Në ditët e fundit të qëndrimit të tij në Shqipëri, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka shpenzuar kohë për t’u përshëndetur me të gjithë politikanët kryesorë në Shqipëri.

Pasi takoi ish-kryeministrin Sali Berisha, Lu ka takuar sot edhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi e Presidentin Ilir Meta.

 “Kënaqësi të kaloja një drekë lamtumire me Ambasadorin e SHBA, z.Donald Lu me të cilin bashkëpunuam për mese tre vitesh për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Me këtë rast e urova Ambasadorin për suksese në detyrën e re”, shkruan Meta në njoftimin e tij për takimin me Lu.

Takimi i Metës me Lu

Meta dhe Lu, njësoj si Berisha gjatë kohës që Lu ka shërbyer në emër të diplomacisë amerikane në Shqipëri, kanë patur një sërë përplasjesh mes tyre. Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla akuzoi ambasadorin Lu se i kishte kërkuar edhe arrestimin e Metës, në kohën që ishte kryetar Kuvendi.