Një tjetër bllok pallatesh i është nënshtruar rikualifikimit të plotë. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për krijimin e një hapësire çlodhëse dhe për rregullimin e rrugicave për të gjithë banorët e kësaj zone në brendësi të NSHRAK-ut që deri më tani ka shërbyer si një vend parkimi për automjetet, ndërkohë që gjatë kohës së reshjeve mbulohej nga balta.
Aktualisht ka përfunduar puna për ndërtimin e trotuareve si dhe për vendosjen e ndriçuesve, ndërkohë që po punohet dhe me ndërtimin e lulishtes e cila do të ketë edhe një park të madh lojërash për fëmijët, ku do të instalohen module të ndryshme lojërash.
Pritet që ky investim tepër i rëndësishëm për banorët jo vetëm të përmirësojë jetën e tyre, por njëkohësisht të ndikojë edhe në rritjen e vlerës së pronës.
Në tre vite, Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë çdo vit në 50 blloqe banimi në kryeqytet, duke i shndërruar në hapësira qetësie.
Punimet në këto dy blloqe, përveç lirimit të hapësirave të zëna pa leje, ka të bëjë edhe me ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve të ujërave të bardha, bordurave, trotuareve, pajisjen e rrugëve me ndriçim si dhe me gjithë sinjalistikën e nevojshme rrugore.