Kombëtarja e Nigerisë ka siguruar një kualifikim bindës në çerekfinalet e Kupës së Afrikës, pas fitores së thellë 4-0 ndaj Mozambikut. “Shqiponjat” dominuan ndeshjen nga fillimi në fund, duke konfirmuar formën e tyre të shkëlqyer në këtë turne.

Nigeria e nisi fuqishëm takimin, teksa Victor Osimhen gjeti rrjetën që në minutën e dytë, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje. Epërsia u sigurua në minutën e 20-të, kur Ademola Lookman përfitoi nga asistimi i Adams dhe realizoi nga afërsia me një goditje të fortë. Vetëm pesë minuta më pas, Osimhen dyfishoi shifrat, duke shënuar lehtësisht brenda zonës (25’).

Në fillimin e pjesës së dytë, dy golashënuesit bashkëpunuan sërish, me Lookman që asistoi për Osimhen, i cili shënoi golin e tretë në portën e zbrazur (47’). Fitorja u 'vulos' në minutën e 75-të, kur Akor Adams përfitoi nga një tjetër asist i Lookman për të vendosur rezultatin përfundimtar 4-0. Në çerekfinale Nigeria pret fituesin e çiftit Algjeri - Republika Demokratike e Kongos.

Nga ana tjetër, edhe kombëtarja e Egjiptit ka prerë biletën për në çerekfinale, pas një fitoreje dramatike 3-1 ndaj Beninit, në një sfidë që u vendos vetëm pas 120 minutash lojë. Egjiptianët e nisën ndeshjen më mirë, duke krijuar raste të rrezikshme me Omar Marmoush, por pa arritur të konkretizojnë.

Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 69-të, kur Maruan Attia realizoi një supergol pas asistimit të Hany. Megjithatë, Benini barazoi në minutën e 83-të me Jodel Dossou, duke e çuar ndeshjen në shtesë. Heroi i Egjiptit u bë Yasser Ibrahim, i cili shënoi me kokë pas harkimit të Attias (97’), ndërsa në minutat e fundit Momo Salah vulosi fitoren me një gol spektakolar nga distanca (120+4’).

Në çerekfinale, Egjipti do të përballet me fituesin e çiftit Bregu i Fildishtë - Burkina Faso.