Pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuar në jetën publike dhe ushtrimi i të drejtave të njeriut në përgjithësi ishte në fokus të fjalës që Avokati i Popullit, Endrit Shabani, mbajti në një forum ndërkombëtar në selinë e OKB-së në Nju Jork në kuadër të Konferencës së 19-të të Shteteve Palë të Konventës së OKB-së për PAK.
Gjatë diskutimeve, Shabani nënvizoi se respektimi i të drejtave nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklaratash, por duhet të garantohet përmes përfshirjes së barabartë në shoqëri. Ai veçoi të drejtën e votës si një nga elementët kyç për personat me aftësi të kufizuar.
“Çdo shoqëri merr një vendim të heshtur: nëse personat me aftësi të kufizuara do të ndihmohen apo do të respektohen. Dhe që të respektohen ata duhet të lejohen të marrin pjesë si të barabartë”, deklaroi ai.
Para angazhimit në OKB, Avokati i Popullit zhvilloi një vizitë pune në Uashington, ku u prit në Departamentin Amerikan të Shtetit nga përfaqësues të Byrosë së Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Punës (DRL). Në takim u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut, shtetin e së drejtës dhe rolin e institucioneve të pavarura.
Shabani vlerësoi gjithashtu rëndësinë e institucioneve që mbrojnë qytetarët, duke theksuar se ato duhet të shërbejnë si lidhje mes problemeve që hasen në terren dhe politikave që hartohen në nivelet më të larta vendimmarrëse.
Pjesëmarrja në Konferencën e 19-të të Shteteve Palë të Konventës së OKB-së për Personat me Aftësi të Kufizuar vjen në kuadër të angazhimeve të Avokatit të Popullit zotohet të vijojë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grupeve më të cenueshme në shoqëri.
Komente










