Rreth orës 09:15 të mëngjesit të së martës, presidenti i mëparshëm i Republikës Franceze, Nicolas Sarkozy, ka lënë shtëpinë e tij në perëndim të Parisit, dorë për dore me bashkëshorten e tij Carla Bruni. Brenda njëzet e pesë minutash ai ka mbërritur në lagjen Montparnasse, te burgu Santé, ku nga sot fillon të vuajë dënimin prej pesë vitesh.

Gjatë rrugës nga banesa në burg, Sarkozy ka postuar një mesazh në X: Sot në mëngjes nuk futet në burg një ish-president i Republikës, por një i pafajshëm. Në të njëjtin mesazh, Sarkozy premton se do të vazhdojë të 'denoncojë këtë skandal gjyqësor, këtë kalvar që po e vuaj prej më shumë se 10 vitesh'. Ai shton: Sot në mëngjes ndjej një dhimbje të thellë për Francën, e përulur nga shfaqja e një hakmarrjeje që e ka çuar urrejtjen në një nivel të paparë. Nuk kam dyshim, e vërteta do të triumfojë. Por çmimi për t’u paguar do të jetë i madh.

Familjarë, miq dhe mbështetës besnikë të ish-presidentit – rreth njëqind vetë në total – janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit përpara shtëpisë së tij, në lagjen e 16-të të Parisit, duke kënduar disa herë himnin kombëtar francez, Marsejezën.

Miqtë e Sarkozy-t iu përgjigjën thirrjes së djalit të tij 28-vjeçar, Louis Sarkozy, i cili kishte bërë thirrje për t’u mbledhur «në orën 08:30, në këndin midis rrugës Pierre-Guérin dhe rue de la Source, për të gjithë ata që duan t’i shprehin mbështetje. Do të jemi pranë tij për t’i treguar dashurinë, respektin dhe besnikërinë tonë të përjetshme», kishte njoftuar ai.

Sarkozy është dënuar për bashkëpunim në organizatë kriminale në gjyqin e shkallës së parë për financimet e paligjshme nga Libia në fushatën e tij fituese presidenciale të vitit 2007. Në pranverën e atij viti, dhjetëra kameramanë në motorë e ndoqën gjatë hyrjes së tij triumfale në Elize; sot, të njëjtët kameramanë ndoqën kortezhin drejt burgut.

Në rrezik për të zemëruar të burgosurit e tjerë, të cilët nuk përfitojnë nga ky lloj vëmendjeje, dje edhe presidenti aktual Emmanuel Macron ka shprehur mbështetje për Sarkozy-n, mik dhe këshilltar i tij i hershëm, duke e pritur në Elize për një bisedë që zgjati më shumë se një orë.
Përballë kritikave, Macron është përgjigjur se e konsideron «normale që, nga pikëpamja njerëzore, të pres një prej paraardhësve të mi në këtë kontekst».

Ish-presidenti ka marrë mbështetjen e shumë figurave të njohura, nga ish-kryeministrat Édouard Balladur dhe François Fillon, deri te liderja e Rassemblement National, Marine Le Pen – e cila edhe vetë është e dënuar (por jo me burg) dhe aktualisht është mjaft kritike ndaj sistemit gjyqësor.

Sarkozy ka bërë apel për vendimin, ndaj hyn në burg si i dyshuar, por ende i pafajshëm në mënyrë ligjore. Ai pritet të qëndrojë në burg vetëm për disa javë, e më pas – edhe për shkak të moshës (70 vjeç) – do të lejohet të kthehet në shtëpi me byzylyk elektronik.

«Jeta ime është një roman», ka thënë Sarkozy për gazetën Le Figaro disa orë para se të hynte në burg.

Sonte, ai do të kalojë natën e parë në një qeli 11 metra katrorë, me një dritare të vulosur. Ai ka treguar se ka marrë listën e sendeve të lejuara:
«Djellaba (tunike tradicionale magrebinase) është e lejuar, si dhe qilimi i lutjes, por busulla është e ndaluar».

Do të qëndrojë në izolim, pasi burgu nuk ka mënyra të tjera për të garantuar sigurinë e tij. Fqinjët e tij të mundshëm do të jenë trafikantë droge apo terroristë. Nuk do të ketë në dispozicion telefon celular, por do të mund të shikojë një televizor të vogël. Ka të drejtë për një shall (jo më të gjatë se 1 metër), një thikë me majë të rrumbullakosur, një pirun, një pllakë për gatim dhe një orë në ditë shëtitje në oborr, i shoqëruar nga tre roje.
Ka të drejtë për tre takime në javë me familjarë dhe miq – mes tyre edhe ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin. Atij i është sugjeruar të marrë tapa për veshët, për të mos dëgjuar britmat e të burgosurve të tjerë gjatë natës.

«Kam marrë me vete dy libra», ka rrëfyer Sarkozy: «Konti i Monte Kristos» dhe biografinë e Jezusit nga Jean-Christian Petitfils».