Niko Peleshi: Të gjitha
rrugët të sjellin në Korçë

Keni dyshim sesi duhet të kaloni ditët e nxehta të verës, ku jemi mësuar në mënyrë të përvitshme që të zgjedhim vetëm plazhin, detin e diellin? Epo ka edhe të tjera mundësi. Këtë ta jep qyteti i Korçës, i cili në këto ditë të nxehta të gushtit, ka qarkulluar më shumë se 150 mijë vetë. Të gjithë kishin një drejtim, Festën e Birrës. Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Korçës, i vendosur në mes të një tavoline të gjatë dy metra, ku në krah ka bashkëshorten Amardën e mandej pak më tutje vajzën dhe dy djemtë, duke kthyer njëherë si për të shuar etjen një gllënkë birrë në një gotë plastike, e tregon mënyrën sesi organizoi festën për të gjashtin vit radhazi në mënyrë shumë entuziaste, madje i plotësuar edhe nga njerëzit që janë rreth tij. “Eshtë viti I gjashtë radhazi që Bashkia e qytetit të Korçës organizon festën e birrës. Sigurisht nga viti në vit vijmë duke u perfeksionuar. E premtova këtë festë në fushatën time elektorale para se të zgjidhesha kryetar. Thashë që Korça do të ishte vendi ideal që të bëhen festa që zhvillohen përvit në qytete të mëdha Evropiane. Kështu nisi tradita, dhe ja ku jemi sot dhe gjithë këta njerëz vizitojnë dhe mbushin Korçën duke e pasuruar vit pas viti traditën- më sqaron me sy ngulmues por edhe zhbirilues sesi e perceptoja unë këtë aktivitet. Që në sytë e mi, dukej aq mirë, sa të krijohet përshtypja se shumë shpejt do tia marrë edhe festimeve të Ditës së Verës. E nuk bëhet fjalë për xhelozi. Bëhet fjalë për një aktivitet që ka një logo të vetën, që ka një program, axhendë, një mënyrë të vecantë organizimi, e ku secila nga firmat prezente në panair, sigurisht që ka kontributin e saj. Dhe sipas statistikave të Bashkisë së Korçës rezulton që rreth 150-200 mijë persona kanë kaluar të paktën një herë të vetme nga panairi i birrës. Jo se të gjitha rrugët të çojnë në Korçë, siç thotë kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, por sepse eventi i organizuar nga Bashkia e qytetit, i kishte kaluar përmasat e një feste lokale. Këtë vit, bashkia është kujdesur për të gjitha detajet: mysafirët mund të gjenin nga një çantë krahu, Brenda së cilës ishte një T-shirt “I love Korça”; një hapëse birre, një kruajtëse kurrizi por që kryente dhe funksionin e veshjes së këpucëve me logon e përzgjedhur për këtë vit “të gjitha rrugët të cojnë në Korçë”, e një zgjedhje e veçantë filxhanët e mëdhenj të kafesë me po të njëjtën logo “I love Korça”. “Le të mbetet festa edhe në suveniret e qytetarëve. Ka shumë që janë korçarë por ka shumë të tjerë që kanë ardhur nga jashtë, janë të huaj, dhe kanë qenë të interesuar për çka ishte bërë. Shqiptarët që jetojnë jashtë, janë gjithashtu të interesuar për të çuar sa më shumë dhurata nëpër shtëpi” sqaron kryetari Peleshi. Por kjo pune nuk behej dot vetëm. Dy bashkëpunëtoret kryesore të bashkisë së Korcës Sofjola Kotelli dhe Benila Terova ndihen shumë të kënaqura për mënyrën sesi u organizua festa. "Ka qenë ndër ngjarjet festive që na ka dhënë më shumë sadisfaksion në Korcë" thane ato për shqiptarja.com.

Mysafirët
Në tavolinë vijnë “kërnackat”, salcicet, ndonjë qepë tek tuk, birra lumë, dhe vjen e ulet plot surprizë Elsa Ballauri dhe Gjergj Liqejza, ish prefekti i qarkut të Shkodrës për ata që nuk e mbajnë mend. Nuk po them se duke pirë birrë e duke ngrënë qofte ia morëm ndonjë serenade korçare, se atë po e bënin më së miri vëllezërit Korçarë Endri e Stefi që kishin ardhur pikërisht për këtë event të ftuar nga bashkia e qytetit, dhe që ia kishim marrë shtruar përpara turmës prej 10 a 15 vetësh. Por, duke iu kthyer Elsës dhe Gjergjit, këta, sapo më panë me bluzën I love Korça, iu hodhën në qafë Nikos për të marrë të tyret. “Jam shumë e emocionuar, rrëfen Elsa, e cila si korçare që është, e kishte për herë të parë që vinte në festën e birrës pra tani që bëhet edicioni i gjashtë. Ky nuk është vetëm një aktivitet, kjo qenka një festë e vërtetë” vazhdon ajo pasi ka veshur bluzën e festës dhe ndihet trokitja e gotave të kaucukut. Gjergj Liqejza ka tjetër ide. “Niko, unë marr përsipër të sjell serenatën e Shkodrës, ti merr atë Korçare dhe eja ta bëjmë një konkurs se gjithmonë jemi zënë se kush e ka bërë serenatën e parë, Shkodra me Lulet e Majit apo Korça me serenatat me kitare poshtë dritareve të ballkonit. Debati fillon edhe njëherë nga e para. Koha dhe vendi. Ku ka më sens serenata. Brenda apo jashtë. Muaji, data. Sigurisht Brenda këtij viti. Ne që jemi në tryezë dhe dëgjojmë Nikon e Gjergjin miratojmë me kokë. Madje më duket se ne të gjithë fundja fare festë duam. Po I themi edhe njërit, po I themi edhe tjetrit. Birrat vijnë lumë. Gjakrat po nxehen. Mua s’më mban vendi. “Hë Anila, s’po të rrihet”, më ngacmon Niko. “Fare fare” ia kthej unë. “Mos u mërzit, edhe pesë minuta dhe të gjithë i ke mbi tavolina” thotë kryetari i bashkisë, që dje, e kishte ditën e pestë të këtij aktiviteti. Kthehem dhe çtë shoh: Kënga buçet në skenë. Pas meje të gjithë njerëzit mbi tavolina. Ca tavolina dhe stola druri që siç më thotë kryetari i Bashkisë janë marrë me qera nga bashkia për këtë eveniment. Epo, dje ishte nata e fundit e aktivitetit që nisi nga data 15 deri në 19 gusht. Shumë njerëz kishte vërdallë por kamera me thënë të drejtën nuk kish. Ndaj Niko Peleshi nuk duron dot. Ngjitet mbi tavolinë dhe kërce e këndo me vajzën e tij. Po të mos ishe aty, se merrje vesh që ai ishte kryetari. Festa shkon drejt përfundimit nga ora 4 e mëngjesit. Njerëzit nuk ishin nga sheshi i improvizuar përpara pallatit të Sportit. Janë nxehur me birrën dhe muzikën dhe s’lëvizin vendit. Policia bashkiake nuk ka ndërmend t’i përzërë. Po dalëngadalë largohen. Festa e këtij viti mbaroi për t’i lënë vend festës vitin e ardhshëm. “Do të jetë më e bukur” thotë kreu i bashkisë Peleshi. Kisha dhe unë një gotë plastike në dorë. Kthej kokën dhe shoh me qindra e qindra gota të hedhura në shesh aty në pistë. Dukej sikur sa kishte përfunduar një luftë “ngrënie- pirjeje”. Niko buzëqesh: “Mos u shqetëso. Kështu ndodh gjithandej nëpër botë. Por nesër në mëngjes kur të zgjohesh, do ta gjesh të pastër si më parë”. E ndodhi vërtet. Gjumi më doli nga mesdita. Korça ishte kthyer në aktivitetin e përditshëm. Gjurmët e festës dukeshin, jo te plehërat, por te turistët, njerëzit që lëviznin poshtë e përpjetë edhe pse ishte vapë. Tabelat ende nuk ishin hequr sepse “të gjitha rrugët të çojnë në Korçë”.

Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja,com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 18 Shkurt, 07:09

    Sulmet nga Berisha, sipas jush a rrezikon SPAK të shkrihet?



×

Lajmi i fundit

Bisedimet SHBA-Rusi në Riad/ Trump: Shkuan shumë mirë, Ukraina nuk duhet ta kishte nisur luftën! BE: Putin kërkon të na ndajë, mos të biem në grackë

Bisedimet SHBA-Rusi në Riad/ Trump: Shkuan shumë mirë, Ukraina nuk duhet ta kishte nisur luftën! BE: Putin kërkon të na ndajë, mos të biem në grackë