Pas konstatimit të këtyre shkeljeve çështja ishte diskutuar në rang partie në rreth dhe kishte shkruar deri në Komitetin Qendror. Por çfarë kishte kaq të pazakontë në këtë rast dhe pse alarmi kishte shkruar deri në kupolën më të lartë të regjimit?
Burgu i Burrelit ndërtuar i në vitin 1938 dhe vënë në funksionim gjatë viteve të Luftës u rihap në vitin 1946, pasi komunistët morën pushtetin dhe e shndërruan atë në burgun më të tmerrshëm të viteve të komunizmit. Deri në vitin 1991 aty u burgosën kundërshtarët politikë më të rrezikshëm të regjimit. Izolimi i të burgosurve ishte qëllimi kryesor. Mbajtja e tyre në terr informativ, pa asnjë mundësi lidhjeje me jashtë dhe pa asnjë mundësi arratisjeje i interesonte më shumë regjimit se sa përfitimi ekonomik që mund të kishin nga vënia e tyre në punë.
Aq e rëndësishme ishte siguria ekstreme e këtij burgu, pra izolimi i plotë i të burgosurve, sa në planet rezervë të regjimit, për masat që do të merreshin në këtë burg në rast lufte, të burgosurit në Burrel do të ekzekutoheshin menjëherë nëse do të ndodhte ndonjë sulm (Kastriot Dervishi – “Burgjet dhe kampet e Shqipërisë komuniste, fq.110).
Në rregulloren e këtij burgu ishte parashikuar qartë se asnjë i burgosur politik nuk duhet të përdorej si fuqi punëtore, pra të mos lejohej të dilte nga qelia përveç orës së ajrimit. Po ashtu policët e burgut duhej të ishin të ashpër me të burgosurit politik dhe të burgosurit duhet të shiheshin prej tyre vetëm me syrin politik dhe jo të përfitimeve ekonimike që mund të kishin prej tyre...
Dokumenti kryesor që e ka vënë në diskutim këtë çështje është një informacion i mbërritur nga Komiteti i Partisë së rrethit Mat i cili ishte diskutuar më tej në Komitetin Qendror, ku edhe ishin dhënë udhëzimet e urdhërat e rastit.
Më poshtë i sjellim të plota dokumentet ku flitet për këtë ngjarje.
Dokumenti 1
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË I RRETHIT
“SEKRET”
MAT
Ekzemplar Nr. 1
Nr. 497 Prot.
Burrel, më 23.11.1973
KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS
SË SHQIPËRISË
Sektorit të Informacionit
TIRANË
Bashkëngjitur ju dërgojmë informacionin “Mbi disa shfaqje të liberalizmit në marrëdhëniet midis disa kuadrove të policisë së burgut të Burrelit me të burgosurit”.
P. KOMITETIN E PARTISË SË RRETHIT MAT
SEKRETARI I PARË
(Mustafa Pajenga)
(firma, vula)
INFORMACION
MBI DISA SHFAQJE TË LIBERALIZMIT NË MARRËDHËNIE MIDIS DISA KUADROVE TË POLICISË SË BURGUT TË BURRELIT ME TË BURGOSURIT
Më 12 tetor 1973 në një mbledhje që zhvilloi organizata bazë e partisë e Repartit 321 të burgut të Burrelit për disa çështje të jetës së partisë, na dolën edhe këto probleme:
Disa të dënuar politikë janë përdorur e përdoren si fuqi punëtore për të kryer shërbime të ndryshme artizanati, ndërtime e meremetime të ndryshme, mekanikë, motoristë, këpucarë, dizajnues për nevojat e burgut. Duke qenë në punë të tilla, ata janë vënë në pozita favorizuese, sepse punojnë jashtë burgut. Kështu p.sh. rrobaqepësi, këpucari e dizajnuesi nganjëherë rrinë të lirë e pa punë në oborr.
Duke punuar jashtë burgut, këta të burgosur janë në kontakt të përditshëm me kuadrot e policët që shërbejnë në këtë repart. Kjo ka bërë që nga disa prej tyre të mos mbahet distanca e përcaktuar në rregulloret dhe udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pra, ka pasur shenja afrimi me ta. Kështu p.sh. ka pasur raste që ndonjë polic të hekurosë rrobat ose të lustrojë këpucët te këta të burgosur. Në disa raste është lejuar që këta armiq të përdoren për kryerje shërbimesh të ndryshme personale edhe te ndonjë kuadër i organeve të punëve të brendshme; janë lejuar që të bëhen porosi të ndryshme tek ata, bile është arritur deri atje sa një ish-K.P. dhe polic të flinte në krevatin e një doktori të burgosur e të konspektonte fjalimin e shokut Enver te një i burgosur. Për këtë ai u përjashtua nga partia dhe u nxor në lirim.
Te një i burgosur politik, që punon si piktor, i dënuar 12 vjet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e pushtetit popullor, ndonjë kuadër ka bërë edhe piktura, jo vetëm për nevojat e repartit, por edhe për vete e shokët e tij. Mehmet Manza, i dënuar politik me 25 vjet për tradhti ndaj Atdheut, edhe një herë për arratisje nga burgu, është përdorur si elektricist.
Në këtë organizatë partie disa herë është bërë objekt diskutimi kuptimi jo gjithnjë i drejtë i qëndrimit të prerë që duhet mbajtur në këtë repart ndaj të burgosurve. Janë kritikuar shfaqjet e liberalizmit dhe janë marrë masa partie e shtetërore, por me gjithë këto, shembujt e përmendur më lart tregojnë se ka akoma shenja të zbutjes së qëndrimit dhe të mos zbatimit tepër rigoroz të rregullave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Lidhur me këtë problem, në organizatën e partisë disa komunistë, që kryejnë detyrën e policit pranë burgut, ishin të mendimit se të tëra ngatërresat dhe prishjet e ndërgjegjes që janë shfaqur në këtë repart e kanë burimin te niveli i tyre i ulët ideologjik, si dhe te punëtoria me të burgosurit, prandaj propozuan që të hiqet kjo punëtori. Ndërsa pati edhe ndonjë komunist drejtues, që tha: “Këta njerëz duhet t’i shfrytëzojmë, por që t’u pritet rruga shfaqjeve të liberalizmit në marrëdhëniet me ta, duhet të forcohet puna ideologjike në parti e në repart”.
Megjithëkëtë, duke qenë se në organizatë pati mendime të ndryshme, nuk u arrit në ndonjë përfundim në lidhje me heqjen e kësaj punëtorie, vetëm u shtrua detyra që ata të punojnë të normuar, të mos lihen kot në oborr, të nxirren nga burgu vetëm ato ditë kur ka punë dhe të goditet rreptë çdo shfaqje liberale, si dhe të mos lejohet që me këta elementë të kryhen punë personale sado të vogla qofshin këto punë. U shtrua detyra edhe për forcimin e mëtejshëm të punës politike e ideologjike në parti dhe në kolektiv.
Ne jemi të mendimit se:
E para: Në burgun e Burrelit, për vetë karakterin e tij, përveç doktorit, infermierit dhe kuzhinierit të brendshëm, nuk duhet të përdoret si fuqi punëtore asnjë i burgosur tjetër politik.
E dyta: E quajmë jo me vend që veshmbathja e ushtarëve që ruajnë burgun të riparohet nga të burgosurit.
E treta: Këta të burgosur shihen me syrin e leverdisë ekonomike dhe jo me syrin politik.
E katërta: I lihet shteg komprometimit të kuadrove me të burgosurit dhe si pasojë e gjithë këtyre, raportet e marrëdhënieve me këta armiq marrin pamje tjetër; ndjenja e urrejtjes së thellë ndaj tyre zbehet dhe kështu dobësohet vigjilenca dhe sigurimi ndaj tyre.
Ndoshta ky problem mund të shihet dhe për burgjet e tjera, që janë të një natyre me burgun e Burrelit.
P. KOMITETIN E PARTISË TË RRETHIT MAT
SEKRETARI I PARË
(Mustafa Pajenga)
(firma, vula)
Dokumenti 2
Shoku Qemal,
Këto vërejtje që bën Komiteti i Partisë i Burrelit shihini me shokët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të merren të gjitha masat e nevojshme që trajtimi i të burgosurve të bëhet në bazë të rregulloreve, ligjeve dhe jo sipas dëshirës së njërit e të tjetrit. U duhet dhënë fund këtyre lëshimeve dhe veprimeve shumë të gabuara. Ata që në Ministri përgjigjen për kampet e burgjet duhet të punojnë më mirë pse kanë përgjegjësi të madhe. Edhe kryetarët e Degëve në rrethe duhet të ushtrojnë kontroll të fortë në njerëzit që bëjnë pjesë në efektivin e tyre.
27.11.1973 (firma)
Dokumenti 3
Shënim:
Problemi u bisedua me shokun Feçor Shehu. Do të dërgohen në Burrel shokët Sabri Sevrani dhe Sulejman Manoku për të parë konkretisht problemet që ngrihen në letër dhe të kontrollojnë zbatimin e rregullores së burgut. Të raportojnë në udhëheqjen e Ministrisë për masat dhe të nxirren konkluzione edhe për burgjet e kampet e tjera. Të raportohet edhe në KQ.
10.12.1973 (firma)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)