Ndarja e re
Sipas specialistëve të Ministrisë për Çështjet Vendore, procesi i ndarjes administrativo-territoriale do të fillojë nga rrethet, si njësi bazë e qeverisjes vendore, ku bashkia qendër rrethi do të jetë qendra e re e njësisë bazë të qeverisjes vendore. Por brenda kësaj njësie, pra brenda rrethit, do të ketë dhe njësi të tjera vendore, por për ekzistencën apo krijimin e të cilave ky draft përcakton disa kritere strikte, siç është popullsia, vazhdimësia territoriale, tradita dhe distanca. Më konkretisht, njësi të reja bazë të qeverisjes vendore mund të krijohen brenda kufijve të rrethit, ose nga territore të dy ose më shumë rretheve nëse njësia e re e krijuar është një zonë funksionale më vete, distanca e territorit me qendrën e njësisë mundëson ofrimin e gamës së plotë të shërbimeve për banorët e saj, njësia e re e krijuar respekton parimin e vazhdimësisë territorial, duhet të ketë një numër të konsiderueshëm banorësh, mbështetur edhe në karakteristikat gjeografike të zonës dhe ka një traditë historike dhe karakterizohet nga lidhje tradicionale mes banorëve të të gjithë territoreve përbërëse. Sa u përket këtyre njësive të reja që do të krijohen, në projektligj parashikohet që për zonat me densitet të lartë, numri i popullsisë duhet të jetë minimalisht 30 mijë, për zonat me densitet mesatar, 20 mijë dhe ato me densitet të ulët, 10 mijë banorë. Përjashtohen nga ky rregull njësitë aktuale, të cilat në shumicë banohen nga minoritetet.
Rrethi Berat, 3 bashki
Rrethi i Beratit aktualisht ka një popullsi prej 155,299 banorësh. Duke e përfshirë këtë rreth në kategorinë e parë, Berati mund të ketë 2-3 bashki nga 12 njësi vendore që ka. Bashkia Berat mund të shtrihet me komunat Otllak, Poshnje dhe Sinje. Ndërsa Bashkia Ura Vajgurore mund të marrë Komunën Velabisht.
Rrethi Kuçovë, 1 bashki
Ky rreth do të ketë një bashki, atë të Kuçovës, ku do të shkrihen komunat Perondi dhe Kozare. Në total ky rreth ka një popullsi prej 48 mijë banorësh.
Rrethi Kolonjë, 1 bashki
Rrethi Kolonjë me 20208 banorë do të ketë vetëm një njësi administrative, atë të Bashkisë së Leskovikut.
Rrethi Skrapar, 2 bashki
Me një popullsi prej 27833 banorësh, ky rreth me kriteret e reja të ndarjes territoriale mund të ndahet në 2 bashki nga 10 njësi administrative që ka tani. Bashkia e Çorovodës dhe e Poliçanit janë qendra kryesore.
Rrethi Dibër, 2 bashki
Me një popullsi prej 76722 banorësh, nga 13 njësi vendore që numëron aktualisht, do të ketë vetëm dy të tilla, Bashkinë e Peshkopisë dhe Komunën e Kalasë së Dodës.
Rrethi Mat, 2 bashki
Me një popullsi prej rreth 60 mijë banorësh, ky rreth në hartën e re administrative pritet të përfaqësohet me dy bashki të mëdha të kategorisë së parë, atë të Burrelit dhe atë të Klosit, ku në to do të bashkohen grupohen dhe 10 komuna që ekzistojnë aktualisht.
Rrethi Bulqizë, 1 bashki
Rrethi i Bulqizës nga 8, do të bashkohet në një njësi të vetme vendore të kategorisë së parë, me një numër popullsie prej 40289 banorësh.
Rrethi Durrës, 3 bashki
Ndërsa në Qarkun e Durrësit do të kemi Bashkinë e Durrësit me 205601 banorë.
Në Bashkinë e Shijakut, që ka 13042 banorë, do të shtohen edhe komunat e Xhafzotajt, Rashbullës, Maminasit dhe Gjepalajt, duke e kthyer këtë bashki në një njësi vendore të kategorisë së parë me 65209 banorë. Ndërsa pritet të ketë dhe shkrirje të dy bashkive, atë të Manzit (11300 banorë) me Sukthin (26281 banorë) në një bashki të vetme, të cilës do t’i shtohen dhe komunat e Maminasit me 7020 banorë dhe ajo e Ishmit me 8790 banorë, duke u kthyer dhe kjo njësi e re vendore në njësi të kategorisë së parë me 53391 banorë. Pra, në Qarkun e Durrësit do të kemi gjithsej 5 njësi të reja vendore të kategorisë së parë sa i përket dendësisë së popullsisë në këto njësi vendore, nga 16 të tilla që janë aktualisht.
Rrethi Krujë, 2 bashki
Rrethit të Krujës, që aktualisht numëron 16262 banorë, do t’i bashkohet edhe Komuna e Cudhirit që numëron 3167 banorë, duke e kthyer Krujën në një bashki të kategorisë së dytë. Gjithashtu, Bashkia e Fushë-Krujës me 25261 banorë, do të zgjerohet edhe me Komunat e Bubqit, Niklës dhe Kodër Thumanë, duke u shndërruar në bashki të kategorisë së parë me 59312 banorë.
Rrethi Elbasan, 3 bashki
Në Elbasan do të kemi Bashkinë e Elbasanit, që do të përfshihet në njësitë vendore të kategorisë së parë me 125017 banorë. Ndërsa Bashkia e Belshit pritet të zgjerohet me Komunën Rrasë, Bradashesh dhe Graçen, duke u shndërruar në njësi vendore të kategorisë së parë me 31667 banorë. Bashkia e Cërrikut me 14906 banorë pritet të zgjerohet me disa komuna përreth: Fierzë, Funar, Gjergjan, Gjinar, Gostimë, Grekan, Kajan, Klos, Labinot-Fushë, Labinot-Mal, Mollas, Papër, Shalës, Shirgjan, Shushicë, Tregan, Zavalinë, që numërojnë gjithsej 111073 banorë. Por nisur nga numri i madh i komunave përreth dy bashkive, Belshit dhe Cërrikut, pritet që të krijohen një ose dy njësi të tjera vendore të kategorisë së parë, ku sipas ekspertëve, një njësi pritet të jetë ajo e Labinotit dhe tjetra ajo e Shushicës. Pra, nisur nga ndarja aktuale territoriale, me hartën e re do të kemi një reduktim nga 23 njësi vendore në tri të tilla.
Rrethi Peqin, 1 bashki
Rrethi i Peqinit, që është pjesë e Qarkut të Elbasanit, i cili do të shndërrohet automatikisht në një njësi të vetme nga 6 të tilla aktualisht, pra në Bashkinë e Peqinit me 31004 banorë, do të mbledhë pranë vetes dhe Komunën Shezë, Përparim, Pajovë, Karinë dhe Gjoçaj, duke u kthyer në njësi vendore e kategorisë së parë.
Rrethi Gramsh, 1 bashki
Rrethi i Gramshit do të ketë Bashkinë e kategorisë së parë atë të Gramshit, që do të zgjerohet së bashku me komunat: Kodovjat, Kukur, Kushovë, Pishaj, Poroçan, Shënepremte, Skënderbegas, Sult dhe Tunjë, me një numër të përgjithshëm banorësh 56720.
Rrethi Librazhd, 2 bashki
Me një popullsi prej 63192 banorësh, ky rreth do të ndahet në 2 bashki, atë të Librazhdit dhe Përrenjasit, dhe do të mbledhin pranë tyre 9 komunat: Stravaj, Steblevë, Rrajcë, Qukës, Qendër, Polis, Orenjë, Lunik e Hotolisht.
Rrethi Fier, 3 bashki
Është e paqartë skema e re ndarjes territoriale, por sipas përllogaritjes, pritet të ketë një ndarje me katër njësi vendore nga 17 të tilla, në të cilat do të jenë: Bashkia Fier me aktualisht 85031 banorë, Bashkia Patos me 30980 banorë dhe Bashkia Roskovec që aktualisht ka 8517. Por nisur nga fakti që këto dy bashki janë shumë afër Bashkisë së Fierit, ndarja e re nuk përjashton shkrirjen e të gjitha njësive vendore të Fierit në një të vetme, në bashkinë e madhe, të cilës do t’i bashkohen dhe komunat: Cakran, Dermenas, Frakull, Kuman, Kurjan, Levan, Libofshë, Mbrostar, Portëz Qendër, Ruzhdije, Strum, Topojë e Zharrëz.
Rrethi Lushnjë, 2 bashki
Në Rrethin e Lushnjës, që aktualisht numëron 143276 banorë, pritet të kemi 2 njësi vendore: Bashkinë e Divjakës dhe atë të Lushnjës, ku në këto dy njësi do të shkrihen dhe 14 komunat përreth këtyre dy bashkive. Bëhet fjalë për komunat: Allkaj, Ballagat, Bubullimë, Dushk, Fier-Shegan, Golem-Lushnjë, Grabjan, Gradisht, Hysgjokaj, Karbunarë, Kolonjë, Krutje, Remas e Tërbuf.
Rrethi Mallakastër, 1 bashki
Në rrethin e Mallakastrës pritet të kemi vetëm Bashkinë e Ballshit në të cilën do të shkrihen dhe komunat Aranitas, Fratar, Greshicë, Hekal, Kutë, Ngraçan, Qendër e Selitë, me një numër banorësh prej 31356 banorësh.
Rrethi Gjirokastër, 3 bashki
Aktualisht si rreth ka një popullsi prej 82259 banorësh. Për nga specifika do të ketë 3 njësi vendore, ku Dropulli i Poshtëm dhe i Sipërm do të shkrihen në një bashki. Ndërsa dy bashkitë e reja janë Gjirokastra dhe Libohova. E veçanta është se Lazarati mund t’i bashkëngjitet Bashkisë Gjirokastër.
Rrethi Tepelena, 2 bashki
Nga nëntë njësi administrative që ka aktualisht, Rrethi i Tepelenës mund të dalë me 2 bashki më vete. Tepelena dhe Memaliaj janë dy bashkitë e reja.
Rrethi Përmet, 2 bashki
Nisur nga mënyra e shtirjes, Rrethi i Përmetit mund të ketë 2 bashki me një popullsi prej 33302 banorësh. Përmeti dhe Këlcyra janë dy bashkitë e reja.
Rrethi Korça, 3 bashki
Në Rrethin e Korçës, që numëron gjithsej 198991 banorë, pritet të kemi një ndarje prej 3 njësish vendore: Në Bashkinë e Korçës, që numëron 87075 banorë, në Bashkinë e Maliqit, në të cilën pritet të bashkohen komunat Drenovë, Gore, Libonik dhe Liqenas, me një numër të përgjithshëm prej 33611 banorësh. Ndërsa një tjetër njësi vendore pritet të jetë ajo e Voskopojës, ku të bashkohen komunat: Lekas, Moglicë, Mollaj, Pirg, Pojan, Qendër (Korçë), Vithkuq, Voskop, Voskopojë e Vreshtas, popullsia e së cilës do të jetë 70454 banorë.
Rrethi Kolonjë, 1 bashki
Në Rrethin Kolonjë do të kemi vetëm një ndarje, Bashkinë e Ersekës, në të cilën do të bashkohet Bashkia Leskovik dhe komunat: Barmash, Çlirim, Mollas, Novoselë, Qendër Ersekë dhe Qendër Leskovik, një numër prej 20208 banorësh.
Rrethi Pogradeci, 2 bashki
Në Rrethin e Pogradecit, pritet të kemi dy njësi administrative: Bashkinë e Pogradecit me 38721 banorë dhe atë të Buçimasit me 51936 banorë, në të cilën do të përfshihen komunat: Buçimas, Çërravë, Dardhas, Udënisht, Proptisht, Trebinjë e Velçan.
Rrethi Devolli, 1 bashki
Në Rrethin e Devollit do të kemi vetëm një njësi vendore, atë të Bashkisë së Bilishtit me një numër popullsie prej 42589 banorësh, ku do të përfshihen edhe komunat: Hoçisht, Miras e Qendër Bilisht.
Rrethi Kukësi, 2 bashki
Në Rrethin e Kukësit do të kemi dy njësi vendore të kategorisë së parë, nga 17 të tilla. Bëhet fjalë për Bashkinë e Kukësit dhe atë të Krumës. Bashkia e Kukësit do të përfshijë komunat: Kolsh, Bushtricë, Bicaj, Ujmisht, Grykë-Çajë dhe Kalis, me një numër të përgjithshëm prej 35315 banorësh. Ndërsa Bashkia e Krumës do të përfshijë edhe komunat: Arrën, Malzi, Shishtavec, Shtiqën, Surroj, Terthorë, Topojan, Gjinaj e Zapod, ku numri i kësaj bashkie do të jetë 32918 banorë.
Rrethi Has, 1 bashki
Ndërsa Rrethi i Hasit do të bashkohet në një njësi të vetme vendore nga dy të tilla, e cila do të jetë e kategorisë së tretë me 12282 banorë.
Rrethi Tropojë, 1 bashki
Edhe Tropoja do të bashkohet në një njësi të vetme vendore, nga 8 të tilla. Pra do të kemi vetëm Bashkinë Bajram Curri, në të cilat do të përfshihen edhe komunat: Tropojë, Margegaj, Llugaj, Bujan, Fierzë (Tropojë), Bytyç e Lekbibaj. Kjo bashki do të jetë një bashki e kategorisë së dytë me një numër të përgjithshëm prej 28235 banorë.
Rrethi Lezhë, 3 bashki
Me një popullsi prej 104848 banorësh, ky rreth mund të pësojë një ndarje me tri njësi të mëdha vendore, ku përveç Bashkisë Lezhë mund të kemi dhe një bashki në zonën e Zejmenit dhe një njësi në zonën e Shëngjinit ose të Shënkollit, si njësitë me numër më të madh të popullsisë.
Rrethi Mirditë, 1-2 bashki
Me një popullsi prej 37434 banorësh, Rrethi i Mirditës do të ketë vetëm një ose dy njësi vendore në hartën e re administrative nga 6 të tilla që ka aktualisht. Nisur nga relievi i këtij rrethi, mund të kemi vetëm Bashkinë e Rrëshenit dhe atë Rubikut, ku këto njësi do të jenë bashki të kategorisë së parë.
Rrethi Kurbin, 1-2 bashki
Me një popullsi prej 72894 banorësh, ky rreth pritet të ketë dy njësi vendore të kategorisë së parë nga katër të tilla, që do të grupohen në Bashkinë e Laçit dhe atë të Mamurrasit.
Rrethi Shkodër, 3 bashki
Në Rrethin e Shkodrës, në hartën e re administrative, pritet të jenë 3 njësi administrative. Bashkisë Shkodër, që aktualisht numëron 111892 banorë, pritet t’i bashkohet dhe Komuna Rrethinat me 23051 banorë, ku numri i përgjithshëm i kësaj njësie vendore do të jetë 134943. Ndërsa në Bashkinë e Vaut të Dejës, e cila së bashku me Komunën e Temalit numëron 15028 banorë, do t’i shtohen dhe komunat e Hajmelit, Vig Mnelë, ku numri i përgjithshëm do të jetë 23429 banorë, duke e kthyer atë në njësi vendore të kategorisë së dytë. Ndërsa mund të kemi dhe një shkrirje në Komunën e Bushatit (23471 banorë) dhe të komunave të tjera, si: Komuna Ana-Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Komuna Velipojë, ku numri i përgjithshëm i kësaj njësie vendore pritet të jetë 67938 banorë. Ndërsa komunat Postribë, Pult, Shalë, Shllak dhe Shosh pritet t’i kalojnë Rrethit të Malësisë së Madhe nisur nga pozicioni gjeografik, që njihen ndryshe si komunat e Dukagjinit, ku këto komuna lidhjen më të afërt e kanë me Malësinë e Madhe sesa me Shkodrën.
Rrethi Malësi e Madhe, 1 bashki
Sa i përket Malësisë së Madhe, ajo të ndahet në një njësi të vetme administrative në Bashkinë e Koplikut, ku do të përfshihen edhe komunat Gruemirë, Kastrat, Kelmend, Qendër (Malësi e Madhe), Shkrel ku numri i popullsisë së kësaj bashkie pritet të shkojë në 53833 banorë. Por nëse i shtojmë këtu dhe popullsinë e komunave: Postribë, Pult, Shalë, Shllak dhe Shosh numri i popullsisë në këtë njësi vendore do të shkojë në 75656 banorë.
Rrethi Pukë, 1 bashki
Rrethi i Pukës do të bashkohet në një njësi të vetme vendore në Bashkinë e Pukës, dhe do të ketë një numër prej 28303 banorësh.
Rrethi Tiranë, 3-4 bashki
Nisur nga kjo tabelë, rezulton se Bashkisë së Tiranës, që numëron 717426 banorë, pritet t’i bashkohen edhe komunat: Kashari (22786 banorë), Farka (12096 banorë) e Dajti (12899 banorë). Ndërkohë, sipas të dhënave, pritet një bashkim i komunave të vendosura në aksin rrugor Tiranë-Elbasan në një komunë të vetme, atë të Petrelës që aktualisht numëron 6460 banorë, së cilës do t’i bashkohen: Komuna e Kërrabës me 3099 banorë, Komuna e Baldushkut me 5340 banorë, Komuna Bërzhitë me 5803 banorë dhe Komuna Bërxull me 9740 banorë, duke e kthyer kështu Komunën e Petrelës në një komunë të kategorisë së parë me rreth 30500 banorë. Ndërsa, Bashkia Kamzë, që numëron 83648 banorë, pritet të zgjerohet me Komunën e Paskuqanit, që edhe pse ka një popullsi prej më shumë se 39 mijë banorë, nuk është një zonë urbane që të përfitojë statusin e bashkisë. Gjithashtu, Kamza do të zgjerohet edhe me Komunën e Shëngjergjit, Zall Herrit dhe Zall Bastarit. Ndërsa Bashkia e Vorës, që aktualisht numëron 19232 banorë, pritet të zgjerohet me Komunën e Prezës me 6771 banorë, duke e kthyer Bashkinë e Vorës në njësi vendore të kategorisë së dytë. Ndërsa pritet një bashkim i komunave të tjera si ajo e Pezës, Vaqarrit dhe Ndroqit, duke u grupuar kështu në një njësi vendore të kategorisë së dytë me 24266 banorë që do t’i bashkohen Tiranës. E thënë ndryshe, në Qarkun e Tiranës do të ketë gjithsej katër bashki të mëdha, tre të kategorisë së parë dhe dy të kategorisë së dytë, sa i përket dendësisë së popullsisë së tyre, nga 29 të tilla që janë aktualisht nga ndarja territoriale.
Rrethi Kavajë, 2 bashki
Rrethi i Kavajës, me një popullsi prej 118293 banorësh, nga 10 njësi vendore (2 bashki dhe 8 komuna), pritet të ketë vetëm 2 bashki me ndarjen e re. Bashkia e Kavajës, që pritet të shtrihet deri në Komunën Golem, si dhe Bashkia e Rrogozhinës mund të jenë dy njësitë e reja.
Rrethi Vlorë, 3 bashki
Rrethi Vlorë ka 245750 banorë. Për nga densiteti mund të përfshihet te kriteri i 30 mijë banorëve. Bashkia Vlorë do të shtrihet deri në Orikum, duke e përfshirë si të sajën këtë njësi. Ndërsa për nga specifika, Himara mund të mbesë në njësi më vete administrative. Rrethi Vlorë mund të ketë 3-4 bashki, të nivelit të parë dhe të dytë.
Rrethi Sarandë, 2 bashki
Rrethi Sarandë ka 99569 banorë. Aktualisht ka dy bashki, Sarandën dhe Konispolin. Ky rreth, nëse futet në kriterin e 20 mijë banorëve, duhet të ketë gjithsej deri 2-3 bashki në të ardhmen nga 9 njësi të qeverisjes vendore që ka aktualisht, dy bashki dhe 7 komuna. Rrethi: mund të ketë bashkinë Sarandë, e cila shtrihet deri në Ksamil dhe bashkia tjetër mund të jetë ajo e Konispolit.
Rrethi Delvinë, 1 bashki
Me një popullsi si rreth më vete me 31476 banorë, Delvina mund të ketë një bashki. Pritet të ketë ndonjë lëshim për komunat minoritare.
Marre nga Gazeta Shqip
"Shqip"