Kjo sasi e konsiderueshme euro është administruar në llogaritë bankare të hapura nga shtetësja Tatjana Bajramaj, e cila jeton në Vlorë. Hetimi për këtë rast është ndjekur nga policia e Vlorës në bashkëpunim me prokurorinë e këtij qyteti. Sipas informacioneve të referuara nga policia e Vlorës, thuhet se sasia e eurove ka mbëritur në dy llogaritë bankare, nga një shtet i Afrikës, dhe më konkretisht nga Nigeria.
Nga të dhënat që siguron “Shqiptarja.com” thuhet se dy personat që kanë urdhëruar transfertën e këtyre parave nga Nigeria, janë banorë të Vlorës dhe me precedentë të theksuar kriminal. Personat emrat e të cilëve nuk jepet nga policia dhe prokuroria pasi janë në verifikim e sipër, dyshohet të jenë të dënuar për trafik droge.
Gruaja e papunë
Kanë qenë Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë Vlorë, që në bashkëpunim me Prokurorinë e VlorëS, ditën e djeshme kanë bërë të mundur sekustrimin e dy llogarive bankare të shtetases Tatjana Bajramaj, 57 vjeçe, banuese në Vlorë, me një shumë totale prej 298.324 Euro.
Nga verifikimet e kryera prej oficerëve të policisë kriminale në Vlorë ka rezultuar se gruaja që ishte pritësja e këtyre eurove, ishte e papunë dhe se aktualisht nuk ka asnjë aktivitet tregtar që ta justifikojë këtë shumë. Gjatë marjes në pyetje, 57-vjeçaria Tatjana Bajramaj ka treguar në polici se lekët ishin dërguar nga disa persona, biznesmenë me qëllimin e vetëm për të ndërtuar biznes në qytetin e Vlorës.
Por nga verifikimi i emrave që Bajramaj i ka dhënë policisë ka rezultuar se ata ushtrojnë aktivitet kriminal, kryesisht në trafikun e drogës. Ajo që ka habitur policinë është fakti se sasia e eurove ka mbëritur një një shtet afrikan, kontinent ky, që nuk e ka monedhë zyrtare euron.
Hetuesit ngrejnë dyshime të forta se sasia e eurove mund të jetë nxjerë nga aktiviteti kriminal në europë dhe më pas është transferuar në një bankë në Nigeri, ku presonat prej këtej kanë transferuar sasinë e eurove në dy llogari në një bankë në Shqipëri, ku më konkretisht pritësja e parave është shtetësja Tatjana Bajramaj, një grua e papunë në qytetin e Vlorës.
Letërporosi në Nigeri
Tashmë prokuroria dhe policia e Vlorës kanë nisur hetimet ndaj këtij rasti, ku për momentin po verifikohen disa persona. Në ditët në vijim prokuroria e Vlorës do i drejtohet me një kërkesë gjykatës së Vlorës, për të bllokuar për një periudhë kohe sasinë e eurove që ndodhen në dy llogari bankare.
Pritet që në ditët në vijim,prokuroria e Vlorës të dërgojë një letërporosi në Nigeri për të kërkuar informacion nga drejtësia e këtij shteti, lidhur me personat që janë paraqitur në bankën nigeriane, të cilët i kanë dhënë “ok” transferimit të kësaj shume financiare në Shqipëri.
d.c./shqiptarja.com