Pas një jave përplasjesh politike, deklaratash të forta dhe akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama, Elisa Spiropali ka zgjedhur gjuhën e poezisë për të uruar shqiptarët në 114-vjetorin e Pavarësisë.
Këtë 28 Nëntor, deputetja, tashmë jashtë grupit parlamentar socialist, është shfaqur së bashku me fëmijët e saj, duke zgjedhur vargjet e Lasgush Poradecit,
“Hija ime nuk di dhunë,
Di veç frymëzim lirije,
Dhe di punë, punë, punë,
Mund pa fund për art magjije.”
Në një tjetër moment të karrierës së saj politike, zgjedhja e këtyre vargjeve mund të lexohej thjesht si një urim për festën kombëtare. Por në kontekstin e përplasjes së saj me Edi Ramën dhe përjashtimit nga grupi parlamentar socialist, vargjet e Lasgushit marrin edhe një tjetër kuptim.
Veçanërisht domethënëse janë vargjet me të cilat nis poezia:
“Ju më lini të flas unë,
T’u them fjalë vjershërije,
Në bunacë a në furtunë
Të këndoj siç më ka hije.”
Vetëm pak ditë më parë, Spiropali kritikoi publikisht mungesën e debatit të brendshëm në Partinë Socialiste, përqendrimin e pushtetit dhe personalizimin e partisë.
Në reagimet që pasuan largimin e saj nga strukturat drejtuese të PS-së, ajo iu referua krijesave mitologjike, dhisë së malit dhe figurave historike si Kleopatra, për të shprehur vendosmërinë e saj për të mos u dorëzuar.
Këtë herë, në vend të metaforave të forta me të cilat iu përgjigj kundërshtarëve të saj politikë, Spiropali ka zgjedhur vargjet e një prej poetëve më të mëdhenj shqiptarë. Urimi vjen gjithashtu pak ditë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se Spiropali tashmë është një njeri i lirë në jetën politike dhe se nuk është më e detyruar të ndjekë atë apo Partinë Socialiste.
Në ditën e Flamurit, Spiropali ka zgjedhur të flasë për lirinë përmes Lasgushit, duke e ndërthurur urimin familjar me vargje që, në rrethanat e saj aktuale politike, lënë hapësirë edhe për një lexim politik.
Lajmi kryesor:
Politika uron 114 vite shtet, Rama: Më afër BE se kurrë! Rubio: Partneritet i fortë! Veliaj e Meta urojnë nga qelia, mesazhe edhe nga Kosova e NATO









