Me Kuvendin ende të pakonstituuar dhe përplasjet politike pa një rrugëdalje, Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar edhe një herë Avni Deharit të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive, nesër, më 20 gusht, në orën 11:00, duke paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme vetëm sa e thellon krizën kushtetuese.

Kërkesa vjen pasi Kuvendi nuk u konstituua brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe pas dy ndërprerjeve të njëpasnjëshme të seancës konstituive. Sipas PDK-së, mosveprimi i mëtejshëm vetëm sa e thellon krizën kushtetuese.

Në letrën e firmosur nga sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, Deharit i kërkohet të përmbushë detyrimin e tij kushtetues dhe procedural.

“I nderuar z. Dehari, Në cilësinë tuaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës, në përputhje me Nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës në emër të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, kërkojmë nga ju që të përmbushni obligimin tuaj kushtetues dhe procedural dhe që, më 20 gusht 2026, në ora 11.00, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive, ashtu siç kërkohet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë. Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij. Prandaj, duke e thirrur vazhdimin e seancës konstituive, ju keni mundësinë dhe detyrimin që të parandaloni një shkelje të radhës dhe të mundësoni vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ju rikujtojmë se roli juaj si kryesues i seancës konstituive sipas moshës është i përcaktuar dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit. Përgjegjësia juaj është të mundësoni zhvillimin dhe vazhdimin e seancës deri në konstituimin e Kuvendit. Nuk është në kompetencën tuaj që, mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike, të vendosni nëse dhe kur duhet të vazhdojë procesi i konstituimit të Kuvendit. Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike dhe ato mund e duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë. Për këtë arsye, ju kërkojmë që, pa vonesa të mëtejshme, të thirrni vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht 2026, në ora 11.00, dhe të mundësoni ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetëve të zgjedhur të Republikës së Kosovës”,  thuhet në letrën e PDK-së.

Pse është bllokuar Kuvendi?

Ngërçi nisi më 6 gusht, kur u mblodh për herë të parë seanca konstituive e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet. Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke argumentuar se nuk ka kuptim të zgjidhet kryeparlamentari pa një marrëveshje paraprake mes partive edhe për Presidentin e ardhshëm.

Gjykata Kushtetuese kishte caktuar një afat për konstituimin e Kuvendit, i cili përfundoi më 7 gusht. Megjithatë, seanca u ndërpre dy herë nga Avni Dehari, pa kaluar në procedurën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Vetëvendosje këmbëngul se nuk do të ketë vazhdim të seancës pa një marrëveshje politike për Presidentin, ndërsa PDK dhe partitë e tjera opozitare kërkojnë që procedurat kushtetuese të vazhdojnë menjëherë, duke e cilësuar bllokimin si shkelje të Kushtetutës.