Nikolin Gurakuqi, rrëfen:
Dhjetë muajt pa djalin tim

Nikolin Gurakuqi, rrëfen: <br />Dhjetë muajt pa djalin tim
10 muaj më parë, pas dy ditësh ankthi moskomunikimi një lajm tronditi familjen Gurakuqi. Djali i tyre 26 vjeçar, Marsid Gurakuqi, student në Universitetin e Peruxhas në Itali, një kritik dhe filozof i ri shqiptar që kishte çuditur mbarë stafin akademik italian me aftësinë dhe teoritë tij mbi botën e sotme, kishte mbyllur sytë. Dera e dhomës së tij nuk u hap për të gjithë ata që trokitën me shpresën se nuk kishte ndodhur asgjë e keqe dhe as celulari në dorën e tij nuk u hap për t’iu përgjigjur telefonatave të shumta sidomos të babait të tij, Nikolin Gurakuqi, i njohur nga të gjithë si një nga figurat e rëndësishme të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.

Shëndeti jo i mirë i Marsidit, i atij djaloshi që dalëngadalë do të zbulohet për opinionin shqiptar jo thjesht si biri i një artisti, por si një intelektual i rrallë që shumë pak vetë arritën ta njihnin, preu në besë të gjithë ata që e deshën. Më së shumti familjen e tij dhe sidomos babain, i cili për muaj të tërë u end nëpër labirintet e dhimbjes, shpesh i përhumbur, shpesh i pafuqishëm për të dalë jashtë kësaj situate të rëndë humbjeje. Por Nikolini e ka gjetur rrugën e tij drejt ringritjes, falë bashkëshortes, djalit tjetër, familjarëve dhe miqve të afërt e të largët.

Këtë e dëshmon më së miri koncerti i Krishtlindjeve që Teatri i Operas dhe i Baletit vuri në skenë gjatë fundvitit të kaluar. Kush ishte në atë sallë nuk ngurroi të shkruante në rrjetet sociale, admirimin dhe përgëzimin për rikthimin në skenë të një artisti -baba të plagosur. Pakkush nga publiku ato dy net e dinte se gjithçka i dedikohej djalit të tij, Marsidit. Nikolini nuk e tha me gojë, por e shprehu me punën e tij, me magjinë e risjelljes së lindjes së Krishtit si një gjest dashurie për fëmijën e humbur. Këndoi dhe qeshi, duke rigjetur ekuilibrat shpirtërorë, të domosdoshëm oër të rigjetur paqen e shpirtit. E ardhmja premton më shumë. Sepse Nikolini po përgatit të gjitha studimet e djalit të tij për botim, po përgatit njohjen e këtij filozofi të ri në shoqërinë shqiptare, dhe kjo sipas regjisorit mund të konsiderohet si një jetë e dytë e Marsidit.

Ishit regjisori i koncertit të Krishtlindjeve në Teatrin e Operas. Përse vendosët të riktheheshin pikërisht me këtë koncert?
Unë e bëra qëllimisht kundër vetes sime, sepse doja nëpërmjet këtij koncerti ta përshëndesja tim bir. E bëra kundër vullnetit tim sepse doja të mbysja dhimbjen e cila shpeshherë shndërrohej në ankth, doja ta mbysja këtë ankth dhe doja që Marsidin ta përshëndesja me këtë koncert i cili në qendër kishte lindjen e Jezu Krishtit. Ky ishte një fëmijë që ndryshoi historinë e botës dhe Marsidi duhet të jetë i lumtur atje ku është sepse është pranë tij"

Duhet të kenë qenë prova të vështira për ju…
E kam bërë me një dashuri të jashtëzakonshme koncertin, me një dashuri që brenda kishte dhe dhimbjen, por edhe krenarinë, dhe kërkova në maksimum që koncerti të godiste që sa hapet perdja. Dhe kështu ndodhi, u hap perdja dhe pa kënduar askush, koncerti duartrokietet nga publiku. Një ngjarje e rrallë në skenën e operës. Duartrokitja pa interpret ishte një mrekulli. Aq e bukur skenografia, me aq dashuri saqë mu duk sikur vetë skena ishte e bekuar. Ndërtuam një skenë me dy mjedise intime të ngrohta dhe me dëborën karakteristike të Krishtlindjeve që jep atë ndjesinë e një të ftohti të ngrohtë. Dhe la goxha mbresë dhe ka pasur shumë komente.

Ia kushtuat Marsidit… kështu shkruani përkrah videos…
Unë nuk dola në publik të thosha që ia dedikova Marsidit, por në shpirtin tim unë ia dedikova djalit, sepse kjo ka qenë një festë që ne gjithnjë e kemi festuar me Marsidin. Edhe vitin që kaloi e festuam bashkë, dhe ai ishte shumë i dhënë pas kësaj feste. Ndërsa për vitin e ri dilte me shoqëri pas orës 12. Rrinte me ne deri në atë orë dhe pastaj dilte tek blloku, sepse ai ishte një djalë sa studioz, sa i lexuar edhe i dhënë pas librit, duke qëndruar 8 orë pa lëvizur, por edhe i dhënë pas shoqërisë, edhe pas një gote me shoqërinë në Bllok.

Ajo që ka impresionuar njerëzit, ishte momenti juaj në skenë…
Kam kënduar me gjithë shpirt, më ka dalë e kënduara si një homazh për Marsidin, por edhe si një ftesë që edhe ai të këndojë me mua. Në momente të caktuara jam edhe pak i ekzaltuar në këndim e sipër, kam përplasur duart, isha shumë i qeshur, se më dukej sikur po bëja një vepër për të. Ilaçi më i mirë ishte ajo dalja në skenë për mua. Ishte një kurim i asaj lodhje të madhe psikologjike, vuajtje të madhe. Përjetova muaj të tërë, i mbyllur edhe në vetmi, por edhe me një fuqi që herë herë tentoja ta nxirrja veten jashtë, por ishin momente që unë nuk e komandoja veten. Ndërsa tashmë që çdo gjë ka kaluar, pas daljes sime të parë në media, e lexoj në një formë tjetër të gjithë ekszistencën dhe mosekzistencën e tij. As unë nuk jam ai që kam qenë më parë. As kujtimi i tij tek unë nuk është ai që ka qenë më parë. Tashmë dhimbja bashkëjeton me mua. Unë nuk mund të them dhe nuk do të them kurrë se ai djalë nuk do të më dhimbset sepse kështu nuk kam thënë për të tjerët që kanë humbur fëmijët. Nuk e kuptoj kulturën tonë arkaike që përpiqet t'i ikë dhimbjes me 1001 mënyra. Por po t'i ikësh dhimbjes duhet t'i ikësh të vdekurit. Si mund t'i ikësh atij që deri dje ishte i dashuri yt i zemrës dhe shpirtit, si kaq kollaj njerëzit e arkivojnë?!

Ndoshta nuk e përballojnë dot humbjen….
Njerëzit shpeshherë i drejtohen psikologut, neurologut, i drejtohenn ilaceve që kanë padiskutim rolin e tyre, por nga ana tjetër si mund t'i mbushësh mendjen vetes se përsa kohë jeton me dhimbjen, unë jam i sëmurë. Jo, nuk je i sëmurë! Sepse me ikjen e të dashurit të zemrës nuk të ikën edhe dashuria për të, përkundrazi të shtohet. Unë sot jam këtu para teje, në bisedë me ty si mike të vjetër që të kam dhe po rrëfej shpirtin tim i cili muaj më parë ishte shumë i sëmurë, ndërsa tani ka gjetur një mënyrë tjetër bashkëjetese me njeriun tim të zemrës, me atë që kam dashur më shumë në këtë botë, që është Marsidi.

Cili është sekreti për t'ia dalë mbanë me këtë humbje?
Dy rrugë ka; o njeriun e zemrës që largohet nga jeta, ta arkivosh e të mos flasësh për të, e ti largohesh në mënyrë mekanike dhimbjes, ose të bësh vepra për të. Pra ti vërtet nuk e ke para syve, nuk ke komunikimin e përditshëm që ke pasur përpara, por ke një komunikim tjetër atë shpirtëror që është shumë i bukur. Është i tillë sepse mban gjallë dashurinë për atë që ti nuk e ke më para teje, por ke veprën dhe kujtimin e tij dhe bën vepra për të, për ta mbajtur kujtimin gjallë. Unë këtë i kam vënë vetes detyrë, që sa të jem gjallë do të bëj vepra për atë djalë.

Ka tashmë një plan për tu ndjekur?
Ai nuk ishte një djalë i zakonshëm, ishte shumë i kulturuar dhe jashtëmase i lexuar. Kishte një bibliotekë prej 1500 librash të blerë në Itali, në tre gjuhë të huaja, italisht, anglisht, frëngjisht dhe që e bëri për gjashtë vjet që qëndroi në Itali. Dhurata më e mirë që ai kërkonte ishte libri. Unë shkoja me time shoqe për ta takuar, futeshim në supermarket, ne shkonim te rrobat, ai tek librat. Ai na thoshte:"Do mi bleni këto dy libra?". Shkruante në Fb: "Më erdhën librat që aq shumë i kërkoja. Jam në qiellin e shtatë". Një i ri 25 vjec ishte në qiellin e shtatë sepse i kishin ardhur dy libra të dy studiuesëve të mëdhenj të sociologjisë dhe filozofisë, që atij i duheshin për studimet e tij. Këtu kuptohet tërë psikologjia e atij djali, shkenca, kultura, mendimi i lirë. Ky është Marsidi. Edhe pse ka 10 muaj që është larguar nga kjo botë ai më jep leksion çdo ditë. Ai vazhdon të më japë leksione sesi ta kuptoj këtë botë, të cilën kurrë nuk e pyesim përse është kështu. Ai thotë:"Bota nuk ka nevojë për mite dhe për gjëra të dhëna në mënyrë të pandryshueshme. Bota ka nevojë për pyetje" Me këtë fjali mbyll studimin e tij "Arti dhe ideologjia". Kjo është bota e tij që unë nuk e kam zbuluar akoma. Jam në zbulim të pandërprerë, duke studiuar veprën që ka shkruar, duke studiuar diplomën dhe shkrime të tjera që i ka nisur por për fat të keq i ka lënë pambaruar për shkakun që dihet. Disa të tjera i ka mbaruara, unë po i hedh në kompiuter dhe po ia redaktoj. Më çudit shumë me shkrimet e tij. Më çudit dhe më jep leksion.

Duket sikur po e zbuloni tani…
Për fatin tim të keq unë tani po e njoh tim bir. Nuk ishte faji i tij që unë këtë anë të tij e njoha shumë pak por as faji im nuk ishte. Ai kishte pikë të dobët shëndetin dhe si prind duke e ditur se ai ishte një studiues i mirë, isha i qetë, por merresha vetëm me shëndetin e tij. Ky ishte difekti im. Dy vitet e fundit ai u afrua më shumë me mua dhe më hapte tema të caktuara por deri aty ku e kuptonte që unë mund ta përtypja atë lloj materiali. Duke i përkitur sferës së artit , shumë pak ne I përkasim sferës së filozofisë. Nganjëherë na duket si gogol por nuk është. Bëjnë shumë gabim që njerëzit nuk lexojnë filozofi por lexojnë romane kot me dashuricka që janë veç për tu shitur.

Ju po punoni që ta sillni për publikun këtë dimension?
Kjo është optika ime; që Marsidin ta sjellim tashmë për publikun që njerëzit ta njohin atë që ai nuk donte. Ai nuk donte të njihej në Shqipëri, arsyet i dinte ai, por ndoshta sepse ai e quante një terren ku më demokratike quhet gjuajtja me gurë sesa debati shkencor. Marsidi ishte për debat shkencor. Deri tani ai është botuar në Kosovë dhe në Itali.

Ju do të sillni botimet e tij edhe në Tiranë?
Patjetër sepse është detyra ime që t'i sjell, sepse ato që ai ka shkruar janë të nivelit akademik, tema e diplomës, shkrimet mbi e ekonominë e tregut, teorinë e luftës së klasave e cila ekziston edhe në kapitalizëm. Unë mendoj që ai ka bërë një punë shumë të avancuar për moshën e tij.

Thuhet se burrat janë të fortë… në këto raste
Gjithë këta muaj unë kam pasur edhe një ndjenjë revolte karshi mënyrës sesi ngushëllojnë shqiptarët, unë vërtet humba prindërit dhe të humbësh prindërit edhe 100 vjeç prapë është e dhimbshme. Ngushëllimet në atë kohë mu dukën nromale sepse ishin të moshuar. Por ne kemi vetëm një mënyrë ngushëllimi pavarësisht moshës së atij që ikën nëpër botë dhe shpeshherë kam ngelur keq dhe kisha një revoltë të brendshme kur më thoshin "Bëhu i fortë". Por si të bëhem? Me çelës? Ç'do të thotë kjo? Të shkoj në farmaci? Ka një recetë për këtë punë apo është një akt mekanik? Por malësori në Shqipëri thotë "Burrat qajnë, gratë lëshojnë piskamën". Dhe në të tilla raste ai djalë 26 vjeç, dhe kushdo që të ishte, sepse sa të rinj e të reja kemi parë që kanë ikur dhe na ka pikuar gjak zemra, i meritojnë lotët. Ata e meritojnë dhimbjen sepse meritojnë nderimin e pafund. Kush ka frikë nga dhimbja? Pse kanë frikë njerëzit nga dhimbja? E duan atë që ka ikur apo kanë hallin e tyre?

Ndoshta një dimension egoist mund të ketë..
Unë nuk e kam. Nuk më dhimbset vetja, më dhimbset ai 26 vjeçar, Dhimbja ime vërtet është shumë e rëndë, por e nderon atë. Dhe është e bukur sepse dhimbja është pasojë e dashurisë, dhe kur të ikën nga kjo botë, dashuria shtohet, bëhet më e madhe. Sepse ti nuk e percepton më, nuk e prek më, sepse mendon se ai që iku në atë moshë do të gëzonte edhe ai diçka nga jeta, edhe në anën profesionale dhe në atë personale. Jeta nuk është bërë që prindërit të fusin në dhe fëmijët. Jeta është bërë që fëmijët të përcjellin prindërit. Por edhe kjo që ndodh është pjesë e jetës dhe jeta ka shumë të papritura. Dëgjoj shumë që thonë, "Merre jetën si të vijë", por nuk i ka gjetur gjë, ata që thonë kështu. Njerëzit të cilët më kanë ngushëlluar dhe kam ndarë nga një pikë loti me ta, kanë qenë ata të cilët kanë humbur fëmijët e tyre. Më kanë thënë që vetëm ne ta kuptojmë dhimbjen, dimensionin e dhimbjes, sepse është një dhimbje multidimensionale që lë gjurmë shumë të mëdha në psiqikën e ndërgjegjjen e njeriut. Ndryshon tërësisht rrjedha e jetës.

Si i shikoni këto muaj të vështirë që mbetën pas?
I shikoj si një njeri që shkoi në luftë dhe u vra, u vra dhe ishte në prag të vdekjes por me ndihmën e njerëzve të afërt por edhe të largët, edhe të shoqërisë e të miqësisë, pasi pa fundin e humnerës, filloi dalëngadalë ngritjen. Është akoma në humnerë, por po ngrihet sipër për të dalë. Unë jam shquar si një njeri me karakter të fortë por një njeri që fëmijët i kam vuajtur shumë. Nëse ka pasur një gjë që më ka bërë të vuaj, kanë qenë fëmijët. Pas atij Nikolinit stoik, të paepur, fshihej një njeri tjetër, i brishtë, i dhimbsur, i ndjeshëm.

Raporti juaj me Marsidin
Është një raport pak i çuditshëm sepse duke pasur një fëmijë delikat nga shëndeti, por tepër inteligjent, shumë kurioz, një fëmijë që në moshë 10 vjeçare ishte antar i Bibliotekës Kombëtare dhe duke pasur një komunikim sentimental, gjithnjë më dhimbsej se ishte i sëmurë me frymë, ndërsa djali i madh ishte shumë i shëndetshëm. Ky ishte e kundërta, gjithnjë në dimër rrinte i sëmurë, iu shndërrua kolla në azëm dhe gjithë sytë tek ai i kishin. Niveli i komunikimit të tij ishte shumë i lartë sepse ai që në moshë të vogël fliste me një gjuhë shkencore, gjuhë librash që ishin për një moshë më të lartë, dhe detyrimisht iu imponua të gjithëve. Të gjithë e kishin idhull. Ai ishte enciklopedi. Ai na imponohej me fuqinë e mendimit të tij, kishte një mendim shumë të fuqishëm.

I druheshit gjykimit të tij për veprat që vinit në skenë?
Ai vlerësonte faktin që atë që kisha në fillim e çoja deri në fund. Dhe kur vinte, e shikonte të realizuar. Me mua ishte kritik sepse shpeshherë nuk gjente bindjet e tij tek unë. Më kritikonte.

Çfarë do t'u thoshit atyre që vuajnë një humbje të tillë?
E gjithë terapia e atyre që kanë vuajtje të tilla është sesi të shpëtosh nga kjo gjë. Por nga kush të shpëtosh? Nga evlati yt, nga dhimbja? Jo, ajo dhimbje është dashuria për të. Ky është kundërshtimi që unë i bëj. Unë kam besim të fortë në zot, por kam të fortë edhe dashurinë dhe kjo më mban. Në momentin që nuk do të kem dashuri, do të kem vdekur.


Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com(print), 14 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz