Shkodër- Hapet tenderi për projektin e rikualifikimit të hyrjes Shirokë–Shkodër, i prezantuar gjatë zgjedhjeve të 11 majit.

“Nga premtimi në terren, për fjalën e mbajtur”, e cilëson kryebashkiaku Benet Beci.

Ky investim me një fond limit prej 374 milionë lekësh (rreth 3.7 milionë euro), do të transformojë plotësisht hyrjen nga Shiroka, duke e kthyer në një hapësirë moderne dhe atraktive për banorët e vizitorët.

“Projekti përfshin: Sistemim pedonal përgjatë lumit Buna, duke krijuar shëtitore të reja për ecje dhe çiklizëm; Ndërtimin e një shtegu shkallare drejt malit të Taraboshit, që përfundon në një ballkon panoramik me pamje të plotë të qytetit dhe kalasë së Rozafës; Krijimin e hapësirave rekreative në zonën pranë urës së këmbësorëve mbi Bunë, përfshirë sheshe, pergola dhe ambiente për relaks; Rikualifikimin e “Ballinës ujore”, për ta kthyer në një atraksion ikonik turistik dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me dy korsi për automjete, korsi të dedikuara për biçikleta dhe trotuare moderne”, nënvizon kreu i bashkisë me një postim në rrjetin social Facebook, ku bën edhe njoftimin për hapjen e tenderit.

Ky projekt është menduar si një pol i ri turistik për veriun e vendit, që do të rrisë potencialin ekonomik dhe imazhin e Shkodrës si një qytet modern, mikpritës dhe me trashëgimi të pasur historike.