Një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve është goditur nga uniformat blu. Policia e Dibrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ura e Muhurrit”, duke sekuestruar 30 kg drogë. Në kuadër të këtij aksioni, policia ka arrestuar dy persona dhe shpallur në kërkim një tjetër, të cilët janë kapur duke transportuar lëndën narkotike.

Njoftimi i policisë:
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas po transportonin me një automjet lëndë narkotike në aksin rural Zall-Dardhë - Muhurr, menjëherë kanë organizuar punën për goditjen e këtij rasti. Si rezultat i ndërhyrjes së befasishme të policisë në vendin e quajtur “Ura e Muhurrit”, është bërë ndalimi i automjetit ‘Suzuki’, me targa AA 084 FS me drejtues shtetasin Asllan Cani. Gjatë kontrollit në pjesën e bagazhit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 thasë me lëndë narkotike me peshë totale 20 kilogramë cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan në flagrancë shtetasit: Asllan Cani, 47 vjeç, banues në Tiranë. Vepra penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim , parashikuar nga neni 283 e 25 të Kodit Penal. Ervin L, 22 vjeç, banues në Tiranë. Vepra penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283 e 25 të Kodit Penal.

U shpall në kërkim policor shtetasi R.C, 29 vjeç, banues në Tiranë. Veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, parashikuar nga nenet 283, 25 dhe 242 të Kodit Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe dy aparate celular dhe automjeti me të cilnin lëviznin. Materialet hetimore do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme për veprat penale të lartëpërmendura.

d.c./shqiptarja.com