NIGERI - Një grup personash të armatosur kanë vrarë të paktën 20 besimtarë nigerianë, pasi u futën në një xhami duke hapur zjarr mbi besimtarët.

Sulmi ndodhi në veri të Nigerisë në një fshat të quajtur Dogo Dawa në shtetin e Kaduna-s. Sipas një zyrtari bëhet e ditur se ky sulm ka ardhur si pasojë e një hakmarrje kundrejt banorëve të këtij fshati.

Personat në fjalë, ishin një grup hajdutësh dhe banditësh të cilët ishin dëbuar nga fshati dhe disa prej tyre ishin dërguar nga banorët në polici.

Një klerik i zonës u shpreh se përpara se banditët të hapnin zjarr ata thanë se ishte një reprezale kundrejt një grupi banorësh.

Sipas policisë, banda vrau të paktën 22 persona, pjesën më të madhe në xhaminë e fshatit, ndërsa disa të tjerë në shtëpitë e tyre. Policia tha gjithashtu se 2 prej banditëve u vranë nga banorët në hakmarrje ndërsa 4 të tjerë janë arrestuar.

Pjesa më e madhe e Nigerisë së veriut është e zaptuar nga sekti radikal islamik, Boko Haram. Kaduna është e pozicionuar në mes të Nigerisë, aty ku takohen myslimanët e pozicionuar në veri dhe të krishterët e vendosur në jug, dhe ku tensionet rreth tokës dhe etnisë shumë shpesh shpërthejnë në dhunë.

(ed.ka/Shqiptarja.com)