Në Konferencën për Inteligjencën Artificiale për vendet në zhvillim, e zhvilluar në selinë e OKB-së në Bangkok, CEO i Acromax, Aldor Nini, prezantoi moderatoren virtuale Akila dhe modelin e monitorimit të sistemit të drejtësisë me Inteligjencë Artificiale.
Gjatë prezantimit të tij, Nini paraqiti vizionin për përdorimin e Inteligjencës Artificiale jo vetëm si mjet teknologjik, por si instrument për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
Në këtë kuadër u prezantua Akila, moderatorja virtuale e ndërtuar me teknologji të avancuara AI, e cila do të drejtojë një podcast informativ ku do të raportohen lajme dhe çështje me rëndësi publike. Podcasti do të publikohet në kanalin ArkivaShqip në YouTube. Sipas Ninit, një host virtual nuk mund të frikësohet, të ndikohet apo të intimidohet, duke garantuar një komunikim të qëndrueshëm dhe të pavarur.
Pjesa qendrore e prezantimit ishte modeli i monitorimit të sistemit të drejtësisë me AI, i cili mban titullin e brendshëm të punës “RoboCop”, i frymëzuar nga filmi i njohur ku një polic gjysmë njeri dhe gjysmë robot lufton kundër një sistemi të korruptuar.
Ky prototip është projektuar për të analizuar brenda sekondave veprime dhe vendime të policisë, prokurorisë dhe gjyqtarëve, duke identifikuar mospërputhje të mundshme me ligjin dhe procedurat. Sistemi synon të funksionojë si një shtresë shtesë transparence mbi vendimmarrjen institucionale, duke e bërë atë të analizueshme dhe të verifikueshme në kohë reale.
Modeli parashikohet të jetë i aksesueshëm jo vetëm për institucione mbikëqyrëse, por edhe për persona të akuzuar nga sistemi i drejtësisë apo familjet e tyre, të cilët mund ta përdorin për të verifikuar nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe për të identifikuar shkelje të mundshme brenda sekondave.
“Inteligjenca Artificiale nuk duhet të zëvendësojë drejtësinë por ta bëjë atë më transparente,” theksoi Nini gjatë fjalës së tij.
Prezantimi në OKB e vendosi këtë qasje në kontekstin e debatit ndërkombëtar mbi rolin e Inteligjencës Artificiale në forcimin e institucioneve dhe në rritjen e besimit publik, veçanërisht në vendet në zhvillim./ ArkivaNews
Komente











