Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë raportin vjetor për 2025-ën, duke listuar edhe disa nga shkeljet e konstatuara gjatë auditimeve.
Shehu tha se dëmi ekonomik në vitin 2025 përllogaritet në vlerën 26.2 miliardë lekë, ndërsa shkelje janë verifikuar në menaxhimin e shpenzimeve, tek shpronësimi, përdorimi i pronës shtetërore e deri tek tenderat. Kreu i KLSH u ndal tek auditimet në sektorin e shëndetësisë.
“Në shëndetësi janë evidentuar në kontrollin e monitorimin e medikamenteve të rimbursueshme, përfshirë depot farmaceutike, mjekët e farmacitë. Probleme në furnizimin me barna, mungesa të zgjatura, raste të shpërndarjes së barnave spitalore në kundërshtim me aktet ligjore”, tha Shehu.
Sipas kreut të KLSH-së në vend vijon të paraqitet shumë problematike edhe situata me menaxhimin e pronave shtetërore dhe inventarizimin e tyre.
“Proceset inspektuese të zonave të mbrojtura nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë dhe të dokumentuar dhe për disa zona të mbrojtura planet e menaxhimit janë aktualisht në fuqi, për pjesën tjetër i vlefshmërisë dhe zonat nuk janë regjistruar në zyrat e Kadastrës”, pohon ai.
Sa i takon sigurisë ushqimore, Shehu e vuri theksin tek mungesa e akreditimit të laboratorëve për analizat e produkteve ushqimore.
“Kontrolli për sigurinë ushqimore ka mangësi thelbësore dhe sistematike përgjatë gjithë zinxhirit, nga importit, inspektimi, analizat etj. Ka pasur vonesa në veprime nga reagime zyrtare. Ka mungesë akreditimi të laboratorëve dhe vetëm gjysma e tyre disponojnë teste të akredituara”, tha kreu i KLSH.
Po për sigurinë ushqimore deputeti i PS-së Erion Braçe tha se po pret përgjigje të analizave nga jashtë vendit për urenë që përdoret në shqipëri nga fermerët, pasi laboratorët vendas për të njëjtin produkt kanë nxjerrë dy rezultate.
“Ka ndodhur një rast me fertilizantë që janë jashtë standardit, që është ureja. Unë disponoj thasë që demonstrojnë të njëjtën gjë që është një mashtrim shumë i qartë me përmbajtjen e fertilizantëve, dhe 3 ditë më pas AKU thotë s’ka asnjë gjë se i analizuam ne në të njëjtin laborator ku i kisha analizuar edhe unë kjo tregon se ka një problem shumë të madh në atë institucion, që është klientelizimi. Unë po pres përgjigjet nga laborator reference jashtë vendit dhe do ua vë në dispozicion me kërkesën për të ushtruar kontroll në këtë institucion për këtë qëllim”, tha Braçe.
Braçe kërkoi auditim edhe për matësit e karburanteve, pasi qytetarët po mashtrohen me litrat që blejnë.
“Më mori tjetri në telefon dhe më tha makina ime merr 55 litra gaz, kuponi që kishte në dorë tregonte furnizim 73 litra, ishte zënë me atë të pompës atje por ky është një problem masiv, këtë shërbimin e kalibrimit të instrumenteve matës e kemi dhënë me koncesion”, tha Braçe.
Gjatë 2025-ës KLSH ka dhënë 916 masa disiplinore, 59 gjoba dhe kanë rezultuar 722 veprime të kryera nga institucionet me pasoja financiare në dëm të buxhetit. Për shkeljet e konstatuara nga institucionet dhe agjencitë, KLSH thotë se ka bërë 8 kallëzime penale, për rastet ku auditimi zbuloi shkelje të rënda të ligjit si dhe i janë dërguar organeve ligjzbatuese, edhe 43 materiale të tjera për çështje që kërkojnë hetime të mëtejshme.
Komente











Siguria ushqimore është shqetsuese. Nuk dimë çfarë hamë pastaj ankohemi për sëmundjet që shfaqen.
PërgjigjuO Brace me je bere Si neomalsorja
Përgjigju