Kombëtarja shqiptare e futbollit është pa trajner. Italiani Edy Reja ka përfunduar kontratën dhe pas tre vitesh do largohet nga stoli kuqezi. Tanimë FSHF është duke menduar për emrin e ri dhe katër trajnerë janë në negociata me institucionin e futbollit.

Bëhet fjalë për Esteban Cambiasso e Silvinho që nuk janë me eksperiencë, apo edhe Luigi di Biaggio. Trajneri që ka më shumë përvojë ndërkombëtare ndër emrat në listë është Reinaldo Rueda. Kolumbiani 65-vjeçar ka drejtuar veç vendit të tij edhe Hondurasin, Kilin dhe Ekuadorin në nivel kombëtaresh, teksa në CV e tij ka edhe drejtimin e pankinave të Atletico National apo edhe Flamengo.

Për eksperiencën që ka në nivel kombëtaresh, Rueda duket se është ai që peshon më shumë për të qenë trajneri i ri i Kombëtares. Veç tij edhe italiani di Biaggio është i preferuar. Deri në fundin e 2022 Shqipëria e futbollit do ketë një trajner të ri.