Vetëm 15 minuta shërbim në ditë ofron administrata në Gjykatën e Vlorës. Më tej, sportelet mbyllen.

“Kemi marrë rrogën e korrikut në fillim të gushtit, llogarit që ishin dhe pushimet e para. Tani presim rrogën e gushtit që ta marrim dhe s'e kemi marrë. Jemi pjesë e gjykatës domethënë punonjësit mbështetës që ne marrim një pagë minimale dhe rroga na duhet. Fëmijët i kemi në shkollë, i kemi shumë të nevojshme.”

“Kemi dalë sepse nuk dimë çfarë të bëjmë”, shprehen punonjësit.

Në Gjykatë, po shqyrtohen vetëm masat e sigurisë, ndërsa seancat e tjera janë pezulluar, në mungesë të sekretares apo punonjësve të tjerë të administratës, me role të domosdoshme gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore.

“Janë në të drejtën e tyre për të kërkuar në fund të fundit shpërblimin për punën që kanë bërë. Kjo nuk është me interes as të gjyqësorit dhe as të qytetarëve sepse ne ishim në pushim gjatë gushtit. Ishim në stok me vendimet e gjykatës. Këto ditë ky stok do rritet”, tha kreu i Dhomës së Avokatisë së Vlorës, Durim Bajrami.

Kjo është dita e dytë që administrata e Vlorës bllokon punën në pritje të një përgjigjeje se kur do të mund të marrin pagat.

Të parët që çelën bojkotin, ishin punonjësit në gjykatën e Tiranës, të cilët ende nuk kanë nisur të ofrojnë shërbime, përveç çështjeve urgjente. Edhe disa gjykata të tjera në vend kanë bojkotuar punën për vonesën e pagave.


Lajmi kryesor:

Ngërçi me pagat në drejtësi/ Në bojkot administratat në Gjykatën e Tiranës, Fierit, Vlorës e Lushnjës! Nesër mbledhje e jashtëzakonshme e gjyqtarëve (VIDEO)