Policia e Shtetit ka nisur sot zbatimin e aksionit për ndalimin e qarkullimit të monopatinave përkohësisht. Në kryeqytet blutë kanë filluar me sekuestrimin e tyre, ndërsa qytetarët duken të pakënaqur nga ky vendim.

“Kam gjysmë viti që e përdor për punë. Unë zbatoj rregullat e qarkullimit, vendos kaskë, përdor korsinë e biçikletave. Nuk më duket i arsyeshëm si vendim. Duhet të ketë gjoba, por jo një bllokim i tyre. Nuk e di se çfarë do të bëj me punën”, tha një qytetare për Report Tv.

Edhe në Vlorë Rrugorja ka nisur zbatimin e urdhrit duke shtuar kontrollet në akset kryesore të qytetit. Që prej orëve të para të mëngjesit dhjetëra qytetarë janë paralajmëruar që të respektojnë vendimin, por më tej masat do ashpërsohen ku mes tyre përfshihen: shoqërime në komisariat apo bllokim të mjeteve në rast të përsëritjes së shkeljes.

Vendimi  për ndalimin e tyre u mor një ditë më parë nga ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në bashkëpunim edhe me drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Arsyeja e ndalimit të monopatinave përkohësisht është shkak të rasteve të shtuara të aksidenteve nga monopatinat.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, janë regjistruar 991 raste aksidentesh të shkaktuara nga monopatinat.

"Policia e Shtetit do të përfshihet në operacion për ndalimin e qarkullimit të këtyre mjeteve dhe prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për këtë proces. Ne kemi bërë një analizë të hollësishme në lidhje me këtë fenomen dhe kemi arritur në përfundimin që përdorimi i këtyre mjeteve po shkakton një rrezik imediat për sigurinë publike. Mjafton të përmendim faktin që vetëm për vitin 2024 janë 991 raste të raportuar nga Urgjenca për aksidentet me këto mjete. Midis këtyre rasteve ka patur edhe fatalitete dhe dëmtime shumë të rënda”, tha dje Ilir Proda.

Shqipëria nuk është i vetmi vend i përballur me këtë situatë. Franca, Italia, Gjermania, Maqedonia e Veriut e shumë vende të tjera kanë marrë masa drastike me bllokim të përhershëm apo të pjesshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:12
Urdhri për ndalimin e monopative, nisin kontrollet në Elbasan

Policia Rrugore e Elbasanit ka nisur të zbatojë urdhrin për ndalimin e monopatinave në rrugët e qytetit.

Drejtuesit e Rrugores së Elbasanit, kanë zbritur në terren për të vëzhguar planin e masave.

Ndërsa në pamjet e siguruara nga Report Tv, efektivët e policisë kanë paralajmëruar drejtuesit që lëviznin me monopatina.

Vendimi  për ndalimin e tyre u mor një ditë më parë nga ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Ora 11:37
Ndalimi i qarkullimit të monopatinave, Rrugorja e Vlorës nis kontrollet! Fillimisht paralajmërime më pas bllokim i tyre (VIDEO)

 

Policia Rrugore e Vlorës ka nisur zbatimin e urdhrit duke shtuar kontrollet në akset kryesore të qytetit. Gjatë ditës së sotme janë ndaluar dhjetëra qytetarë që lëviznin me monopatina elektrike.

Kjo fazë e parë do të fokusohet kryesisht te paralajmërimet, por masat mund të përfshijnë edhe shoqërime në komisariat apo bllokim të mjeteve në rast të përsëritjes së shkeljes.

Kontrollet do të zhvillohen çdo ditë dhe do të intensifikohen në të gjitha rrugët kryesore të qyteteve, me fokus të veçantë në zonat urbane me qarkullim të lartë.