/ATSH/.- Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla shprehu sot keqardhjen për ngjarjen e dhunës në një shkollë, transmetuar në media dhe në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Nikolla u shpreh se "për rastin konkret kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje". "Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video. Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të të shkollës 9 vjeçare "Prek Gjoni", në Bajzë të Malësisë së Madhe", shkruan Nikolla.

Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallzim pranë organeve përkatëse.

"Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit. Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denocojnë çdo lloj akti dhune, që cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës. Dhuna nuk ka vend në shkollat tona!", vijon Nikolla.
Ministrja e Arsimit shprehet thellësisht e vendosur për t'u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja.