Në fillimet e viteve 2000 nisi karrierën në boksin profesionist, duke u shndërruar më pas në një prej boksierëve më të dashur dhe më të komentuar në Shqipëri. Ai është Kreshnik Qato, nga të parët shqiptarë që mbushi arenat me mijëra tifozë. Një boksier që njihej për elegancën dhe teknikën e lartë në ring, duke regjistruar një karrierë të suksesshme me plot 30 fitore në peshat e mesme.
Sot, 44 vjeç, Qato jeton në Angli së bashku me familjen, ku sërish boksi mbetet pjesë e pandarë e jetës së tij. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-boksieri durrsak rrëfen momentet më të bukura dhe më emocionuese në kohën kur ka qenë në ring.
“The Eagle” apo “Shqiponja”, siç njihej në ring, kujton se si institucionet shqiptare e mashtruan vetëm një ditë para në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të karrierës, ku do të përfaqësonte flamurin kuqezi. Qato ka një përgjigje edhe për ata persona që asokohe pretendonin se duelet e tij nuk ishin të vërteta, ndërsa gjithashtu komenton edhe aktualitetin e boksit profesionist shqiptar, teksa tregon të përbashkëtën mes tij dhe Florian Markut.
Kreshnik, si po shkon jeta juaj në Angli? Na tregoni diçka më tepër rreth vetes apo familjes suaj?
Që nga ndërprerja e ndeshjeve profesioniste, unë kam filluar karrierën si trajner boksi për moshat e reja, si dhe trajner personal. Palestra dhe stërvitja akoma zënë pjesën më të madhe të përditshmërisë sime duke mos lënë mbrapa edhe familjen. Tashmë jam i martuar prej 21 vitesh dhe baba i dy fëmijëve, që tani janë në universitet këtu në Angli.
Pra, vazhdoni të jeni sërish pranë boksit…
Në vitin 2014, sapo përfundova karrierën e sportit vendosa t’i përkushtoj kohën time hapjes së një palestre boksi. Mendova, pse mos të jem në “shërbim” të komunitetit ku jetoj, duke pasur një eksperiencë shumë të pasur, është gjëja më e mirë që t’ua kaloj eksperiencën time brezave të rinj.
Vite më parë keni pasur një popullaritet të jashtëzakonshëm, duke qenë prej të parëve boksierë që mbushnit sallat në Shqipëri. Si i kujtoni ato kohë?
Sigurisht që emocionet kanë qenë të paimagjinueshme, çdo kohë ka atë emocionin e vet. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, ka plot njerëz që më ndalojnë dhe më kërkojnë të flasin qoftë dhe të më përshëndesin. Më thonë jo vetëm si boksier që ke qenë shumë i mirë, por dhe nga thjeshtësia si njeri, duke pasur parasysh që ringu të tregon pak të vrazhdë, pasi boksi është sport shumë i fortë dhe me disiplinë të rreptë.
Sigurisht që nuk mundet ta lë pa përmendur z. Ylli Ndroqi, si ish-president i boksit profesionist, i cili ka qenë një mbështetës shumë i rëndësishëm për sa i përket karrierës sime, po gjithashtu edhe në ngritjen e imazhit të boksit profesionist shqiptar nëpër botë.
Cila ka qenë ndeshja më e bukur që ju ka mbetur në mendje? Po ajo më e vështira?
Emocionet më të bukura dhe po ashtu zemërthyese kanë qenë në Krime të Ukrainës për titullin tim të parë për Europën Lindore në vitin 2004. Pasi kërkova mbështetje për të përfaqësuar Shqipërinë në arenat ndërkombëtare, institucionet e asaj kohe të boksit më premtuan shumë, por kur erdhi dita që do të nisesha për në Ukrainë m’i mbyllën kontaktet dhe shpenzimet për të ikur atje i pagova të gjitha vetë, së bashku me trajnerin që kisha në Londër, Luigi Leo.
Kam pasur dy momente emocionuese shumë të mëdha, e para në dhomën e nxehmjes përpara ndeshjes, ku isha vetëm dhe përpara vetes kisha flamurin kuqezi, të cilin e shtrëngoj fort dhe i them me zë të lartë, ty të kam shokun më të mirë dhe të premtoj që s’do të të lë kurrë vetëm. Ndërsa momenti i dytë ishte mbasi mbarova ndeshjen dhe mora një fitore shumë bindëse, trajneri im ngjitet në ring dhe këndon himnin tonë kombëtar që unë të mos ndihesha vetëm.
Keni qenë një boksier shumë i dashur, kjo ndoshta edhe për teknikën apo stilin që tregonit në ring…
Unë kam pasur fatin që kam qenë shumë i disiplinuar në sport, për këtë kam pasur fatin të jem nga sportistët e parë që të kem mbaruar gjimnazin në Durrës te Mjeshtëria Sportive në disiplinën e boksit në vitin 1997, me trajner Dylaver Çobën, i cili na edukonte të ishim njerëz me disiplinë sportive. Pas gjimnazit arrita që të kapja mesataren dhe provimet për të vazhduar Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe mendoj që të dyja këto edukime bashkë më dhanë edhe sigurinë në komunikimin tim me njerëzit, pastaj sigurisht që “fjalët” e mia kanë qenë më shumë në ring.
Ndërkohë, nuk kanë munguar as zërat për ndeshjet tuaja, me njerëz që pretendonin se ato nuk ishin të vërteta? Ashtu sikurse ndodh me shumë sportistë në boksin profesionist… Keni ndonjë përgjigje për ta?
Nuk i vë faj as edhe një personi që mund të ketë shprehur ndonjë fjalë negative. Në atë kohë nuk e ka imagjinuar kurrë njeri që të rezistoj 12 raunde boks, aq më shumë boksier shqiptar, por sigurisht që fjalët e mia kanë qenë vetëm në katrorin magjik, në ring. Pastaj, ashtu siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore, “Pema që ka fruta qëllohet me gurë”, kështu që edhe nëse ka pasur komente negative, besoj në atë kohë mua më kanë forcuar edhe më shumë për të bërë përpara.
A e ndiqni aktualitetin e boksit në Shqipëri dhe cili është opinioni juaj për boksierët profesionistë shqiptarë?
Sigurisht që i ndjek me vëmendje dhe interes. Vendi ynë ka shumë boksierë cilësorë e me nivel të mirë dhe u uroj që një ditë të realizojnë ëndrrën e tyre, si dhe të ngrenë imazhin e boksit profesionist shqiptarë nëpër botë.
Një boksier shumë popullor dhe po aq i diskutuar, aktualisht është Florian Marku. Cili është mendimi juaj për të?
Kam respekt për Markun, pasi si sportist është shumë kërkues ndaj vetes dhe jam shumë krenar për të që ngre imazhin e boksit profesionist shqiptar nëpër botë.
Ashtu sikurse ju, edhe Marku jeton dhe stërvitet në Londër, e gjithashtu mbush arenat me mijëra tifozë shqiptarë. Pra, keni disa të përbashkëta…
Jam i sigurt që si në kohën time, kur unë kam boksuar, po ashtu dhe Marku tani, kemi të njëjtin qëllim: që imazhi i boksit profesionist shqiptar të ngrihet sa më shumë në mbarë botën.
A mund ta quajmë Markun si pasardhësin tuaj në ringun kuqezi?
Çdo sportist përfaqëson vlerat e tij në kohë të ndryshme, unë si pasardhësin tim shikoj djalin tim Nikola, i cili është 18 vjeç dhe është aktivizuar në 50 ndeshje si boksier amator dhe gjithashtu është shpallur kampion i Londrës. U uroj të gjithë sportistëve shqiptarë kudo që ndodhen nëpër botë të na japin sa më shumë emocione./Panorama Sport