Projektligji i hedhur për konsultim publik ‘Për Taksën e Pasurive Të Paluajtshme’, i cili synon të kalojë  në një sistem taksimi të pronave në bazë të çmimeve të tregut, do të rishikohet përsëri për të shtuar elementë të ri të “super-taksës për apartamentet bosh dhe për vilat në bregdet”, së njoftuar nga kryeministri Edi Rama.

Regjimi tatimor që zbatohet aktualisht në Shqipëri i vendos në shumë raste të njëjtën barrë tatimore, si një personi që ka pasuri të paluajtshme në qendër të qytetit, ashtu dhe një personi që ka pasuri të paluajtshme me të njëjtat karakteristika, por në periferi të qytetit, që ka edhe vlerën më të ulët.

Përveçse taksimi do të bëhet në bazë të vlerës që ka prona në treg, do të ndryshojë edhe tarifa, nga 0.05% që është aktualisht propozimi ishte që të shkojë nga 0.1% -0.2% e vlerës së saj.

Kjo formulë nuk do të preket, por sipas burimeve do të rritet taksimi për vilat, shtëpitë e dyta dhe ato në bregdet, por ende nuk specifikohet se për çfarë vlerash po diskutohet aktualisht. Gjithashtu ende nuk janë detajuar kriteret dhe afërsia me detin që duhet të ketë një vilë për të paguar taksën e rritur.

Report TV mëson se pjesë e ‘super-taksës’, do të jenë vetëm apartamentet që janë bosh në Tiranë, e që flitet për rreth 40 mijë prona që do ti nënshtrohen regjimit të ri të taksimit.

Ndërsa do të mbetet e pandryshuar ndarja e vendit në 7 zona, që do të përdoren për të reduktuar tatimin për banesën e parë.

Individi i cili ka në pronësi apo posedim, 2 ose më shumë banesa, ka të drejtën e zbritjes për banesën e parë, për vetëm 1 prej këtyre banesave.

Zbritja që do ti bëhet vlerës së pronës para se të taksohet do të jetë me 50%, pra një apartament 100 mijë euro në Tiranë, do të zbritet 50 mijë euro nga vlera e më pas do ti nënshtrohet tatimit.

Paralelisht me hartimin e kësaj nisme të rishikuar ligjore, 11 institucione po punojnë për të hartuar referencat e reja me çmimet e pronave. Burime nga Ministria e Financave pohojnë se synimi është që ky proces të finalizohet brenda këtij viti, dhe sqarojnë se nuk do të përfshihet Tirana, pavarësisht lëvizjes së çmimeve pas 2023-shit.