Nikolla-Bajrami: Shqipëria e Kosova
edhe me “Ditët e hapura” të arsimit

Nikolla-Bajrami: Shqipëria e Kosova<br />edhe me “Ditët e hapura” të arsimit
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, dhe ministri kosovar i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Arsim Bajrami, sot në Prishtinë theksuan  se do të vijohet në rrugën e unifikimit të tërë sistemit arsimor të standardeve e drejt integrimeve evropiane, dhe u dakorduan edhe që të fillohet edhe me “Ditët e hapura”, në Tiranë e në Prishtinë, ku do të jenë së bashku nxënësit, prindërit dhe mësuesit nga Shqipëria dhe Kosova.

“‘Ditët e hapura’” do jenë festa e rinisë shqiptare, e shkollës shqiptare, që do kaplojë të gjithë sheshet e qyteteve të Shqipërisë e Kosovës, do fillojmë me Tiranën e Prishtinën”, theksoi ministrja Nikolla.

“Falënderoj për ftesën, mikpritjen, po aq edhe për gjithë energjinë pozitive që kemi zhvilluar, që në takimin e parë, që do të thotë një intensitet i ri i bashkëpunimit midis dy institucioneve, dy qeverive, në një sektor tejet të rëndësishëm”, tha ministrja Nikolla, duke përkujtuar edhe takimin në Tiranë, para të sotmit në Prishtinë.

“Jemi një komb që kemi një vlerë të posacme, një moshë të madhe të rinisë, një moshë rinore që na identifikon, që do të thotë që vendet tona të punës janë po aq të mëdha për të mundësuar një arsimim dhe një edukim cilësor të kësaj rinie”, tha Ministrjen e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla .

“Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Në mënyrë të vecantë jemi dakorduar për bashkëpunimin e ngushtë në sferën e arsimit të lartë”, tha minsitri kosovar, Arsim Bajrami. Të dy ministrat flolën në një konferencë për shtyp pas takimit në Prishtinë.

Gjatë takimeve që kanë pasur dy ministrat dhe delegacionet e të dyja vendeve, është biseduar për bashkëpunimin në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe në hulumtim dhe shkencë.

Po ashtu, u bisedua për çështje të rëndësishme në fushën e arsimit, siç janë, shkëmbimi i teksteve për arsimin dhe aftësimin profesional dhe materialeve mësimore dhe hartimi i teksteve të përbashkëta në të ardhmen, shkëmbimi i standardeve të profesionit për nivelin e mesëm të lartë (shkollat profesionale), shkëmbimin dhe mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe hulumtuesve shkencor, krijimin e programeve të përbashkëta të studimit, bashkëpunimin në lehtësimin e njohjes së diplomave të arsimit të lartë të fituara në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës, shkëmbimi i përvojave në rregullimin e profesioneve, krijimin e partneriteteve të përbashkëta për aplikim në programet evropian për hulumtim dhe zhvillim.

Ndërsa, ministrja Nikolla, ndër të tjera, theksoi rëndësinë e unifikimit të sistemeve arsimore dhe ngritjen e cilësisë, të cilat mundësojnë për të rinjtë e Shqipërisë dhe të Kosovës jo vetëm mobilitet për shkollat dhe universitetet, por edhe në çdo vend tjetër të BE-së. “Sigurisht që janë hapa të menduara mirë, programe të strukturuara mirë, por besoj që kanë filluar të japin rezultatet e para”, tha ajo.

Ne, theksoi ministrja Nikolla, në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive tona, do të propozojmë krijimin e ekipit të përbashkët të ekspertizës, të cilët do të mundësojnë standardizimin e procesit të kualifikimit të mësuesve, modulet e përbashkëta të kualifikimit dhe ekipet e përbashkëta të trajnerëve, që do të mundësojnë kualifikimin e mësuesve në këtë Kurrikulë të re të unifikuar të arsimit parauniversitar në Shqipëri dhe Kosovë.

Lindita Nikolla takon Presidenten Atifete Jahjaga
Ministrja Nikolla u prit në takim edhe nga Presidentja Atifete Jahjaga . Gjate takimit Jahjaga dhe Nikolla biseduan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të arsimit të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë.

nikolla

Presidentja kosovare vlerësoi se me qëllim të ngritjes së cilësisë, në përputhje me normat dhe standardet evropiane, do të ishte me interes zgjerimi i bashkëpunimit të ndërsjellë.

“Marrëdhëniet midis institucioneve të dy vendeve tona janë shembull për gjithë rajonin”, tha Jahjaga duke shtuar se këto marrëdhënie duhet të përparojnë dhe të thellohet bashkëpunimi në secilën fushë me interes dypalësh.

Ministrja e Arsimit të Republikës së Shqipërisë Lindita Nikolla, shprehu përkushtimin e qeverisë shqiptare për të zgjeruar bashkëpunimin me institucionet e arsimit në Kosovë. Ajo theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave më të mira midis dy vendeve si në arsimin parauniversitar por po ashtu edhe në arsimin e lartë. 


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme të Himarës, deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rreth 4% më shumë nga 14 Maji 2023

Zgjedhjet e pjesshme të Himarës, deri në orën 11:00 pjesëmarrja në votime është rreth 4% më shumë nga 14 Maji 2023