Nga Shëngjini në Sarandë/ Të huajt blejnë në bregdetin shqiptar, ja sa variojnë çmimet mesatare të apartamenteve

Nga Shëngjini në Sarandë/ Të huajt blejnë në bregdetin shqiptar, ja sa variojnë çmimet mesatare të apartamenteve

Foto ilustruese

Të huajt vijojnë të mbajnë në lëvizje tregun e pasurive të paluajtshme në bregdet. Sipas agjencive kryesore në vend, arsyeja kryesore mbeten çmimet e lira, ndërsa blerësit kryesorë janë nga vendet e rajonit, të cilat nuk kanë dalje në det. Përmirësimi i infrastrukturës po tërheq blerës në Durrës. Fokusi i agjencive për bregdetin është kapja e tregjeve të huaja…

Në pamje të parë asgjë nuk i lidh një boshnjak, një italian, një ukrainas dhe dy gjermanë së bashku. Mirëpo që prej verës së këtij viti, ata janë banorët më të rinj të një prej pallateve në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës. Edi është administrator i pallatit, në të cilin këtë verë janë shtuar edhe pesë rezidentë të kombësive të ndryshme. Sipas tij, arsyeja kryesore pse të huajt kanë zgjedhur Durrësin janë çmimet e lira. Për diçka më pak se 20 mijë euro mund të blesh një apartament në afërsi me bregun e detit.

Çmimi për metër katror për një banesë matanë shinave të trenit në atë zonë varion nga 300 deri në 350 euro, gjë që ka joshur blerësit e huaj, të cilët sipas administratorit të pallatit kanë një moshë relativisht të re, nga 30 deri në 50 vjeç. Të gjitha shitjet janë kryer nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme dhe pronat kanë qenë të bllokuara nga bankat.

Çmimet mesatare të apartamenteve në bregdet

Edi shton se për të parë apartamentet, godinën e kanë vizituar mbi tridhjetë persona me nacionalitet të huaj, por që nuk kanë vendosur. Një prej arsyeve kryesore, sipas tij, është mungesa e besimit për të blerë pasuri të paluajtshme në një vend si Shqipëria. Të huajt që kanë marrë në shqyrtim ofertat për shitje apartamentesh në pallatin që ai administron kanë njëlloj pasigurie.

Megjithatë nuk janë vetëm të huajt që po blejnë në Durrës. Sipas agjencive kryesore të patundshmërisë në vend, një burim i kërkesës në bregdet kanë qenë shqiptarët e diasporës dhe shqiptarët e Kosovës, të cilët sipas Jonian Antonit nga agjencia Century 21 janë më shumë të fokusuar në Veri të vendit. Ndërsa për sa u përket shqiptarëve, Klajdi Memajdini nga agjencia Devinf, thotë se janë më kërkues në cilësi dhe kërkojnë kryesisht apartamente cilësore në rezidenca banimi.

Xheni Jahja nga Tirana Real Estate argumenton se finalizimi i shitjeve ka datuar në periudhën para gushtit, megjithatë ajo shton se pritet të ketë interesim në 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Buxheti është një nga faktorët që ndikon në përcaktimin e zonës për individët që kërkojnë të blejnë në bregdet. Për familjet me një buxhet të kufizuar, Durrësi është zona kryesore, ndërsa familjet me të ardhura më të larta kërkojnë kryesisht në Jug dhe në përgjithësi investojnë për një pronë në komplekse rezidenciale. Bazuar në listimet e pronave që kanë bërë agjencitë e pasurive të paluajtshme, “Monitor” ka përllogaritur çmimet mesatare të apartamenteve në bregdetin shqiptar.

Shëngjini është zona ku ofertat janë më të ulëta, gjë që reflekton stabilitetin e tregut të pasurive të paluajtshme në atë zonë dhe individët që kanë blerë kryesisht nuk kërkojnë që të rishesin, ndërsa ndërtimet e reja po fokusohen më së shumti në hoteleri. Individët që kanë blerë në Shëngjin, nisur edhe nga frekuentimi i lartë i bregdetit aty nga shqiptarët e Kosovës, i shfrytëzojnë pronat për tregun e qiradhënies. Megjithatë, bazuar në agjencitë kryesore në vend, çmimi mesatar për metër katror në zonën e Shëngjinit është 720 euro.

Bregdeti i Durrësit mund të ndahet në tre zona, bazuar në çmimin e pronave. Zona më e shtrenjtë për sa i përket çmimit të apartamenteve është Gjiri i Lalëzit, ku çmimi për metër katror varion nga 900- deri në 1100 euro për metër në katror, në varësi të kompleksit rezidencial ku ndodhet apartamenti.

Zona e dytë fillon nga Plepat deri në afërsi të Golemit. Në këtë zonë të Durrësit ka shumë ofertë për shitje, bazuar mbi pronat e listuara nga agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme në vend. Çmimet më të ulëta janë për apartamentet në pallatet e ndërtuara pas hekurudhës, si në rastin në fjalë, që janë shitur me çmimin 300 euro për metër katror.

Sipas ofertave të listuara, pranë Hotel Adriatikut në Durrës mund të gjesh një apartament me çmim mesatar 450 euro për metër në katror. Për apartamentet që janë më pranë bregut të detit, çmimet mesatare luhaten në 700-750 euro/ m².

Zona e tretë është Golemi, Pishat e Buta dhe plazhi i Qerretit, ku çmimet për apartament janë rreth 800-850 euro për metër katror, duke qenë se rezidencat e banimit janë në komplekse dhe kanë lehtësi që tërheqin blerësit. Jugu i Shqipërisë mbetet zona më e shtrenjtë dhe jo vetëm për apartamentet, por edhe për vilat. Në Vlorë, zonat më të lira janë Rradhima dhe Orikumi. Sipas ofertave të listuara në Rradhimë, për një apartament banimi, çmimi mesatar është 700 euro për metër në katror, ndërsa në Orikum, çmimet mesatare për banesa janë rreth 450-500 euro/m², në varësi të afërsisë me bregun e detit.

Zona më e shtrenjtë vijon të mbetet Riviera. Një apartament në Dhërmi kushton mesatarisht 1200 euro/m², ndërsa për sa u përket ofertave të listuara, ato nuk janë të shumta në numër. Sipas agjencive kryesore të pasurive të paluajtshme dhe atyre që janë me fokus në bregdet, Saranda vijon të mbetet “mbretëresha” e bregdetit shqiptar. Çmimet mesatare të apartamenteve në Sarandë janë 900 euro/m². Kryesisht Saranda ka qenë zgjedhje për skandinavët, të nxitur edhe nga afërsia me aeroportin e Korfuzit./monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë