TIRANË - Nga e hëna, cilido qytetar që do të konstatohet nga policia jashtë shtëpisë pa pasur mesazhin apo e-mailin konfirmues nga e-Albania, do të gjobitet.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 25 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim të makinës.

Janë gjobitur me nga 10 mijë lekë 89 qytetarë të cilët u kapën duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Ndëkrohë, 5 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit  janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim të makinës për 3 muaj, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 13 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Duke filluar nga dita e hënë, nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shtëtije, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.