Fenerbahce ka konfirmuar nënshkrimin me mesfushorin francez N'Golo Kante, i afruar nga skuadra e Ligës Profesionale Saudite, Al-Ittihad.

Shpresat e francezit për t'u bashkuar me klubin turk dukeshin se kishin mbaruar të martën, kur Fenerbahce lëshoi një deklaratë duke fajësuar Al-Ittihad për dështimin e transferimit.

Fenerbahce pretendoi se Al-Ittihad nuk arriti të paraqiste dokumentet e nevojshme për të përfunduar transferimin, që përfshin sulmuesin maroken Youssef En-Nesyri që lëvizi në drejtimin e kundërt.

Megjithatë, Fenerbahce konfirmoi të mërkurën se çështja ishte zgjidhur dhe se ish-lojtari i Chelseat, Kante, i ishte bashkuar klubit pas dy vitesh e gjysmë në Arabinë Saudite.

Vetë klubi turk falënderoi presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan për finalizimin e kësaj marrëveshjeje, që duket se është më shumë se sportive, pasi u desh ndërhyrja e politikës që diçka e tillë të arrihej.

"Klubi ynë ka përfunduar me sukses transferimin e N'Golo Kante, një nga figurat kryesore në futbollin botëror. Në emër tim dhe të klubit tim, dua të falënderoj presidentin tonë, Rexhep Taip Erdogan, për mbështetjen e tij të konsiderueshme, e cila e bëri të mundur këtë proces dhe do të kontribuojë në zhvillimin e Fenerbahces dhe futbollit turk", shkroi presidenti i klubit të Fenerbahces, Sadettin Saran.

Kante, 34 vjeç, iu bashkua Al-Ittihad nga Chelsea në vitin 2023, pasi kishte fituar Ligën e Kampionëve, Premier Leaguen, Europa League dhe Kupën FA me skuadrën londineze.

Ai iu bashkua “Bluve” nga Leicester City në vitin 2016, pasi i kishte udhëhequr “Dhelprat” drejt trofeut të Premier League.

En-Nesyri, 28 vjeç, është një zëvendësim për ish-sulmuesin e Real Madridit, Karim Benzema, i cili u largua nga klubi i Al Ittihad në fillim të kësaj jave për t'u bashkuar me rivalët sauditë, Al-Hilal.