Nga Kina në Korenë e Jugut, Vietnam, Tajlandë etj, po festohet Viti i Ri Hënor. Viti i Ri përkon me hënën e parë të re të kalendarit hënor, një festival 15-ditor që mbahet nga 21 janari deri më 20 shkurt.

Ky është Viti i Kalit. Por a e dinit se është viti i Kalit të Zjarrit?

Ky kombinim është rezultat i bashkimit mes njërit prej 12 kafshëve të zodiakut dhe njërit prej pesë elementeve – druri, zjarri, toka, metali dhe uji.

Çdo kombinim unik midis një kafshe dhe një elementi mbart një energji të ndryshme dhe ndodh një herë në çdo 60 vjet.

Në zodiakun kinez, kali njihet për vitalitetin dhe vetëbesimin e tij. Këto tipare mund të përforcohen edhe më shumë nga elementi i zjarrit, thonë ekspertët e astrologjisë kineze.

Por Kali i Zjarrit ka një kuptim më ogurzi në kulturën japoneze. Në vitin 1966, gjatë vitit të fundit të Kalit, norma e lindjeve në Japoni ra ndjeshëm, për shkak të një besëtytnie se gratë e lindura në vitin e Kalit të Zjarrit do t’u sillnin fat të keq familjeve të tyre.

Sipas traditës kineze, kali përfaqëson lirinë dhe shpejtësinë, ndërsa zjarri përfaqëson intensitetin. Kjo do të thotë se ky vit i Kalit të Zjarrit mund të sjellë si kaos, ashtu edhe mundësi.

Një nga traditat e kësaj feste është shpërndarja e zarfeve të kuq me para. Ato zakonisht dhurohen nga anëtarët më të moshuar të familjes për brezin më të ri, ose nga shefat për punonjësit e tyre.

Shuma e parave që vendoset në këto zarfe është një art më vete: numrat çift konsiderohen më fatlumë se numrat tek, me përjashtim të numrit 4, i cili tingëllon si “vdekje” në mandarinisht. Njerëzit gjithashtu priren të përdorin kartëmonedha të reja në vend të atyre të vjetrave.

Zarfet e kuqe janë bërë digjitale vitet e fundit përmes aplikacioneve të kuletave elektronike.

Portokallet janë një simbol karakteristik i Vitit të Ri Hënor, zakonisht të shkëmbyera në çifte pasi numrat çift besohet se sjellin fat të mirë. Kjo agrume e ëmbël simbolizon begatinë. Ngjyra portokalli dhe forma e rrumbullakët e frutit është shenjë e unitetit dhe plotësisë që e bëjnë gjithashtu një simbol me fat.

Njëkohësisht do të ketë tri festa religjioze në dy ditë. 17 shkurti është dita e parë e Vitit të Ri Hënor, ndërsa më 18 shkurt, për të krishterët është dita e parë e Kreshmës dhe për myslimanët, nis agjërimi i muajit të shenjtë të Ramazanit.