Të shtëna me armë zjarri kanë ndodhur pak më parë në Tiranë, te fusha e sportit në Laprakë. Të plagosur kanë mbetur Bledar Dauti, 39 vjeç dhe Dashamir Tahiri, 35 vjeç të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Të dy kanë plagë në këmbë dhe pritet të merren në pyetje në lidhje me zbardhjen e dinamikës, motivit të ngjarjes. Raportohet se dy të plagosurit njihen me njëri-tjetrin pasi banojnë në të njëjtën lagje.

Policia ka gjetur mjetin e autorëve të braktisur pak metra larg vendit të ngjarjes. Ndërkohë që po këqyren kamerat e zonës për të identifikuar autorin ose autorët.

Njoftimi i policisë:

Më datë 08.09.2026, rreth orës 21:20, janë paraqitur në spital, të dyshuar të plagosur me armë zjarri shtetasit B. D., rreth 39 vjeç, dhe D. T., rreth 35 vjeç, jashtë rrezikut për jetën .

Nga informacionet paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e “Fushës”, në Laprakë.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Lajm në përditësim...