Vendimi i administratës Trump për pezullimin e shqyrtimit të vizave amerikane për 75 vende të ndryshme të botës, mes tyre Shqipëria, Kosova dhe disa shtete të Ballkanit Perëndimor, nuk është një rrufe në qiell të hapur.
Ai është pjesë e një fushate të gjerë anti-imigracion, të mbarsur me akuza ndaj komuniteteve të shumta që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara prej vitesh.
Dhe zanafillën duket se e ka në një skandal të madh financiar të zbuluar gjatë pandemisë COVID-19 në shtetin e Minnesotas, ku në një prej qyteteve kryesore të tij, Minneapolis, po konsumohet këto ditë një përplasje e fortë mes njësive të ICE-s (Kontrolli i Imigracionit dhe Kufirit) dhe komuniteteve të emigrantëve.
Në shtator të vitit 2022, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave ndaj 47 personave për përvetësimin e rreth 250 milionë dollarëve nga një program federal ushqimi për fëmijët, i financuar nga qeveria amerikane dhe i administruar nga shteti i Minnesotës. Mashtrimi kishte nisur që në vitin 2020.
Në qendër të skandalit ishte organizata jofitimprurëse Feeding Our Future. Themeluesja e saj, Aimee Bock, u akuzua se kishte ndërtuar një skemë fiktive faturimi për qindra mijëra vakte ushqimi që nuk ishin shpërndarë kurrë. Shumica e bashkëpunëtorëve dhe të pandehurve ishin amerikanë me origjinë somaleze, fakt që më vonë do të shndërrohej në element politik.
Në vitin 2025, Bock u shpall fajtore për të gjitha akuzat, ndërsa deri në shtator të po atij viti, të paktën 56 të pandehur kishin pranuar fajësinë, duke shmangur gjyqin.
Minnesota është shteti me komunitetin më të madh somalez në SHBA, rreth 76 mijë persona. Rreth gjysma janë shtetas amerikanë, ndërsa mijëra të tjerë kanë mbërritur vitet e fundit si azilkërkues nga Somalia, për shkak të luftës civile.
Presidenti Donald Trump e ka përdorur vazhdimisht këtë skandal si provë të asaj që ai e përshkruan si “abuzim masiv të sistemit amerikan të ndihmës sociale”. Në deklarata publike, Trump i ka akuzuar kolektivisht emigrantët somalezë se “nuk japin asnjë kontribut” dhe se po “rrjepin Minnesotën”, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe fyese.
Në janar, Trump publikoi në rrjetin social Truth Social, tabela me përqindjen e familjeve emigrante që përfitojnë asistencë sociale në SHBA. Sipas këtyre të dhënave, 41.3% e familjeve shqiptare dhe 46% e familjeve nga Kosova përfitojnë ndihmë sociale, ndërsa Somalia kryeson listën me 71.9%.
Publikimi i këtyre të dhënave, i parapriu një vendimi të marrë disa ditë më pas nga Departamenti i Shtetit: pezullimin e shqyrtimit të aplikimeve për viza nga 75 vende të botës, me argumentin se emigrantët nga këto shtete përbëjnë “barrë publike”.
Pezullimi hyn në fuqi më 21 janar dhe prek kategoritë e bashkimit familjar, punësimit, birësimit, emigrimit special dhe lotarisë amerikane. Vendimi nuk prek vizat turistike, studentore apo të biznesit. Nga Ballkani Perëndimor, përfshihen Shqipëria, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia mbetet jashtë listës.
Çfarë po ndodh në rrugët e Minneapolisit?
Paralelisht me këtë vendim, administrata Trump dërgoi mbi 3 mijë agjentë të Zyrës Ligjzbatuese për Emigracionin dhe Doganat (ICE) në Minneapolis, duke nisur arrestime dhe dëbime masive.
Shtëpia e Bardhë deklaroi se operacionet synojnë edhe identifikimin e rasteve të reja të mashtrimit me fonde federale.
Operacionet çuan në përplasje të dhunshme.
Në një incident, një agjent i ICE-së qëlloi në këmbë një emigrant venezuelian, ndërsa protestat u përshkallëzuan me përdorimin e gazit lotsjellës dhe akte vandale ndaj agjentëve.
Kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, dhe guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, e cilësuan situatën të papranueshme dhe akuzuan qeverinë federale për nxitje të tensioneve.
Trump, nga ana e tij, ka kërcënuar se mund të shkojë dhe më tej, me aktivizimin e Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, që lejon vendosjen e ushtrisë në territorin amerikan.
Komente









