deklaron se “zhvillon veprimtari biznesi të ligjshme”. Megaspeed shton se nuk komenton çështjet personale dhe private të Alice Huang.

Po sot, sipas Financial Times, Jensen Huang po shqyrton mundësinë e rikthimit në drejtimin e Nvidia, vetëm pak ditë pas dorëheqjes. Gazeta raporton se ai po përpiqet të bindë bordin e kompanisë, me ndihmën e disa aleatëve me ndikim në Silicon Valley, dhe po kërkon mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë.