Për të dytën ditë radhazi, administrata e Gjykatës së Tiranës vijon bojkotin për shkak të ngërçit me pagat e muajit gusht. Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale nuk po ofrojnë shërbime, ndërsa kërkojnë sqarime se kur do të ekzekutohen pagat e tyre.

Për të mos penalizuar personat e arrestuar, do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë. Bojkotit sot iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Fierit.

Ngërçi me pagat në sistemin e drejtësisë solli dje edhe mbledhjen e kryetarëve të gjykatave në Gjykatën e Lartë, ku u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve.

Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mblodhi dje drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve. Në takim u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë dhe funksionimit normal të sistemit të drejtësisë”.

Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën e re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.

Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit dhe kërkoi që ato të ridërgoheshin sipas metodologjisë së mëparshme. Si pasojë, pa pagat e gushtit kanë mbetur jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:18
Ngërçi me pagat në drejtësi, administrata e Gjykatës Administrative në Lushnjë 2 orë bojkot (VIDEO)

 

Rreth 35 punonjës të administratës së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë kanë bojkotuar sot punën për rreth dy orë.

Punonjësit kërkojnë që t’u kalojë paga e muajit, e cila duhej të ishte marrë më datë 3 shtator.

Sipas tyre, vonesa e pagave lidhet me procesin e shqyrtimit të rritjes së pagave të gjyqtarëve, ndërsa kjo situatë ka sjellë vonesa edhe për administratën e gjykatës.

Bojkoti i sotëm zgjati vetëm dy orë, por punonjësit paralajmërojnë se protesta do të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin që pagat të kalojnë.

Administrata kërkon zgjidhjen e situatës dhe marrjen e pagave që u takojnë, duke shprehur shqetësimin për vonesat në pagesat mujore.

Ora 12:17
Ngërçi me pagat në drejtësi, edhe Gjykata e Vlorës mbyll dyert! Administrata në bojkot, shërbim për qytetarët vetëm 15 minuta në ditë (VIDEO)

 

Situata e krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë ka bërë që edhe Gjykata e Vlorës të mbyllë dyert. Shërbimi për qytetarët do të jetë vetëm 15 minuta në ditë, ndërsa gjatë ditës së sotme nuk është zhvilluar asnjë seancë gjyqësore për shkak të bojkotit të administratës.

Një vendim i tillë ka ardhur pas ngërçit të krijuar ditët e fundit me çështjen e pagave në sistemin e drejtësisë.

Ora 11:18
Ngërçi me pagat, edhe administrata e Gjykatës së Fierit në bojkot! Avokati: Qytetarët duhet të ishin njoftuar që s’do të ketë shërbime (VIDEO)

Edhe administrata e Gjykatës së Fierit ka nisur bojkotin pas ngërçit të krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë. Asnjë shërbim nuk po ofrohet për qytetarët dhe do të zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë. Një avokat, Jurid Sharka tha se e mbështet bojkotin, por sipas tij qytetarët duhet të ishin njoftuar paraprakisht se nuk do të ketë shërbime.

“Në një mënyrë të papritur, janë njoftuar qytetarët që do ketë bojkot, nuk do ketë as shërbim sekretarie as procese gjyqësore, përveç masave të sigurisë. Procese të tjera është vendosur të mos zhvillohen dhe ka ardhur në një formë të papritur. Bojkoti është i drejtë, në zbatim të të gjitha kritereve ligjore që përcaktohen në kushtetutën shqiptare, por që do ta mbështesin bojkotin duke marrë masa paraprake për njoftimin e zhvillimit të këtij bojkoti”, tha avokati.