Nga Shqipëria drejt tragjedisë
së Tivarit, historia e Caf Metit

Nga Shqipëria drejt tragjedisë <br />së Tivarit, historia e Caf Metit
Dje në ekspozitën "Shqipëria kujton - Eshtrat e tyre janë pa varr", Asllan Caf Meti, duke më treguar portretin e babait të tij në një nga kolonat, më thotë se unë “mund ta dija kush ishte ai!”. “Me siguri ke dëgjuar për Masakrën e Tivarit”, tha. Po, kisha lexuar dhe dëgjuar. Dija fakte e shifra ku është shkruar se 1 mijë rekrutë shqiptarë të Kosovës janë vrarë brenda territorit të Shqipërisë gjatë Masakrës së Tivarit, në të cilën humbën jetën gjithsej 3474 persona. Shifrat shkruhen, por... akoma më drithëruese janë ngjarjet e jetuara dhe dëshmitë. Nuk është e lehtë të shohësh me sytë e tu sesi qeveria e vendit tënd, e Enver Hoxhës, i përcillte kosovarët nga Shkodra drejt Tivarit me vetëdije drejt gropës së zezë të vdekjes. Asllani ka shumë kujtime familjare, por Masakra e Tivarit për të është e para ngjarje ndër nga ato që s’duhen harruar. Kjo histori tragjike mirëfilli ka lidhje me pushkatimin e babait të vet. Quhej Caf Meta, me emër të mirë e miq të shumtë në Shkodër. Ishte një bajraktar fisnik nga zona e Oblikës. I biri, Asllan Cafi, siç i thonë, në intervistën për “Shqiptarja.com” na sjell përpara syve ngjarjet me të atin që sakrifikoi jetën duke i thënë ndal masakrës ndaj kosovarëve në Tivar dhe historinë e familjes që bëri gjithsej 100 vjet burg. Pra, nuk thosha dot se e njihja babanë e tij, as e dija që ishte një kryengritës i pavarësisë, por duke parë një foto shumë të bukur, bërë nga Marubët, pothuajse hyra në temë. Asllani ka të drejtë të jetë i lidhur shpirtërisht me këtë tragjedi. Më thotë se kam shumë dëshmi të tjera dhe dokumentacione nga arkivat e Jugosllavisë, Maqedonisë, nga arkiva e ushtrisë në Tiranë, që tregojnë të gjithë të vërtetën e ndodhur, me shqiptarët e Kosovës. Ka një faksimile në dorë, ku gjendet emri i tij, në një listë pushkatimesh. Ai u ka shpëtuar në fill pushkatimeve më të fundme të diktaturës, në vitin 1990, por jo babai i tij. Babai kishte miqësi me Marubët, thotë Asllani, ashtu siç pati edhe mjaft miq në Shkodër e deri në Kosovë. Imazhi i tij fisnik ia shëron plagët të birit, nuk ngeli kush pa i treguar se Caf Meti ishte një burrë i rrallë.


Pse ta kanë pushkatuar babanë?
-Ndodhi kur i mblodhën kosovarët për me i çu e me i pushkatue Titoja. Ata ecnin prej Kosove në kamb nga Shkodra. Ne jetonin në anë të malit në Oblik. Kur ata ecnin vargan ka dalë baba para dhe u ka thanë “ku po na i çona këta?. Ata thanë se “po ua çojmë Titos”. “Nuk është mirë, mor burra. S’e kemi zakon neve me tradhtu shqiptari shqiptarin”. Do komunistë që ishin aty; ishte Asllan Liçi, Xhemal Selimi, i shoqëronin, ishin partizanë ata dhe disa të tjerë. E paditën babën. KOsovarët ia dorëzuan Titos dhe i thanë se na ka dalë Can Meti përpara dhe na pyeti, e kështu e kështu. Nuk vonoi dhe e kanë marrë babën dhe e kanë pushkatue bashkë me Ndue Palin, më 1945-n.

Ndue Palin pse e pushkatuan bashkë me babën tuaj?
-Sepse të dy kishin dalë kundër një veprimi kriminal të shtetit komunist. Edhe Ndue Pali që ishte oficer i lartë u pati thënë. “Nuk e kemi pas nis mirë këtë punë. Nuk duhet ta kishim bërë kështu”. Baba me Nduen u njohën në burg. Njëri ishte katolik dhe tjetri mysliman, por cështja shqiptare i bëri shumë miq. Kur ua komunikuan pushkatimin ata i dhanë njëri-tjetrit besën që të bashkoheshin dhe të arratiseshin jashtë Shqipërisë. Kështu një natë para pushkatimit ata mprehën bishtat e lugëve për orët të tëra në dysheme, ato u bënë si thika të mprehta dhe deshëm që t’i kishin për çdo rast rreziku. Gjatë arratisjes nga burgu u përleshën me policët. I sulmuan me ato lugë dhe u mbytën të tre prej tyre… Që në atë kohë u dha urdhri të hiqen nga burgu lugët prej metali. Ata ikën, por policia mundi me i kap dhe i vranë në Zall të Kirit, i mbytën me hunj. Atje i groposën ashtu të masakruar dhe ne vetëm në ‘93-shin i gjetëm eshtrat e tyre në Zall të Kirit. Ata i vranë bashkë, por nuk ishin vetëm, ishim me shumë të tjerë që ishin ishin pushkatuar e masakruar nga komunistët. Kemi gërmuar shumë, nuk ishte e lehtë t’i gjenim.

Kush ju çoi në gjurmët e tyre?
-Por fati ynë, që një nga punonjësit e komunales së asaj kohe i mbante mend kur i thanë t’i groposte. Edhe pse ende kishte frikë, sepse edhe në ’93-in ende bëhej ndonjë vrasje nga komunistët, nuk ma tha emrin, por varrin na e tregoi. Ishte shumë I moshuar. Tha se kishte ende frikë. Ne e falënderojmë se vështirë ishte me e gjetë.

Si rrodhën ngjarjet pas pushkatimit të babait në familjen tuaj?
-Si familje kemi bërë 100 vjet burg. Edhe unë kam bërë burg. Shiko në dorë kam shenjat e hekurave. Kemi qenë shpallur kulakë, të burgosur politikë, të dëbuem dhe të konfiskuem.

Çfarë tregojnë shkodranët e asaj kohe për Masakrën e Tivarit?
-Kur i prunë kosovarët për me i çu në Tivar, i kaluan nga Shqipnia. Prej Kosovës i prunë nga Shkodra, nga Kukësi e me radhë në këmbë. I kaluan në urën e Bunës dhe prej andej kanë dalë në fshatin tonë, në Oblikë, po në këmbë. Aty kanë dalë edhe shumë njerëz të Sigurimit të Shtetit për shoqërimin e tyre nga Ulqini për t’i çuar në Tivar. KOsovarët ishin të stërmunduar, të rraskapitur, kishin udhëtuar ditë e netë në këmbë, ku grupe Sigurimi dhe ushtria ia përcillnin njëra tjetrës drejt fundit në Tivar. Baba im duke qenë me reputacion në atë zonë, u del para për me fol në emër të gjithë zonës, që ta kundërshtonin këtë udhëtim. Kur baba u doli përpara, u trondit se ata që i shoqëronin në Tivar ishin shqiptarë. Ishin me urdhër të Enver Hoxhës që t’i çonin atje. Madje ata që i shoqëronin ecnin dhe këndonin duke marshuar. “Tito luftëtari. Tito fitimtari”. Baba u tha: “Për çfarë Tito luftëtari, Tito fitimtari flisni ju. Këta janë vëllezërit tanë mor, janë shqiptarë. Pse po ua çoni Titos? Me i pushkatu?! Ata ishin të gjithë të lidhur rresht. Kur ia çuan Titos, ai i ka pyetur se a keni pas probleme rrugës. U diskutua me të ajo që tha baba im. Lajmi erdhi këtej. Babanë ma arrestuan në Badër të Madhe e mandej ma kanë pushkatu. Ia bënë gjyqin në kinemanë verore dhe ia komunikuan pushkatimin. Deshi të arratisej, por nuk shpëtoi dot.


Si ishte jeta jote më pas?
-Jemi rritur gjashtë jetimë pa nënë e pa babë. Nëna mbeti 25 vjeçe e re dhe u martua. Ne mbetëm gjashtë jetimë që na rriti gjyshja dhe xhaxhai. Vështirësitë na erdhën edhe pasi u dëbuam nga zona jonë në anën e malit, për arsye se ishin në kufi dhe nuk duhet as me pa kurrë veprime të tilla të shtetit, por as mos me u arratis prej vendit. Na sollën në Shkodër dhe s’kishim të drejtë me kalu Urën e Bunës. Çudi e madhe ajo kohë. Atëherë shumë njerëz e bënin pasaportizimin me lekë sa me ardhë në qytet, mua ma bën lehtë edhe pa lekë, veç mos me pas të drejtë me shku në anën e malit ku ishte zona kufitare. Kam qëndruar në qytet derisa rashë në burg për agjitacion dhe kontrabandë. Më dëbuan 16 vjet, por bëra vetëm 6 vjet. Kam bërë më pak burg se të tjerët se kam qenë më i vogli i familjes.



Fototeka Marubi. Fotot tregojnë se babai yt ka dalë shpesh. Ka pasur miqësi me Marubët?
–Baba im, Caf Meta ka pasur shumë miq. Jo vetëm me Marubët njihej, por ai ka paur mik të ngushtë Riza Danin, që u pushkatua me grupin e deputetëve. Me Hasan Isufin, me Kazazët ka pasur lidhje. Si familje ne kemi marrë pjesë në Kryengritjen e Pavarësisë. Babai ishte patriot i njohur i pavarësisë dhe mbeti bazë antikomuniste më pas familja jonë. Një xhaxha ka bërë 35 vjet burg, një tjetër 25, gjashtë i kam bërë unë. Nga pesë-gjashtë familjarët e tjerë, ku na bëhen 100 vjet burg. Të tanë kena qenë nëpër burgje. Unë kam hyrë 18 vjeç në burg vetëm për një fjalë. Po shkojsha me një gomar kumbulla, do vetë më thanë ku shkon. Thasë se “po shkoj me i shit se më bajnë më shumë sesa me punu një muaj në kooperativë”. Ata më paditën. “I pakënaqun nga komunizimi, bën agjitacion, je armik.... Eh!

A mbaruan ndonjëherë persekutimet e familjes suaj.
-Jo, sepse ne ishim të vënë në shënjestër. Para s etë vinte demokracia edhe u rebeluam si familje. Në ‘90-n kemi mmarrë me djegë Komitetin e Partisë në Shkodër, por nuk ishim vetëm. Ishin në 1999-n, 181 vetë që ngritën krye në Shkodër, se Shkodra ka pasë më shumë familje të dënuara se çdo vend tjetër në Shqipëri. Kryetar i Degës së Brendshme Çapajev Taçi më futi mua dhe 181 vetët në listat e vdekjes. Kemi gjetur në arkiva të Degës së Brendshme një plan marrëveshje për arrestimin e elementit armik dhe pushkatimin e 181 vetëve. Kjo do të kishte ndodhur në ‘91-n ku dhe unë do kisha përfunduar pranë eshtrave të babës tim në zallin e Kirit.

Dhe në ‘91-n erdhi demokracia...
-Po. Por unë them se diktatura nuk është larguar ende nga jeta jonë, nga jeta shqiptare. Unë vetë jam në mirëqenie dhe kam arritur shumë falë mbështetjes së familjes dhe shoqërisë në Shkodër. Kam pronë lokalin “Enigma” mbi lumin Buna pranë Fabrikës së Çimentos. Do të vini ndonjëherë në Shkodër. Kam shumë për të treguar, edhe për pajtimin e gjaqeve. Por sot desha të tregoj udhëtimin e atyre kosovarëve që qeveria e Enver Hoxhës po u jepte me duart e veta Titos. Për ta më dhemb shpirti dhe jam krenar për babën që u tha Ndalni, edhe pse kjo u kushtoi jetën.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin