"Jepuni pagën dhe pastaj kërkojuni llogari", ishte qëndrimi i avokatit Alban Duraj për debatin mbi pagat e magjistratëve në "Studio Live" në Report TV. Ndërsa analisti Faik Basha tha se gjyqësori nuk duhet të veprojë i vetëm, por të presë zgjidhjen nga Kuvendi dhe Ministria e Financave.

Duraj tha se reforma në drejtësi ka qenë një investim i SHBA-së dhe BE-së dhe se pagat janë pjesë e këtij procesi.

"Është një investim i amerikanëve dhe europianëve që kishin prioritet reformimin e sistemit dhe reformimi vjen që nga paga. Ata duhet të jenë të trajtuar nga ana financiare me dinjitet. Ata duhet të marrin pagën dhe pastaj kërkoju llogari", tha Duraj.

Sipas tij, gjykatat janë garanci për demokracinë dhe për këtë arsye magjistratët duhet të kenë paga dinjitoze.

Ndërkohë, analisti Faik Basha tha se çështja e pagave duhet të zgjidhet nga institucionet përgjegjëse dhe jo nga vetë sistemi i drejtësisë.

"Kjo lloj kategorie hyn tek njerëzit më të mençur për të dhënë drejtësi. Nuk mundesh meqë ke dhe vulën dhe lapsin t'i bësh të gjitha vetë. Lëre ta bëjë parlamenti dhe Ministria e Financave. Kur ta bëjë le ta bëjë, nuk është me zor. Vendimet e gjykatës zgjasin edhe 20 vjet", u shpreh Basha.

Debati për pagat e magjistratëve nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit formulën e re të pagës referuese, siç kishte përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Pas skadimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosën të zbatojnë vetë vendimin e Kushtetueses dhe të llogarisin pagat sipas formulës së re, ndërsa qeveria kundërshtoi këtë qasje, duke argumentuar se fondet buxhetore propozohen nga ekzekutivi dhe miratohen nga Kuvendi. Ndërkohë, sot Gjykata Kushtetuese i bëri thirrje Kuvendit që të zgjidhë sa më parë çështjen e përcaktimit të pagave referencë për sistemin e drejtësisë, duke zbatuar menjëherë vendimin e saj të shkurtit të vitit 2026. 


Lajmi kryesor:

'Shteti Bektashi i jep vlerë Shqipërisë', analisti dhe avokati përplasen në Report Tv: Kushtetuta nuk e lejon, kjo çështje duhet të shkojë në referendum