Disa studentë vijojnë protestën te Fakulteti i Ekonomik dhe ai i Drejtësisë, duke zgjedhur si formë ngujimin në auditore që prej mëngjesit të djeshëm. Ka qenë ora 01:00 e mëngjesit të kësaj të premte kur janë shënuar tensione te Fakulteti i Drejtësisë, pasi rojet private që ruajnë ambientet e Fakultetit kanë ndërhyrë duke hequr bankat e vendosura nga grupi i studentëve gjatë ditës për të bllokuar korridoret me synim për të mos lejuar studentët e tjerë që të hynin në auditore për të bërë mësim (Lexo këtu).
Ndërhyrja e rojeve ka sjellë tensionimin e situatës dhe përplasjen e efektivëve privatë me studentët. Këta të fundit kundërshtuan veprimin e tyre dhe vendosën të qëndrojnë gjithë natën në auditore. Ata u shprehën se kanë zgjedhur bojkotin dhe ngujimin në fakultete si formë proteste për realizimin e kërkesave të tyre pasi hoqën dorë nga protestat përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit. Sipas studentëve "Pakti për Universitetin" i miratuar nga qeveria në fund të dhjetorit 2018 nuk realizon kushtet e tyre.
Mëngjesin e sotëm te Fakulteti Ekonomik mbërriti edhe deputeti i PD, Luçiano Boçi për të mbështetur protestën, por ai hasi në kundërshtimin e studentëve. Palët debatuan për disa minuta, studentët larguan deputetin demokrat (Lexo këtu).
Lajmi kryesor:
Ngujimi/ Tek juridiku ndërhyn Policia Private dhe heq bangat, disa studentë qëndrojnë gjatë natës edhe tek Ekonomiku
Pas tensionimit të situatës tek Fakulteti Juridik dhe ai Ekonomik, ka ardhur reagimi edhe nga Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Në një deklaratë për mediat, Koni thotë se veprimet e Policisë janë totalisht të papërgjegjshme. Sipas tij, studentët kanë të drejtë të protestojnë.
"Në vijim të ngjarjeve që ndodhën sot në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Drejtësisë, si Rektor i Universitetit të Tiranës por edhe si pedagog prej shumë vitesh, shpreh indinjatën time të thellë personale për veprimet totalisht të papërgjegjshme të disa prej anëtarëve të forcave të rendit në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë. Studentët e UT janë në të drejtën e tyre legjitime për të protestuar si qytetarë të lirë të një vendi demokratik, për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për një arsim cilësor dhe bashkëkohor!”, ka shkruar Koni.
Një studente është plagosur tek godina 7 në Qytet Studenti sepse ka rënë etazhieri mbi kokë. Pranë godinës ka mbërritur ambulanca, e cila i ka dhënë ndihmën e parë studentes. Sipas PD-së, aksidenti ka ndodhur për shkak të kushteve të këqija në të cilat ndodhen godinat e QS-së.
Pamjet nga etazhieri i rrëzuar
Grupi i studentëve që kanë zgjedhur të ngujohen brenda ambienteve të Fakultetit të Inxhinierisë kanë debatuar mbrëmjen e sotme. Siç shihet edhe në pamjet e siguruara nga Shqiptarja.com studentët debatojnë me rojet e sigurisë së Fakultetit, pasi këta të fundit nuk i kanë lejuar që të futen brenda Fakultetit. Pas disa minutave debat, studentët janë larguar.
Një student protestues nga Fakulteti Ekonomik i Tiranës, i cili është përplasur fizikisht në orët e mëngjesit me një efektiv policie, i revoltuar e me lot në sy i është drejtuar zyrës së rektorit të këtij universiteti për të kërkuar drejtësi.
Teksa ka kërkuar që të merren masa përkundrejt dhunës së ushtruar, ai është shprehur: Fati mbetet jetim në Shqipëri. I pyetur nga gazetarja e Report Tv se cfarë i ka ndodhur ekzaktësisht, ai zgjodhi të mos e komentonte situatën.
Studenti, sëbashku me një grup tjetër protestuesish, më pas i janë drejtuar zv/rektorit duke i kërkuar që të vendoset drejtësi. Ky i fundit, i rrethuar nga mediat dhe studentët, është shprehur se përgjegjësi do të mbajnë ata që kanë ushtruar dhunë.
Administratori i Universitetit të Tiranës i kërkon Policisë së Shtetit që të garantojë sigurinë dhe rendin publik nëpër auditoret e fakulteteve, që sipas tij cënohet nga disa individë që po shkaktojnë anormalitet përmes mënyrës së tyre të të protestuarit. Report Tv ka siguruar kërkesën e Skerdi Dafas, ku cilëson se Universiteti i Tiranës ndodhet në kushtet kur situata paraqitet e rënduar dhe me pasoja negative përkundrejt një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ku përfshihen personeli dhe studentët që kërkojnë të ndjekin leksionet.
“Lutemi për asistencën e Policisë së Shtetit, për garantimin e sigurisë dhe të rendit publik nëpër auditoret e Fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Prezenca e Policisë së Shtetit ndihet e nevojshme në kushtet kur studentët kanë filluar mësimin normalisht, por nga parashtrimi i situatës në terren nga administratorët e fakulteteve, rezulton se ka bllokime të vazhdueshme të ambienteve të fakulteteve”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.
Kërkesa e administratorit të Universitetit të Tiranës, Skerdi Dafa, drejtuar Policisë së Shtetit
Prej ditës së djeshme një pjesë e studentëve të Fakultetit të Juridikut kanë zgjedhur që të protestojnë në një mënyrë të re atë të bojkotimit të mësimit, duke u ngujuar brenda ambienteve të universitetit.
Ndërkohë, që dita e kësaj të premteje është shoqëruar me shumë tensione mes studentëve në këtë fakultet ku që prej mëngjesit studentët kanë zhvendosur karriget dhe bankat nga klasat e fakultetit të Juridikut duke u shprehur se kanë zgjedhur bojkotin e mësimit si formë proteste për realizimin e kërkesave të tyre për arsimin e lartë.
Mësohet se studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë hapur me forcë derën kryesore për të hyrë në ambientet e Fakultetit të Juridikut duke iu bashkuar studentëve të këtij fakulteti për bojkotin e mësimit. Kjo situatë ka shkatuar kaos, tension dhe rrëmujë brenda ambienteve të fakultetit me studentët .
Protesta studentore ka devijuar rrënjësisht nga ajo lëvizja që u interpretua si rizgjim i shpresës në vendin tonë, pasi kërkesat e parashtruara prej tyre u konsideruan gjerësisht si të drejta dhe plotësisht legjitime. Mirëpo, kur studentët morën atë që kërkuan, plotësimin e pjesës dërrmuese të tetë kërkesave të tyre në mbledhjen e fundit të qeverisë në 30 dhjetor 2018 përmes Paktit për Universitetin, nuk u zhvilluan më protesta në shesh, por lëvizja mori një tjetër rrjedhë. Janë forumet partiake që në emër të studentëve po protestojnë me metoda destruktive duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë brenda fakulteteve dhe për rrjedhojë edhe shkatërrimin e pronës publike.
Disa persona me në krye Klajdi Bellon (i promovuar nga opozita si studenti me kokore në kokë) i cili studion në universitet privat, kanë bllokuar hyrjet e universitetit të Tiranës. Siç shihet nga videoja e mëposhtme e shpërndarë nga vetë Klajdi Bello të cilën e publikon "Shqiptarja.com" persona që nuk janë fare pjesë e universitetit shtëtëror, kanë dhunuar institucionet duke shkatërruar bazën materiale dhe po Klajdi me shokë sharë me fjalë nga më të papranueshmet për një student, ndërkohë që shkatërrojne karrike e tavolina. Siç dëgjohet qartë nga videoja e shpërndarë nga vetë Klajdi, fjalët që përdoren janë “do t’ju q** motrat, o motërq**ra…” A janë këta përfaqësuesit e studentëve, me këtë gjuhë e me këtë dhunë?
Me fjalët "Ik, ik. Jeni hipokritë, largohu. Dil nga dera e Fakultetit tonë", studentët e Fakultetit Ekonomik kanë larguar deputetin e PD, Luçiano Boçi nga ambientet e këtij fakulteti. Deputeti demokrat i shoqëruar nga një grup militantësh të PD, shkoi për të mbështetur protestën, por ka hasur në refuzimin e studentëve.
Boçi iu është drejtuar studentëve se kishte shkuar pranë Fakultetit për të larguar policinë e rendit, por ky pretendim i tij është konsideruar nga studentët si hipokrizi, pasi ata nuk duan përzierjen e protestës së tyre me politikën.
Vijojnë tensionet te brenda Fakultetit Ekonomik. Policia ka penguar futjen e studentëve në auditore pasi ata mbërritën aty me synimin e ngujimit në sallat e leksioneve. Mirëpo, pas disa minutash tensioni, rojet private dhe policia e rendit është tërhequr duke lejuar futjen e studentëve brenda Fakultetit. Pikërisht brenda Fakultetit Ekonomik një prej studentëve është përplasur fizikisht me një efektiv policie, por gjithçka ka kaluar brenda pak sekondave dhe situata është normalizuar.
Efektivë të policisë private të cilët ruajnë ambientet e Fakultetit Ekonomik dhe ata të rendit, kanë bllokuar hyrjen e studentëve për në Fakultet të cilët duan të ngujohen në ambientete e brendshme. Gjatë orëve të natës policia private hyri në auditoret ku ishin ngujuar studentët dhe larguan bangat dhe tavolinat me të cilat ata kishin bllokuar dyert. Ndërsa një pjesë e studentëve kaluan natën në auditore.
Është tensionuar situata tek Fakulteti i Drejtësisë gjatë orëve të natës. Policia private që ruan ambientet e Fakultetit ka ndërhyrë rreth orës 01:00 pas mesnate duke hequr bankat e vendosura nga grupi i studentëve që bllokonin korridoret për të hyrë studentët e tjerë. Brenda në auditore ishin ngujuar disa studentë që prej paradites së djeshme në shenjë proteste për tetë kërkesave, të cilat ata pretendojnë se nuk janë përmbushur nga qeveria pavarësisht miratimit të "Paktit për Universitetin". Pasi kanë larguar bangat nga korridoret, policia private është larguar dhe studentët kanë vazhduar të qëndrojnë nëpër auditore, duke kaluar natën aty.