Besimtarët katolikë në mbarë botën kremtojnë ‘Pashkën’, festën më të rëndësishme të kalendarit të Kishës Katolike që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit.

Festimet nisën mbrëmjen e së shtunës me mbajtjen e meshave në të gjitha katedralet e vendit.

Lutjet dhe ritualet tradicionale në meshën e së shtunës u drejtuan në Tiranë në Katedralen Shën Pali nga Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit Arjan Dodaj, i cili uron besimtarët për rilindje në shpirt dhe triumf të shpresës.

Mesha e Vigjiljes së Pashkëve simbolizon kalimin nga errësira në dritë, duke përkujtuar ringjalljen e Krishtit dhe duke sjellë mesazhe shprese, besimi dhe paqeje për të gjithë besimtarët.

Besimtarë të të gjitha moshave ndajnë mesazhe urimi, dhe simbolikën e Pashkës.

 “Me shëndet të gjithë katolikëve të Shqipërisë dhe tanë botës. Festa e Pashkës gjithmonë ka fillon me bukën e bekuar të mëngjesit, me vezën, me djathin, dhe kemi drekën me mish. Gëzuar Pashkët. Kjo ditë e gëzimit, e ringjalljes, e lumturisë për të gjithë katolikët”, tha një tjetër.

Uroj që të jetë një Pashkë për Paqen në botë, në Shqipëri dhe shumë suksese gjithë familjeve edhe ketë unitet më tepër midis shqiptarëve. Gëzuar Pashkët, fat, mbarësi, lumturi, harmoni të gjitha familjet shqiptare. Gëzuar Pashkët me shëndet edhe mbarësinë familjeve juaj", ishin urimet e disa prej qytetarëve.

Në meshën e shenjtë të së dielës, Arqipeshkvi Metropolit Imzot Dodaj bën thirrje për të hapur zemrën ndaj besimit në një botë me shumë luftëra, e trazira.

“Në një botë të hutuar, më shumë luftëra, Pashka është ajo që ndryshon gjithçka. Krishti është i gjallë mes nesh, dhe nëse ai është i gjallë, asgjë nuk është e humbur, të jetojmë si bijtë e ringjalljes”, tha Dodaj.

Pas 40 ditë kreshmë besimtarët katolikë në këtë ditë feste mbushin tryezat e tyre me prodhime shtazore dhe bulmet të cilat janë bekuar një ditë më parë në katedrale.

Shqiptarja.com dhe Report Tv ju urojnë: Gëzuar Pashkën!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:01
Mesazhe shprese dhe paqeje, besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën në Lushnjë

 

Besimtarët katolikë në Lushnjë kremtuan mbrëmë Pashkën. Mesha në kishën Shën Pjetri e Pali u drejtua nga Don Marku e Don John.

Ndërkohë edhe mëngjesin e sotëm besimtarët morën pjesë në ritin tradicional të festimit të ngjalljes së Krishtit.

Me qirinj në duar ata uruan dhe përcollën mesazhe paqeje dhe harmonie.

Ora 09:29
Vau i Dejës/ Pashka Katolike kremtohet në katedralen ‘Nënë Tereza’, dhjetëra besimtarë të pranishëm

 

Pashka Katolike është kremtuar edhe në Vaun e Dejës, në Shkodër.

Mesha e Pashkës katolike është mbajtur në katedralen “Nënë Tereza”, dioqeza e Sapës.

Me dhjetëra besimtarë katolikë morën pjesë në meshë, ku shkëmbyen urime, bënë lutje dhe shkëmbyen apo thyen vezë të lyera me ngjyrë të kuqe.

Dita e Pashëve konsiderohet si një nga festat më të rëndësishme të kalendarit katolik.

Ora 08:50
Lezhë/ Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën në katedralen e 'Shën Nikollit'

 

Pashka, festa e shpresës dhe ringjalljes, u kremtua edhe në Lezhë. Me qirinj të ndezur në duar, simbol i dritës hyjnore, qindra besimtarë iu bashkuan ritualit fetar të mbrëmjes të së shtunës në Katedralen e “Shën Nikollit”.

Mesha e shenjtë e Ringjalljes u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj nate, duke e përshkruar si momentin kur besimi triumfon mbi mëkatin. Sipas tij, Pashka na fton të jetojmë me gëzim, paqe dhe besim.

Pas përfundimit të meshës, pas mesnate, besimtarët u larguan nga katedralja duke mbajtur me vete dritën e shpresës dhe urimin e lashtë: “Krishti u ringjall”.

Ora 08:38
Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkën në Fushë-Arrëz, mesazhe për paqe e solidaritet mes njëri-tjetrit (VIDEO)

 

Besimtarët katolikë në Fushë-Arrëz kremtuan Pashkën e Madhe.

Mesnata solli për besimtarët lajmin e gëzuar se “Krishti u ringjall”.

Urimet e përcjella nga besimtarët, ishin për dashuri, paqe e solidaritet mes njëri-tjetrit.

Ora 08:17
Kremtohen Pashkën në Kishën “San Luca” në Kuçovë, të pranishme rreth 300 familje katolike të qarkut të Beratit

 

Besimtarët katolikë të qarkut të Beratit kanë kremtuar mesnatën e djeshme festën e shenjtë të Pashkës.

Rreth 300 familje katolike nga qytetet e Beratit dhe Kuçovës u mblodhën në Kishën “San Luca” në Kuçovë, ku u mbajt Mesha e Shenjtë e Pashkëve, ceremonia më e rëndësishme në kalendarin e krishterë, që simbolizon ringjalljen e Krishtit.

Mesha u drejtua nga prifti Giuseppe Tossi, i cili udhëhoqi lutjet sipas traditës dhe liturgjisë së kësaj feste, duke përcjellë mesazhe shprese, paqeje dhe besimi.

Në mesnatë, besimtarët pritën me emocion lajmin e madh “Krishti u ringjall”, duke e shoqëruar atë me lutje dhe reflektim për një botë më të mirë.

Ceremonia u ndoq me përkushtim nga të pranishmit, të cilët u lutën për paqe, mirëqenie dhe harmoni në familjet e tyre.

Në përfundim të meshës, besimtarët shkëmbyen urime me njëri-tjetrin, duke përcjellë mesazhe dashurie dhe solidariteti për të gjithë besimtarët katolikë.

Ora 21:48
Drita e ngjalljes së Krishtit, besimtarët katolikë në Krujë kremtojnë vigjiljen e Pashkës (VIDEO)

Besimtarët katolikë kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të vigjiljes së Pashkës në kishat e të gjithë rrethit të Krujës.

Mesha e shenjtë e vigjiljes u zhvillua sipas traditës së hershme, ku fillimisht u ndez drita e qiririt të kishës, ceremoni kjo që u mbajt në oborrin e kishave ku ishte ndezur një zjarr i madh nga ku u mora flaka për qiririn e kishës e prej tij u ndezën të gjithë qirinjtë e besimtarëve, të cilët kremtojnë ringjalljen e Krishtit.

Ora 21:33
Mesha e parë e Pashkës, famullitari mesazh besimtarëve katolikë në Kryezi të Shkodrës: Le të jetojmë me shpresë! (VIDEO)

Vigjilja e Pashkës këtë vit nisi nga fshati Kryezi, aty ku u kremtua mesha e parë e kësaj feste të shenjtë në vendin tonë.

Drita e Krishtit, e shpërndarë nga famullitari i zonës, Frat Andreas Walterman, ndezi në zemrat e besimtarëve dritën e shpresës.

“Feja dhe shpresa janë dhurata të Krishtit për ne njerëzit. Pa shpresë nuk ka jetë, nuk ka të ardhme, nuk ka përparim dhe zhvillim”, u shpreh kreu i Kishës Katolike në zonën e Fushë-Arrëzit.

Pashkët na ftojnë të ndryshojmë realitetin tonë pesimist dhe të besojmë në një fillim të ri. Edhe pse bota sot po përballet me shumë vuajtje, e njëjta situatë reflektohet edhe në zonën tonë.

“Le të jetojmë me shpresë, ashtu siç na fton Pashka”, theksoi prifti katolik.

P.J/Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Me shendet pashket: 04/04/2026 22:20

    Me shendet pashket

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 4 Prill, 10:21

    Nafta arrin në 224 lekë/litri, a është e mjaftueshme vetëm ulja e akcizës?