KORCE- Premiera e filmit dokumentar “Nikolla i zemrës së Tiranës” u shfaq në teatrin e Korçës mes shumë artistëve, familjarëve dhe bashkëudhëtarëve të kompozitorit, Nikolla Zoraqi.
Dokumentari sjell materiale të pazbuluara më parë nga jeta dhe krijimtaria e tij e kompozitorit të njohur, i cili ishte me origjine nga Voskopoja. Regjisori i filmit, Mevlan Shanaj, ndalet tek rëndësia e rikthimit të figurave të mëdha të artit në vëmendjen e publikut.
“Kompozitor elitar, aristokrat që ka bërë 100 vepra. Kritika thoshte se ai ishte Tchaikovsky (Çajkovski) i Shqipërisë”, tha Mevlan Shanaj.
Producenti Skënder Jaçe thekson se filmi është një homazh për trashëgiminë kulturore.
“Filmi evokon një kohë të bukur kur arti ishe me i pranishëm para publikut”.
Edhe pse e ka parë disa herë dokumentarin, emocionet mbeten të forta për djalin e kompozitorit, Enkel Zoraqi, i cili rrëfen lidhjen e veçantë të të atit me qytetin e Korçës.
“Korça është pjesë e rrënjëve. Familja ime ka zbritur në Tiranë nga Voskopoja”, tha ai.
Nipi i tij, dirigjenti i njohur Zhani Ciko, ndan mes emocionesh madhështinë e figurës së Zoraqit dhe ndikimin në muzikën shqiptare.
“Një muzikë që buron nga populli por që ka arritur nivel të lartë artistik”, thekson Ciko.
Ndersa skenaristja Natasha Lako flet për punën intensive dhe përzgjedhjen e materialeve që i dhanë formë dokumentarit.
“Ky dokumentar nuk bëhesh pa orë të tëra të Mevlanit për ta dëgjuar muzikën dhe për ta kthyer në imazh’, thekson ajo.
Me mjeshtërinë e montazhit të realizuar nga Riza Vreko, filmi solli emocione të shumta dhe u shoqëruar me duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm. Pas Tiranës dhe Korçës do të shfaqet në Prishtinë dhe Rumani.
Kompozitori i njohur Nikolla Zoraqi lindi në Tiranë në 1929 dhe u nda nga jeta në vitin 1991. Me nje krijimtari te pasur muzikore, ai realizoi uvertura, koncerte për violinë dhe orkestër, balete, opera dhe këngë. Në veprat e tij spikat trajtimi i figurave kombetare, si në krijimet “Komisari”, “Shota e Azem Galica”, “Cuca e maleve”, etc.
Komente







