Qyteti bregdetar i Vlorës është përfshirë nga reshje intensive shiu të cilat mesditën e sotme sollën përmbytjen e disa rrugëve. Në pamjet që sjell Report Tv, shihet se uji ka arritur në afro 50 centimetër, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësoreve dhe automjeteve.

Prezencë uji ka në rrugën “Kosova”, pranë Universitetit, në rrugën “Albano Romina”, në lagjen “Lef Sallata”, si dhe në zonën e Plazhit të Vjetër. Kjo është një problematikë e vjetër që përsëritet në Vlorë çdo vit, në vjeshtë dhe dimër.

Duket se sistemi i kanalizimeve në qytet nuk funksion. Ndërmarrja e Ujësjellës-kanalizimeve dhe Bashkia e Vlorës ende nuk kanë reaguar për situatën.

Ndërsa në Lezhë, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të motit të keq dhe amortizimit të rrjetit. Në Zejmen dhe Kolsh ka pasur ndërprerje disa orëshe, ndërsa në Manati banorët janë pa drita prej më shumë se 24 orësh. Një pjesë e defekteve janë riparuar nga OSHEE, ndërsa banorët ankohen për mungesë investimesh

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:48
Vlorë/ Përmbytjet vijojnë në disa zona të qytetit, rruga mbetet e mbuluar nga uji! Vështirësi në qarkullim

 

Situata e përmbytjeve në Vlorë vijon të mbetet ende problematike në lagjen “24 Maji” dhe në rrugën “Albano Romina”, në orët e pasdites.

Siç shihet edhe nga pamjet, rruga është e mbuluar nga uji, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Uji ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të rrugës.

Ora 14:06
Shtohen prurjet në kaskadën e Drinit, në Koman arrijnë 1 100 metra kub në sekondë, Fierza arrin në kuotën 263.13 metra (VIDEO)

 

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shtuar prurjet në kaskadën e Drinit, duke rritur nivelin e liqeneve të hidrocentraleve dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Aktualisht, prurjet në Fierzë arrijnë në 400 metra kub ujë në sekondë, në Koman në 1 100 metra kub në sekondë, ndërsa në Vaun e Dejës në 150 metra kub në sekondë.

Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 263.13 metra mbi nivelin e detit, duke shënuar një rritje prej 1.68 metrash brenda katër ditësh.

Pavarësisht rritjes së nivelit të liqeneve, deri më tani nuk ka pasur shkarkime uji nga hidrocentralet, ndërsa prurjet e shtuara kanë mundësuar rritjen e prodhimit të energjisë elektrike.

Ora 13:21
Mbi 24 orë pa energji elektrike, reshjet e shiut lënë në errësirë fshatrat e Lezhës (VIDEO)

 

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në disa zona rurale të Lezhës. Më të prekura janë fshatrat e njësive administrative Zejmen dhe Kolsh, ku për shkak të defekteve në rrjet, banorët kanë mbetur për orë të tëra pa energji elektrike.

Në fshatrat Grykë-Manati dhe Manati, situata vijon të mbetet problematike, pasi energjia elektrike nuk është rikthyer as gjatë kësaj të premteje, duke i lënë banorët në errësirë për më shumë se 24 orë.

Banorët thonë se ndërprerjet e energjisë janë kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm, duke ua vështirësuar jetën e përditshme. Ata e konsiderojnë absurde që në vitin 2026 të përballen ende me mungesën e energjisë elektrike, për të cilën fajësojnë mungesën e investimeve në rrjet.

Ndërkohë, OSHEE bën me dije se amortizimi i rrjetit elektrik dhe kushtet e këqija atmosferike kanë shkaktuar defekte të shumta.

Sipas OSHEE-së, pjesa më e madhe e defekteve janë identifikuar dhe riparuar, ndërsa grupet e punës vijojnë ndërhyrjet për rikthimin e furnizimit me energji elektrike në zonën e Manatisë.