Bajram Peçi: Nga qorrsokaku në qorrsokak

Bajram Peçi: Nga qorrsokaku në qorrsokak

Gazësjellësi TAP

Ndonëse lufta në Ukrainë ka shtuar mjerimin tonë, dhëmbështrënguar njerëzit miratojnë në heshtje arrestimet e kryera këto ditë dhe rrinë në pritje të vendosjes së një drejtësie te e cila, deri pak kohë më parë, askush nuk kish besim.

Dy autoritete në fushën e tyre, intelektualë klasi, Bashkim Baholli e Naskë Afezolli, që dijet e aftësitë e tyre në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit i përdorën për institucione ndërkombëtare, befas i zbuluan publikut një turp kombëtar që i vjen prej një marrëveshje shtetërore me TAP, Gazsjellësi Trans Adriatik. Nga rrëfimi i tyre del qartazi rezistenca që patën nga administrata e lartë shtetërore për të mos i pritur, për të mos i dëgjuar, për të mos i përfillur, për t’i përjashtuar përfundimisht nga mundësia që të ishin pjesë e grupit negociues. Të dy, por veçanërisht ing. Baholli, e thonë qartë, se gjithë praktika për t’i mohuar Shqipërisë të drejtën e përfitimit që rrjedh nga kalimi në tokën e vet të këtij transportues malli, rrjedh nga korrupsioni. “Ndiq paratë”-thotë Baholli, por nuk përmend emra, megjithë dyshimet e forta. Dhe mirë e ka! Pse të përmendi ai emra e të vijë më pas vërdallë hetimeve e prokurorive, kur këtë mund ta bëjnë ata që paguhen enkas për këto punë? Dhe nuk janë pak si organizma, për të mos thënë se i kemi deri në kufij inflacioni. Përmendin përpos se është koha, kur ministria që kish kompetencë negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes, ishte e partisë LSI, me ministër Dritan Priftin. Përmendet dhe Haxhinasto, ashtu kalimthi. Opinioni deri më sot nuk di të jetë hapur ndonje hetim për këtë skandal, ku gjithkush duhet të ndjehet i nëpërkëmbur, por sidomos qeveria!

Ashtu si këta specialistë të lartë nuk treguan emra, ashtu dhe të tjerë nuk kanë përmendur emëra, veçse kanë shfaqur dyshim, të thuash ti se është e vështirë të nxirret marrëveshja (apo kontrata, nëse është e tillë) dhe të fillojë hetimi ndaj gangsterëve, vjedhësve të pasurisë publike, “trimoshave” të një partie që kish si moto atë që përdori Hitleri në vitet ’30, “Partia që të punëson”?

Vullnetin kolektiv të shumicës partia Socialiste e ka patur më të fuqishme se partitë e tjera opozitare. Edhe pasi një pjesë e më majtës, pronë e familjes Meta, kryesisht pa ideale, ju bashkua opozitës, përsëri partia vjen në pushtet se mbetet më e fuqishme dhe do mbeti e tillë edhe për pak kohë, pasi të jetë ringritur Partia demokratike, tashmë e shkërmoqur prej Berishës. Por kjo shumicë nuk është se e bën atë të fortë, madje e ka bërë shumë të brishtë si parti që përfaqëson pak o gjë nga e majta. Ajo, “e lindur me këmishë”, thjesht trashëgon një traditë që vjen si trashëgimtare e shtresave të varfra dhe sidomos atyre familjeve që kanë qenë të lidhura fort me Luftën Nacional-Çlirimtare. Si parti pa ngjyrë (formalisht mavi, përzjerje piktorësh e kuqe me blu) duket më së miri se administratën, atë që vepron, që ndjek zbatimin e vendimit, atë që kontrollon, atë që zbaton me korrektesë ligjin, atë që di çfarë ndodh poshtë, pak më përej hundës dhe zyrës së tyre, ja ka besuar karrieristëve. Shihni një pjesë ministrash, çfarë pune kanë bërë më parë, sa përvojë kanë?

“Nuk mund të bësh punë të mëdha pa bërë më parë punë të vogla”- është një nga thëniet që vjen prej lashtësie në dobi të parimit  që duhet ndjekur në zgjedhjen e administratës. Në të vërtetë,  zgjedhjet nuk i përmbahen ndonjë parimi. Këtij të cilësuar më lart, natyrisht që jo! Në rastin më të mirë janë shije personale e shefave. Në raste të tjera vijnë si rrjedhojë e ndërhyrjeve miqësore. Në raste edhe më shumë të provuara vijnë si korrupsion. Rrallë, shumë rrallë, vijnë si pasojë e vlerave profesionale, intelektuale e morale të individit të zgjedhur.

Për rrjedhojë nuk munguan (e nuk do mungojnë ) vjedhjet, që nga ministrat; shpërdorimet, që nisin nga ministra, zëvendësministra e sekretarë të përgjithshëm. Nuk është e vërtetë ajo që thotë kryeministri ose ministri Manja se përgjegjësia është vetëm individuale. Po-pse, kush i zgjodhi këta njerëz? Çfarë lidhje kishin me Partinë Socialiste Koka dhe Bllako (i dyshuar), përpos zgjedhjes për interesa që i di vetëm Edi Rama? Po kështu, gërvishtni pak dhe do shihni se sa pak lidhje kanë me Partinë Socialiste shumë deputetë. Shihni në datën 6 prill se kush do jenë asambleistët dhe bëni durim deri në datë 9 prill për të parë delegatët e kongresit!

Mbeçi besimplotë lexonjës se në Asamble nuk do shihni ndonjë zhvillim ku do kritikohen e do bëjnë autokritikë! Jo dhe jo, nuk do gjasë e s’mund të ngjasë! Gjithçka do rrjedhë si ujë i qetë, ose nuk do rrjedhë, ngjashëm siç ndodh me ujin e kënetës.

Situata e krijuar nga lufta, rritja e papërballueshme e çmimeve, deri 100 % e më shumë, mbetja e rrogave e pensioneve në nivelet që kanë qenë ose me rritje deri 10 %, e detyron qeverinë të analizoj e të peshoj të këqijat që na vijnë nga drejtimi i administratës e ta nxjerrë si popullin në mjerim ashtu dhe administratën nga qorrsokaku.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja