Këngëtarja e njohur Taylor Swift, e cila nënshkroi kontratën e saj të parë për botimin e këngëve në Nashville në moshën 14-vjeçare, është përfshirë në Sallën e Famës së Kantautorëve të Nashville-it, rreth 22 vjet më vonë dhe me 14 çmime Grammy në koleksionin e saj.

Këngëtarja u nderua gjatë ceremonisë gala të zhvilluar të hënën, së bashku me Lyle Lovett, Shawn Camp, Lee Thomas Miller, Bruce Channel dhe J.I. Allison.

“E dija që kur shkrova këngën time të parë se, edhe nëse shkrimi i këngëve nuk do të bëhej karriera ime, do të ishte pasioni im”, u shpreh Swift, duke kujtuar vitet e para në Nashville dhe bashkëpunimet që ndihmuan në formimin e saj si kantautore.

Ajo theksoi se bazat e mësuara në Nashville i dhanë mundësinë të kalonte nga muzika country në zhanre të tjera. Këngëtarja u prezantua nga Brad Paisley, i cili e cilësoi si “zërin e një brezi”, ndërsa Lainey Wilson interpretoi një version bluegrass të hitit të saj Love Story.

Ndërkohë u nderua edhe George Strait, i njohur si “Mbreti i Muzikës Country”, me çmimin Career Maker Award, për kontributin e tij në suksesin e këngëve të shkruara nga autorë të tjerë.

Strait falënderoi kantautorët që e kanë ndihmuar gjatë karrierës, duke thënë: “Ata e ndërtuan karrierën time. Unë nuk ua ndërtova atyre karrierën”.

Ceremonia vlerësoi kontributin e artistëve dhe kantautorëve që kanë lënë gjurmë në muzikën country, ndërsa për Swift përfaqësoi një rikthim simbolik te rrënjët e saj muzikore në Nashville.