Pas shumë katastrofash të tjera që e kishin burimin te keq-qeverisja e vendit nga pushtetarët e tij, të tillë mbetën këta: cinikë, shpifës e të paskrupullt, edhe pasi populli i përmbysi nga pushteti dhe i la në opozitë që të reflektonin, njëkohësisht të ndihmonin gradualisht mbarëvajtjen e punëve me kritikat ndaj pushtetarëve të rinj. Mirëpo, në vend të kryejnë këto detyra lëshojnë ca lumenj fyerjesh më të fryra se sa Buna e Kiri 3-4 vjet më parë dhe pastaj largohen nga Parlamenti për të vazhduar me thurrje akuzash të reja dhe stërvitjen e gjuhës, që dhëmbët nuk i vënë kufij. Kështu, intensivisht u janë përgjigjur disa prej tyre, veçanërisht ish liderët e pushtetit të kaluar, detyrave që ligjërisht u janë caktuar dhe, kështu, me këtë mënyrë i kanë “justifikuar” këtu e gjashtë muaj shpërblimet e majme për (mos)kryerjen e atyre detyrave. Shaj e bot kush të mundet qeverinë dhe mazhorancën parlamentare! Ndërkohë, puthja dorën Berishës kush të mundet, me shpresë për të qendruar pa lëvizur nga llogoret e politikës! Këtij Berishe, që i ç’akorduar akoma më tepër nga gremisja prej pushtetit, nuk gjen derman së bëri protagonistin e së keqes jo vetëm ndaj atyre që e përmbysën, por edhe ndaj gjithë këtij populli dhe të ardhmes së tij.
Në një kohë që qytetarët e këtushëm po presin me një farë ankthi, se si do të vendosë në qershorin e pritshëm Këshilli i Ministrave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, për akordimin ose jo Shqipërisë të statusit të Shtetit kandidat, shefi faktik i opozitës aktuale, tri ditë më parë u bën apel të gjithë atyre që e duan këtë vend, të ngrihen për ta shpëtuar atë “nga shpërthimet e një njeriu të sëmurë rëndë, që di vetëm të rrënojë dhe mashtrojë rëndë shoqërinë tonë. Pra, të rrëzojnë mazhorancën dhe qeverinë e saj të kryesuar nga Edi Rama, të cilët ka vetëm 6 muaj që populli i ka ngarkuar me drejtimin e punëve, pikërisht në një kohë kur pushteti i mëparshëm ua la rrënimin sheshit. Në këtë vështrim, kjo thirrje e Sali Berishës nuk habit njeri, sepse nga një gojë e mbushur plot me vrer nuk pritet të pështyhet mjaltë.
Por, ajo që te shumkush ngre një pikpyetje të madhe është fakti se, deputetët e tjerë të minorancës parlamentare, që e heqin veten si të mençur, akoma s’e paskan kuptuar rolin e tyre për të përdorur mençurinë. Nuk kam parasysh këtu ndonjërin prej tyre, i cili pas atij apeli të Berishës del e bën thirrje për zgjedhje të parakohshme(?!), por për ndokënd syresh që e di fare mirë se ku e çon këtë vend dhe shoqëri fryma e konfliktualitetit. Madje, ku e çon shumë shpejt vetë forcën e tyre politike mosmarrja e statusit të premtuar nga mbajtja gjallë e kësaj fryme, nga largimi i vazhdueshëm prej punimeve të Kuvendit të Shqipërisë nën moton e një marrëdhënieje të kushtëzuar me organin më të lartë të pushtetit shtetëror.
Në këto situata, edhe qëndrimet e kryetarit formal të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ta kushtëzuar dhënien e konsensusit në komisionin parlamentar për reformën administrative-territoriale, me arritjen e konsensusit në Kuvend, nuk janë veçse shtojca të shfrimeve berishiste ndaj spostimit që i ka bërë figurës së tij realiteti i kthesës së filluar prej votimeve të 23 qershorit të vitit të kaluar. Pra, në këto situata, lidershipi aktual i opozitës ende nuk ka kuptuar asgjë nga këshillat e vyera të profetit Kalil Gibran, si për shembull: “Edhe ashtyllat e tempullit rrinë të ndara/kurse lisi dhe pisha nuk rriten në hije të njëri–tjetrit”. Dhe, nëse ky farë lidershipi do të vazhdojë t’i përulet për çdo gjë frymëzuesit të destruktivitetit, për t’i qarë atij hallin nga sfumimi që i është bërë figurës së vet të gjithpushtetsheme, tek e fundit edhe nëse dështon përfitimi i statusit në qershor, skenari i Sali Berishës jo vetëm që nuk do të arrijë të prodhojnë trazira të brendshme, por gishti i përgjegjësisë brenda dhe jashtë vendit do të drejtohet pikërisht te opozita, si shkaktare e kësaj zvarritjeje të panevojshme.
Ky qëndrim përuljeje, që sakrifikon edhe personalitetin e tyre si politikanë, madje edhe si njerëz me ndërgjegje dhe arsye normale, shumë qartë e tregoi edhe ajo çka ndodhi ditën e enjte në seancën plenare të Kuvendit, kur e përshëndetën me duartrokitje Sali Berishën. Me duartrokitje, edhe kur ky i fundit nisi të zhvillonte një temë delikate, atë të seksit me viagra të skaduara në fatin e keqardhur të disa grave, çka të bën ta cilësossh ligjëruesin Berisha me termin që del nga një epikrizë, e cila zakonisht i njoftohet pacientit dhe të afërmve të tij në mënyrë konfidenciale. Mirëpo, kur ai lihet i lirë dhe lejohet të mbajë edhe në Parlament logorera të gjata dhe të turpshme, duke tromaksur sidomos gratë dhe vajzat e të tjerëve, këtë herë konfidencialiteti merr dhenë, dhe kushdo që kërkon t’i përkushtohet së vërtetës do të merrte kurajon të tregonte edhe rrugën ku duhet shpënë ai njeri. Madje, rrugën më të shkurtër, që një shtet ka mundësi ta transportojë, pa shumë shpenzime. Të gjitha këto të vijnë ndërmend jo sepse nuk ishin dëgjuar ndonjëherë nga goja e Sali Berishës dhe e asaj kryetareje të Kuvendit asokohe (Jozefina Topalli quhet) fyerje dhe shpifje ndaj kundërshtarëve politikë të tyre, por se temën e zhvilluar kësaj rradhe nuk mund ta përmbajë asnjë nga agjendat politike më të shfrenuara, madje as ato përgjithësisht publike.
Dhe, për t’u mbyllur gojën “keqdashësve” të Saliut, në vazhdën e debateve që gëlojnë ende sot në Internet rreth asaj ngjarjeje, një nga puthadorët e përbetuar të shefit faktik të tij përmend rëndësinë e shprehjes së mendimit, si një nga liritë themelore të njeriut, të cilat burojnë prej të drejtës natyrore. Për ta qartësuar atë, si edhe lexuesit e këtyre rradhëve, mbase do të ishte e nevojshmes të tregonim, se edhe kjo e drejtë natyrore nuk do të thotë që duhet të mbetet thelbësore, e pandryshuar apo e shenjtë. Natyrore është të bësh nevojën në brekë dhe të mos i lash dhëmbët asnjë mëngjes, por përkundër kësaj, vetja mësohet që të bësh atë që është jo fort natyrore, derisa të bëhet pjesë e natyrës njerëzore. Ndërkohë, kjo liri e shprehjes së mendimit nuk është absolute dhe e pakushtëzuar; ajo gjen limit te objekte dhe interesa të tjera të garantuara në mënyrë të barabartë.
Pra, në këtë balancim, liria e shprehjes së mendimit në një shoqëri që ka nënshkruar mes vetes një kontratë në formën e Kushtetutës, një shoqëri shteti i së cilës ka pranuar edhe të jetë Palë Kontraktuese e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, kurrësesi nuk mund të sakrifikojë ndaj disa politikanëve dhe shumë shtetasve që kanë sy e veshë të drejtën e nderit, të reputacionit, të prestigjit, të dinjitetit, të drejtën e jetës dhe sigurisë së personit, të drejtën për të ruajtur sigurinë publike dhe atë kombëtare etj. Të gjitha këto janë të mbrojta dhe të padhunueshme nga norma të tjera kushtetuese dhe ndërkombëtare. Atij që nuk do t’i respektojë këto të drejta dhe të mos i bindet kësaj mbrojtjeje që u bëhet atyre, më e pakta apo më njerëzorja është t’i krijojnë mundësinë e aplikimit të një terape specifike, duke e cilësuar me keqardhje nëpërmjet të njëjtin term që shumëkush e quan të mbrojturin prej tij. Edhe kjo është natyrore. Madje, nuk mund të ndodhë ndryshe, përderisa me të drejtë thuhet: “Po të bashkohesh me të marrin, i marrë bëhesh!”. Çudi, sa e vjetër është kjo thënie dhe nuk u vjetërokërka?!
Shkrimi u publikua sot (25.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)