Belgjikë- Të paktën 6 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë në Belgjikë, pasi akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, por ka dyshime edhe për persona të tjerë të implikuar.
Aktiviteti i dyshuar kryhej në zonën e portit të qytetit të Antwerp, ku ishte ngritur edhe një laborator i madh droge.
Hetimi nisi në vitin 2023, kur policia mori informacione për një grup shqiptarësh që do të importonin kokainë nga një ndërtesë në Somersstraat, nëpërmjet portit.
Zëdhënësi i prokurorisë publike të Antwerp, Kristof Aerts, në një deklaratë për mediat tha se gjatë javës së kaluar u kryen 5 kontrolle dhe në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi i gjashtë personave shqiptarë, nga 22 deri në 57-vjeç, shkruan media belge.
“Me udhëzimin e gjyqtarit hetues, të enjten janë kryer 5 kontrolle në Antwerp, Berchem dhe Borgerhout. Gjatë bastisjes në Somersstraat, pranë Stacionit Qendror, u gjetën kimikate, materiale paketimi dhe presimin logo dhe materiale të tjera. Gjashtë burra të moshave 22 deri në 57 vjeç u sollën para gjykatësit hetues pas marrjes në pyetje. Të gjashtë u arrestuan dhe u dërguan në burg”, tha ai.
Policia Gjyqësore Federale (FGP) zbuloi detaje se në godinë, shqiptarët kishin ngritur një laborator droge, ku kokaina ekstraktohej dhe paketohej, para se të shpërndahej në tregun europian.