TIRANE-  Pas një testimi gjashtë mujor, prej kësaj të shtune, 4 janar, autostrada 21 km e gjatë Kashar -Thumanë që lidh kryeqytetin me Veriun e vendit përshkohet me pagesë, për të gjithë ata që udhëtojnë me motor, autovetura, autobusë dhe kamionë. 

Nga Kashari në Thumanë dhe anasjelltas drejtuesi i një makine të vogël paguan 2.5 euro, (aktualisht 250 leke) vetëm për një kalim siç dëshmon edhe fatura. Drejtuesit e automjeteve që kaluan të parët në autostradën me pagesë thanë se punimet janë kryer pa cilësi nga koncesionari Gener 2, ndaj taksa është e pajustifikuar.

Kompania koncesionare e biznesmenit afër Berishës, Bashkim Ulaj, që ka ndërtuar dhe mirëmban këtë rrugë, paralajmëroi në mes të dhjetorit se nga data 4 janar niste zbatimin e tarifës së miratuar,  e cila fillonte nga 2.5 euro me TVSH.

Pagesa 2.5 euro për 21 kilometrat e rrugës, është vetëm për një kalim, pasi në kthim,  drejtuesit e automjeteve do duhet të paguajnë sërish të njëjtën vlerë, pra në total vajtje-ardhje Kashar-Thumanë kushton 5 euro.

Tarifat sipas mjetit ne Thumane Kashar 
Kompania koncesionare ka sqaruar se tarifat që do të aplikohen do t’i referohen kursit të Bankës së Shqipërisë për konvertimin nga euro në lekë. Ndërkohë tarifat do të diferencohen sipas kategorisë së mjetit.

Tarifat sipas mjetit
Kategoria 1
Motocikletat
Paguajnë 70% të vlerës bazë prej 2.5 Euro.
Tarifa përfundimtare: 1.75 Euro (rrumbullakosur në 1.8 Euro) ose 170 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
B. Kategoria 2:
Autoveturat (tarifa bazë)
Tarifa bazë: 2.5 Euro me TVSH.
Konvertuar në Lekë: 250 Lekë (me kursin EUR/ALL 1:98).
C. Kategoria 3:
Mjete me 2-3 akse dhe lartësi mbi 2.2 metra
Paguajnë 250% të vlerës bazë.
Tarifa përfundimtare: 6.25 Euro (rrumbullakosur në 6.3 Euro) ose 620 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).
D. Kategoria 4:
Mjete me 4 ose më shumë akse
Paguajnë 350% të vlerës bazë.
Tarifa përfundimtare: 8.75 Euro (rrumbullakosur në 8.8 Euro) ose 870 Lekë (sipas kursit EUR/ALL 1:98).

 Çmimet për Rinas - Kashar e Rinas - Thumanë
Shqiptarja.com dhe Report Tv sjell çmimet e afishuara për degëzimin që lidh Rinasin me Kasharin dhe Rinasin me Thumanën ose anasjelltas. Ata që udhëtojnë me automjet të lehtë nga Tirana drejt aeroportit të Rinasit, dhe anasjelltas paguajnë 80 lekë. Ndërsa kushdo që lëviz nga Veriu drejt Rinasit dhe anasjelltat, me automjet të vogël paguan 170 lek.

Shikoni tabelen e çmimeve nga Rinasi për në Kashar dhe anasjelltas

1735982109_listaetrautthumanekashar.jpg

Foto: Tabela e çmimeve nga Rinasi për në Kashar

Tabela e çmimeve nga Rinasi për në Thumanë dhe anasjelltas 

1735983158_rinasthumanetrau.jpg

Foto: Tabela e çmimeve nga Rinasi për në Thumanë dhe anasjelltas

5 euro Thumane - Kashar vajtje ardhje

Pagesa 2.5 euro për 21 kilometrat e rrugës, është vetëm për një kalim, pasi në kthim,  drejtuesit e automjeteve do duhet të paguajnë sërish të njëjtën vlerë, pra në total vajtje-ardhje Kashar-Thumanë kushton 5 euro. Duke marrë një shembull të thjeshtë, një qytetar me banim në Lezhë dhe punë në kryeqytet, çdo ditë duhet të paguajë 500 lek vajte-ardhje.

Për të vjelë taksën e rrugës kompania koncensionare Gener 2, ka vendosur 3 pika sportelesh me disa kabina pagese, në daljet nga Tirana, Thumana dhe Rinasi. Vlera e taksës ndryshon për mjetet e tonazhit të rëndë dhe të transportit publik. Për kalimin e të gjithë autostradës 21 km, kamionët paguajnë 8.80 euro ndërsa autobusët 6.30 euro.

1735983955_thumanekashar.jpg

Foto: Harta ku ndodhen tollet në autostradën Thumanë Kashar!

1 -- Tolli, trau, ku duhet të paguajnë ata që vijnë nga veriu për të kaluar në autostradën Thumanë - Kashar ose në Rinas 
2- Tolli, trau ku duhet të paguajnë për të hyrë në autostradën Kashar - Thumanë dhe shkon drejt Veriut ose në Rinas
3- Tolli, trau ku duhet të paguajnë qytetarët nga Rinasi për në veri ose në Kashar. 

Koncesioni 35 vjecar 
Autostradë 21 kilometra e Kategorisë A  Thumanë-Kashar u hap për qarkullim në 30 qershor 2024. Deri tani, qarkullimi ka qenë falas, pasi kompania ka kryer testimet e nevojshme për të shmangur krijimin e radhëve.  Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës. Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 130 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura, 3 mbikalime si dhe korsi emergjencash në secilën anë.

Rruga u ndërtua nga kompania private Gener 2 sh.p.k dhe G2 Infra sh.p.k me një kosto 271 mln euro,( 226 milionë euro pa tvsh) sikurse u deklarua gjatë ceremonisë së çeljes pak muaj më parë. Sipas kontratës me ministrinë e Infrastrukturës koncesionari planifikon të mbledhë mbi 1.3 miliardë euro (pa TVSH) si të ardhura bazë nga tarifa për 35 vite. 

Tarifa në euro, sipas ‘Gener 2’ do të përllogaritet çdo vit në bazë të kursit të këmbimit lekë/euro dhe do të pasqyrohet në vlerë në mënyrë kumulative çdo 4 vjet. Kontrata parashikon gjithashtu rrumbullakosje të çmimit kur është me presje dhjetore. Pra teksa monedha vendase është leku, pagesa në lekë do të bëhet në bazë të një kursi që do të përcaktohet në kontratë, i afërt me kursin e tregut.

Milionat qe garanton shtetit
Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje. Kështu në vitin e parë plani bazë i të ardhurave për operim dhe mirëmbajtje është 26.85 milionë euro ndërkohë që shteti do të garantojë 8 milionë euro, në vitin e dytë që përkon me vitin 2025 plani bazë i të ardhurave është 25.58 milionë euro dhe garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro. Në vitin e tretë të operimit plani i të ardhurave është 25.10 ndërkohë që nëse nuk arrihet ky plan garancia e shtetit është për 3.92 milionë euro. Vit pas viti plani i të ardhurave ndryshon duke shkuar në 63.15 milionë euro në vitin 2055 teksa mbështetja e shtetit ndalet në vitin 2031 kur garancia e parashikuar është 360 mijë euro.

Projektet e tjera për Bashkim Ulaj
Me firmën e zv/kryeministres Balluku Bashkim Ulaj u shpërblye me dy projekte të mëdha në dhjetorin e 2024. Projekti i parë është ai për ndërtimin e një TEC-i në Roskovec firmosur në mbledhjen e 18 dhjetorit 2024. E më 30 dhjetor qeveria miratoi kontratën koncesionare 44,6 milionë euro pa TVSH për projektimin dhe ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Thumanë, 13,5 km i gjatë, pjesë e korridorit blu. Jo vetëm kaq Ulaj, botues dhe pronar i stacionit televiziv A2 së bashku me dy vëllezërit e tij Astrit dhe Ahmet Ulaj morën statusin e veçantë “investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” për ndërtimin e resortit turistik Blue -Borgo” në bregdetin e Velipojës.

250 lekë - fatura për kalimin (Thumanë-Kashar - Vs Kashar Thumanë)

170 lekë -Fatura e pagesës  (Thumanë - Rinas Vs Rinas -Thumanë)

80 lekë - fatura e pagesës (Kashar- Rinas Vs Rinas -Kashar)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:00
Thumanë-Kashar me pagesë, flasin qytetarët: Po paguajmë, por rruga nuk është cilësore

 

Nga sot, të gjithë ata që do të kalojnë në aksin Thumanë-Kashar do të duhet të paguajnë. Ndërkohë janë afishuar tabelat e çmimeve nga Rinasi për në Kashar dhe nga Rinasi për në Thumanë.

Gazetari Julian Shota ka marrë opionionet e qytetarëve udhëtuan në këtë rrugë. 

“Pagesa nuk është e shtrenjtë, por rruga nuk është cilësore. Rruga ka valëzime, ka luhatje te ura. Të jetë një rrugë cilësore ia vlen të paguash. Unë u futa në aksin Lezhë-Tiranë. Pagesën e bëra me lekë (170 lekë), por mund të paguash edhe me euro”, tha një qytetar për Report Tv.

“Ne vijmë nga jashtë edhe jemi mësuar me këto pagesat e rrugëve. Ka të njëjtat standarde me jashtë, megjithatë ka amortizime se nuk besoj se ka mbaruar si punë. Pagesën bëra me lek”, tha një qytetar tjetër.